Petrit Malushi / Përse vazhdon të shkelet Kodi i Punës për ngarkesën mësimore të mësuesve?

    477
    Për përmbajtjen dhe moszbatimin e “Udhëzimit nr 44”, të datës 16 tetor 2014, “Për normat e reja të ngarkesave mësimore” vulosur dhe firmosur nga titullarja e MAS, Lindita Nikolla është shkruar edhe herë tjetër në shtyp. Por nuk pati asnjë lloj reagimi. Kujtojmë për lexuesit dhe të interesuarit, veçanërisht mësuesit, se me këtë udhëzim ngarkesa mësimore javore për çdo lëndë dhe çdo mësues ulej me dy ore, brenda së cilës përfshiheshin edhe dy orë kujdestari të barzavlershme me orët mësimore. Kështu një mësues letërsie në shkollën e mesme, me normat e reja ka 16 orë mësim dhe 2 orë kujdestari në javë, që në total bëjnë 18 orë, një mësues matematike 20 orë, e kështu me radhë jepet tabela e plotë për të gjitha lëndët e tjera. Por indiferenca ekstreme ndaj komunitetit me një numër të konsiderueshëm mësuesish në arsimin parauniversitar nuk njeh kufi. Mospërfillje! Tallje! E habitshme, pasi nga drejtuesit e të gjitha niveleve, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit apo ajo e Punës për Arsimin Profesional, prej tre vitesh vazhdon të shkelet “Udhëzimi 44”. Zotërinj dhe zonja të nderuara, ju që e keni për detyrë t’i zbatoni ligjet, të mos krijoni probleme dhe të zgjidhni probleme, ju që në sajë të punës së mësuesve, merrni ato paga të majme nëpër zyra ministrish e drejtorish arsimore, ju drejtues shkollash, pse vallë që nga muaji tetor 2014, viti 2015, e viti 2016 në vazhdim, i detyroni mësuesit të punojnë me mbingarkesë? Po si keni kurajë administrative e njerëzore për të thyer aktet normative duke i ngarkuar mësuesit në disa raste edhe me nga katër apo pesë orë mësimi mbi normë? E për më tepër gënjeni se do t’i paguani në fund të vitit shkollor, ndërkohë që është i dyti vit që përsëritni gënjeshtrën. Me një llogaritje të thjeshtë, gjatë një viti shkollor me 35 javë mësimore (ka edhe me 36 javë mësimore) çdo mësues që ka dy orë mbingarkesë, kryen në total 70 orë mësimore. Por paga e një ore mësimore mesatarisht është 700 lekë,ndërkohë që sipas Kodit të Punës orët shtesë paguhen 25 % më tepër. Kështu çdo mësuesi dhe familjeve të tyre u është mbajtur dhe vazhdon t’u mbahen pa të drejtë jo më pak se 60 000 lekë në një vit shkollor. Ju lutem, shumëzojeni këtë shifër me numrin e përgjithshëm të mësuesve në të gjithë Shqipërinë që kanë orë mbi normë dhe shikoni se sa del? Sa mësues të tjerë mund të ishin punësuar ose mund të punësohen nëse do të ishte zbatuar apo do të zbatohet ky udhëzim? A ka ndonjë nga ju që jo për kaq, por edhe shumë më pak se kaq, që do të heshtte apo do t’i falte këto lekë? Sa nga ju e marrin pagën mangët apo kryejnë punë të papaguar? Asnjë! Mësuesve këto norma ngarkese u takojnë me ligj, sepse deri tani nuk ka dalë ndonjë udhëzim tjetër që ta shfuqizojë atë. Po të shikojmë edhe anën tjetër, vallë ku përfundojnë lekët e kësaj pune jo të pakët që nuk u jepen mësuesve? 
    Kontrollet venë e vinë 
    Jo të pakta janë kontrollet, nga lartë poshtë, që ushtrohen nëpër shkolla me tematika të ndryshme të caktuara e spontane, për formën dhe përmbajtjen, skelet-kurrikulat dhe anën financiare, informacionet jepen rregullisht nga drejtuesit e shkollave në fillim të çdo viti shkollor e në vazhdim për numrin e nxënësve, të klasave, të numrit të lëndëve, të mësuesve, të ngarkesave mësimore, duke e bërë gjithçka të hapur dhe të dukshme. Po pse kalohet në heshtje një diçka e tillë? 
    “Shurdhmemecet” sindikata
    Në arsim “thonë” se janë dy sindikata, një “e varur” dhe një “e pavarur”. Mos vallë këto sindikata janë të kënaqura vetëm me emrat që u kanë vënë vetes për t’u përfaqësuar nëpër protokolle me ca kontrata formale dhe të jenë “bastunë të kërrusur”, ku të mbështet pushtetarët e paaftë? Po ku është roli i tyre në këtë rast për këtë problem, që nuk janë prononcuar asnjëherë? Për këtë problem dhe këto shkelje të moszbatimit të “Udhëzimit 44” mund të shkruhet shumë e më shumë. Por ndoshta mjafton kaq në këtë shkrim, që të veprojnë ata që e kanë për detyrë ta zgjidhin këtë problem, pasi ka drejtues shkollash që edhe pse mësuesit e ngrenë zërin për këto shkelje, nuk denjojnë fare të reflektojnë, thuajse shkollat janë pronë e tyre dhe mësuesit janë argatë po të tyre, që mund t’i ngarkojnë sa të duan edhe pse shkelen kode pune, ligje dhe udhëzime. 
    Kodi i Punës
    Për të krijuar një panoramë të plotë po citojmë edhe disa nene e pika nga Kodi i Punës. Ja neni 88, pika 1) Me orë shtese kuptohet çdo orë pune e kryer mbi kohëzgjatjen ditore normale ose javore maksimale të punës. Detyrimi për të kryer orë shtesë jepet në nenin 89 pika 1) Nëse rrethanat kërkojnë kryerjen e orëve shtese, punëdhënësi kërkon nga punëmarrësi kryerjen e tyre për aq sa është e mundur dhe e nevojshme dhe duke mbajtur parasysh kushtet vetjake dhe familjare te punëmarrësit. Për kompensimin thuhet në nenin 91, pika 1) Punëdhënësi, për orët shtese të punës që nuk janë kompensuar me pushim, duhet t’i paguaj punëmarrësit pagën normale dhe një shtese jo me pak se 25 % të saj, me përjashtim te rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. 2) Punëdhënësi në marrëveshje me punëmarrësin mund të kompensojë orët shtesë të punës me një pushim të paktën 25 % më të madh që i korrespondon kohëzgjatjes së orëve shtesë dhe që jepet brenda dy muajve nga dita e kryerje së punës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive.
    Sigal