Postblloku i Fierit dhe taksidarët e Hetimit Tatimor

    394
    Sigal

    ABUZIMI/ Rruga Fier –Vlorë është kthyer në një tmerr për tregtarët dhe drejtuesit e automjeteve duke na kujtuar maskat e ‘97-s

    Nuk ka asnjë dyshim se sistemi tatimor dhe fiskal ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme dhe abuzimet e nëpunësve të dikurshëm që të grabisnin nëpër qoshe u harruan. Por ata që dikur dilnin dhe vendosnin gjoba nën dorë njëlloj si bandat me maska në rrugët e pas viteve 1997 kanë lënë gjithsesi nga pas gjurmët e tyre. Shembulli më tipik dhe nostalgji e masakrës që u bëhet tregtarëve, biznesmenëve dhe drejtuesve të transportit të mallrave, fugonëve dhe autobusëve është Qarku i Fierit. Pikërisht janë taksidarët e hetimit tatimor, të cilët zënë pusinë në orët e mëngjesit deri në mesditë në hyrje dhe dalje të qytetit të dytë më të madh në vend dhe mbajnë me orë të tëra drejtuesit dhe biznesmenët me qëllimin e vetëm atë të marrjes nën dorë të fitimeve personale. Është e pamoralshme që disa mjeranë dhe militantë partie të punësuar në këto poste krijojnë imazhin më të keq të trashëguar nga mandatet e mëparshme të tatimorëve të së majtës. Si mundet të bëjë interpretim ligjor një njeri i papërgjegjshëm kur ndalon një drejtues dhe pasi i kërkon faturat tatimore dhe ato fiskale fillon dhe merret paturpësisht me ngjyrën e stilolapsit është pikë apo presje e idiotësi të tilla pa fund. Këta zotërinj harrojnë që kanë detyrim ligjor të verifikojnë dokumentacionin deri më një dhe të verifikojnë nëse malli është i vjedhur, kontrabandë apo brenda të gjitha ligjeve dhe rregullave të përcaktuara nga shteti shqiptar. Në hyrje të Fierit sa kalon urën, apo rrethrrotullimin si dhe në dalje të sajë drejt Vlorës në zonën e ish- Azotikut (Qafa e Koshovicës) të ashtuquajturit policë të hetimit tatimor që vetëm të tillë s’janë bëjnë batërdinë dhe “therin” këdo që kalon nëse nuk kollitet tek “taksidarët e hetimit tatimor” që po njollosin sistemin e Tatim-Taksave duke na kujtuar batakçinjtë e dikurshëm. Ligji për tatimet në pjesën, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve thuhet se: “Reforma e tatimeve në Shqipëri po ecën me hapa të shpejtë dhe konkretë. Ligji i ri për procedurat tatimore është tashmë “Kushtetuta” që udhëheq administratën tatimore drejt praktikave më të mira, moderne, ndërkombëtare dhe një transformimi organizativ, ku marrin përparësi shërbimet ndaj tatimpaguesve, edukimi dhe vetëvlerësimi, të drejtat e tatimpaguesve dhe një sistem efikas apelimi”. Dhe me të drejtë kjo është ajo që kërkojnë qytetarët dhe tregtarët, pasi në të kundërt trembja e biznesit nga taksidarët dhe banditët e veshur me uniformë si në rastin tipik të batakçinjve të Fierit i detyron këta të fundit të largohen dhe të rrëzojnë të gjitha përpjekjet dhe lehtësirat 8-vjeçare që qeveria, Kryeministri Berisha dhe Ministria e Financave kanë realizuar për reformën tatimore, duke ofruar standardet e BE-së. Ne tentuam për të gjitha këto të kontaktonim më Kryetarin e Degës Tatimore Fier, Aleksandër Myrtaj përfaqësues i LSI-së dhe për të saktësuar me të gjithë problematikën dhe shqetësimin e tregtarëve, por nuk arritëm dot për shkak të mosgjetjes së numrit të kontaktit. Sigurisht që, ne do e ndjekim dhe do kërkojmë edhe qëndrimin e tij në lidhje me abuzimet dhe papërgjegjshmërinë e taksidarëve të Hetimit Tatimor të Fierit. Por le t’i kthehemi fakteve në postbllokun e Fierit:

