Plazhi i Patokut

    1830
    Sigal

    Nga Kruja kur hedh sytë nga perëndimi syri të kap hapësirat e mëdha të nënfushës që nisin që nga Tirana e përfundojnë në bregun e Matit; ndërsa tej, në fund, fusha  ndërpritet si një copë basme e shqyer nga deti me gjiret dhe gadishujt e vegjël, ndër të cilët bie në sy kepi i Rodonit dhe plazhi i Patokut, i baraslarguar me një distancë që arrin nga 10 deri 15 km nga Kruja, Fushë-Kruja, Laçi, Miloti dhe Thumana, një plazh dikur i virgjër, i bukur, i konsideruar si perla më e lakmueshme e Shqipërisë së mesme dhe veriut, por i dëmtuar keqaz, aq sa njerëzit e kësaj zone shkojnë deri në Durrës dhe Shëngjin, pasi Patoku ka degraduar nga prurjet e lumit Mat, i cili i shfrytëzuar barbarisht, duke i marrë inertet e ka kthyer plazhin në kënetë. Plazhi i Patokut shquhej për rerën e veçante dhe kurative. Shumëkush që ka kaluar pushimet aty ruan kujtimet nga Patoku i dikurshëm apo imazhet e shkëputura nga shkrepjet e aparatit fotografik. Megjithatë, këto kohët e fundit ky plazh po i kthehet normalitetit.  Po çfarë mund të gjesh në Patok? Në Patok gjen një plazh të qetë, të vogël si hapësirë, por me rërë të imët. Sivjet numri pushuesve është shtuar dhe hapësirat e plazhit janë mbushur plot me pushues të cilët ndihen të kënaqur me atë që ofron natyra këtu, por edhe me lokalet e shërbimit që janë shtuar shumë këto kohët e fundit, dhe që ofrojnë një shërbim shumë të mirë me gatime tradicionale deti, por edhe kuzhinë moderne. Pavarësisht se ka pasur pak investime në këtë zonë, pushuesit që e njohin këtë vend nuk kanë nguruar ta pushtojnë duke përjetuar një relaks të vërtetë mes këtij oazi të Adriatikut. Rëra e virgjër dhe uji i kristaltë e bëjnë një vend mahnitës për të kaluar pushimet verore. Ashtu si kudo, edhe këtu, mungon vëmendja e qeverisë që e lë këtë perlë të bregdetit shqiptar të përmbytet dhe të baltoset. Banorët vendas janë të pafuqishëm për t’ia ndryshuar pamjen vendit të tyre, që kërkon investime të mëdha. E para që duhet të bëhet është devijimi i grykëderdhjes së lumenjve Mat dhe Tërkuzë, të cilët kanë prishur ekosistemin dhe ekuilibrat natyrorë jo vetëm në Patok, por edhe të një pjese të madhe të bregdetit Adriatik. Nuk ka asgjë me shumë Lalzi se Patoku, por Lalzi është ruajtur i virgjër, ndërsa Patoku është ndëshkuar rëndë nga pakujdesia.

    Shumë pranë Patokut është edhe Pellgu i Fushë-Kuqes, ose rubineti i Durrësit dhe Kavajës, është një nga më të mëdhenjtë e ujërave nëntokësore arteziane dhe uji që nxirret aty me anë të motopompave, shkon pastaj me një ujësjellës prej 125 kilometrash në qytetet e Durrësit dhe Kavajës, si edhe në qendra të tjera të banuara që shtrihen në zonën e ujëmbledhësit. Kapaciteti i ujësjellësit është rreth 700-750l/sek. Edhe këtu ka një plazh të bukur që po shfrytëzohet nga pushuesit vendës dhe të huaj. Nuk do të jetë e largët dita që plazhi i Fushëkuqes të konkurrojë më Lalzin dhe Patokun.