Poetja Ingrid Llambi shkëlqen mes 225 mijë konkurruesve

    403
    Sigal

    KANADA / Medalje e Argjendë  për 18-vjeçaren nga Durrësi

    Pas shkencëtarit Kabashi, i cili tashmë është pjesë e një grupimi kërkuesish në Kanada, një tjetër shqiptare, sërish nga Durrës, në vendin e largët ka shkëlqyer si talent i rrallë. Një vajzë nga Durrësi ka fituar Medaljen e Argjendtë në konkursin “Scholastic Art & Writing Awards”, çmim që më parë e kanë fituar edhe personalitete të famshme botërore si Endi Uorholl (Andy Warhol,1928-1987), Xhon Apdajk (John Updike, 1932-2009), Stiven (Stephen) King (lindur në vitin 1947), Trumen Këpouti (Truman Capote, 19242-1984), Xhojs Keroll Outs (Joyce Carol Oates, lindur në vitin 1938) etj. Ingrid Llambi, nxënëse në vitin e katërt në një nga shkollat e Udbrixhit (Woodbridge) në Toronto të Kanadasë, ka marrë njoftimin e suksesit ditën që ka mbushur 18 vjeç. Bashkë me lajmin se është një nga fitueset mes 255 mijë pjesëmarrësve, ajo është ftuar të jetë e pranishme në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve që do të zhvillohet më 5 qershor në Nju Jork. Familja Llambi ka emigruar në Kanada në vitin 1999, kur Ingridi ishte vetëm 3 vjeç. Letërsia ka qenë pasioni i hershëm i saj dhe siç tregon e ëma, Etleva, megjithëse nuk është inkurajuar në këtë fushë nga prindërit, ka shkruar vazhdimisht në “Gazetën e shkollës”.Që nga klasa e katërt fillore, vajza që ka lindur në Durrës, është pjesë e shkollave me program të avancuar, si në letërsi ashtu edhe në matematikë, duke fituar edhe subvencionimin përkatës nga Ministria e Arsimit. Disa muaj më parë Ingridi ka dërguar në konkursin “Scholastic Art & Writing Awards” 10 materiale letrare dhe në përfundim të konkurrimit rajonal ajo fitoi “Çelësin e artë” (në foto) në kategorinë  e poezisë, si dhe gjashtë çmime të tjera më të ulëta. Poezitë e Ingridit të titulluara “Atelophobia”  dhe “Graphophobia” shqyrtohen përsëri në komisionin kombëtar të konkursit, së bashku me fituesit e tjerë nga SHBA, Kanadaja dhe studentë të ardhur nga vende të tjera të botës. Që të dyja e shpallin fituese dhe i japin vajzës shqiptare “Medaljen e argjendtë”. Ingridi  nuk kishte konkurruar më parë dhe në këtë rast, thjesht kishte dëshirë të verifikonte nivelin e saj, – tregon Etleva, e ëma e saj. Tashmë ajo ka aplikuar si studente e letërsisë dhe i ka idetë për të ardhmen shumë të qarta. Bashkë me dy shoqe po  punojnë me një film me metrazh të shkurtër për një konkurs lokal, ndërsa bën pjesë në planet e saj Masteri në Letërsi. Në letrën (në foto) që u dërgon komisioni i konkursit prindërve të Ingridit, Artan Llambi dhe Etleva Domi, shkruhet  “Që nga 1923 këto çmime kanë nxjerrë në pah talente te reja nëpër të gjithë vendin. Duke fituar çmimin “Scholastic Art & Writing” fëmija juaj bëhet pjesë e një trashëgimie të shquar. Shkrimtarë e artistë të shquar si Richard Avedon, John Baldessari, Truman Capote, Lena Dunham, Stephen King, Andy Ëarhol, Sylvia Plath, Zac Posen, Ken Burns, Joyce Carol Oats, John Updike and Kay Ëalking Stick janë fitues të këtij çmimi. Rreth 255 000 vepra arti dhe krijimtari letrare u paraqiten nga nxënës të klasave 7-12 këtë vit shkollor. Marrja e kësaj Medaljeje Kombëtare e radhit fëmijën tuaj brenda grupit prej 1 për qind të të gjithë pjesëmarrësve”.  Finalistët do të nderohen  në qytetin e Nju Jorkut në datat 5-7 qershor 2014.