    Interpretim ligjor apo respektim i ligjit?
    Në aktet nënligjore që normojnë punën e tatim-taksave në pjesën për të drejtat dhe detyrimet thuhet se: “Partneriteti i ri me tatimpaguesin mundëson më shumë bashkëveprim, minimizon barrën administrative dhe kërkon njohje dhe zbatim me ndershmëri të të drejtave dhe detyrimeve nga të dyja palët”. Por këtë gjë vetëm bashibozukët militantë, që rrinë skutave në hyrje dhe dalje të Fierit nuk mund ta kuptojnë. Nëse këta janë militantët e emëruar nga LSI-ja le të shkojnë të bërtasin në mitingjet e saj, por jo të diskreditojnë një sistem të tërë të Tatim-Taksave duke përdhosur imazhin e këtij institucioni. I takon kontrollit të brendshëm dhe organeve të specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Krimit ekonomik të verifikojnë dhe të ndëshkojnë këta batakçinj të veshur me uniformën shtetërore.
    Kontrabanda dhe biznesi i ndershëm
    Interpretimi i tyre ligjor nuk ka vend, pasi punonjësit e hetimit tatimor janë kontrollorë dhe verifikues të faturave, origjinës së mallit në mënyrë që ky mall dhe kjo faturë të mos jetë e vjedhur, kontrabandë apo pa faturë (tvsh). Nëse punonjësi i hetimit tatimor kthehet në taksidar i hetimit tatimor dhe merret me faktin pse është rrudhosur fatura, pse nuk dallohet mirë viza etj., etj., budallallëqe të kësaj natyre duke i mbajtur me orë të tëra drejtuesit e mjetit. Detyra e tyre është verifikimi dhe sistemi është i tillë që ata ta bëjnë, shpejt dhe me cilësi. Por të ndershmit mbahen peng gjatë orëve të ditës ndërsa hajdutët me maune dhe autobote bëjnë kërdinë pasdite dhe natën. Le të dalin pas orës 18:00 dhe do të shikoni se kush bënë kontrabandë, kush bë në evazion fiskal, kush qarkullon pa faturë tvsh dhe me çfarë urdhri këta punojnë braktisin postblloqet dhe futen në shtëpitë e tyre për të konsumuar ato që u kanë grabitur gjatë ditës shoferëve të thjeshtë. Është e pamoralshme që inspektori i hetimit tatimor të deklarojë edhe 2 apo 3 makina dhe e realizuam planin dhe ikim për sot, kur ora është 12 e drekës. Ja këto janë faktet komprometuese nga e cila shteti humbet miliona.
    Batakçinjtë e hetimit tatimor si dikur policët e korruptuar rrugor
    Pak më shumë se 1 vit në autostradën Lushnje-Fier dilnin disa policë rrugorë me matës shpejtësi, por që kishin si qëllim jo disiplinimin e qarkullimit, por mbushjen e xhepave. Këtyre hajdutëve shërbimet e specializuara u treguan vendin dhe një pjesë e tyre edhe sot vazhdojnë proceset ligjore në gjykata, ndërkohë që, janë të përjashtuar nga radhët e policisë. E përmendëm këtë fakt për të treguar se këta njerëz janë zëvendësuar nga taksidarëve e rinj të hetimit tatimor të Fierit dhe se në mënyrë identike po funksionon edhe ky shërbim në hyrje apo dalje të qytetit. Taksidarët kanë për detyrë t’i kërkojnë drejtuesit të mjetit të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, por jo t’i kërkojnë avokatit të firmës identitetin, pse e mbron t’i subjektin e caktuar dhe a i ke paguar sigurimet shoqërore kur dihet që avokati ushtron aktivitetin e tij mbështetur dhe në zbatim të ligjit. Akoma më e rëndë është rasti kur drejtuesi i mjetit udhëton me vëllanë dhe për taksidarët konsiderohet pasagjerë, ndërkohë që, nuk pranonin të shikonin dhe të ballafaqonin kartat e identitetit të shoferit dhe “pasagjerit”. Gjithkush që e dëgjon tmerrohet dhe thotë që nuk ka mundësi që marrëzia dhe babëzia të këtë arritur deri këtu, por ja që ju garantojmë që është e vërtetë dhe nuk ka as më të voglin trillim.
    Konkluzioni
    Si përfundim po citojmë një pjesë të ligjit tatimor në pjesën për “Të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve” që thotë se: “Ndryshimi rrënjësor nuk ndodh brenda një dite, por themelet janë hedhur dhe në mënyrë të qartë dhe të pakthyeshme po punohet drejt një administrate tatimore model”, por kjo nuk do të thotë që tregtarët të mbyllin aktivitetet sepse disa hajdutë me çizme dhe me bllok në dorë u kërkojnë të holla biznesmenëve. Ne do të investigojmë në mënyrë tejet profesionale në ditët në vijim, me të gjitha mundësitë nga më të fundit teknologjike të kohës dhe do të pasqyrojmë fakte të pakundërshtueshme për këta taksidarë me maska tatimore pasi ky është edhe misioni ynë profesional dhe gazetaresk. Për drejtuesit e degës tatimore Fier dhe për pjesën e ndershme të punonjësve të hetimit tatimor të këtij qarku do t’u sugjeronim të respektonin aktet ligjore, të cilat janë të pasqyruara edhe në faqet zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë Përgjithshme të Tatimeve, të cilat saktësohen në Ligjin për procedurat tatimore, i cila ka hyrë në fuqi në 25 Qershor 2008 dhe ku është përfshirë për herë të parë një kapitull të veçantë mbi “Të Drejtat e Tatimpaguesit”, i cili shprehimisht thotë : “Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë falas informacion për legjislacionin tatimor dhe ndihmë për zbatimin e tij, nga zyrat për shërbimin e tatimpaguesve .Çdo tatimpagues ka të drejtë që të trajtohet në mënyrë të paanshme, profesionale dhe etike nga administrata tatimore”.