Pesticidet, shkaktare të autizmit

    717
    Sigal

    Pesticidet dëmtojnë fetusin te gratë shtatzëna. Flasin psikopediatri Selami Deraj, agronomi Kleanthi Llogoni dhe dr. Islam Cani

    Autizmi në mbarë botën po bëhet një problem mjaft shqetësues. Kjo ka çuar në shfaqjen e një interesi gjithmonë e më të madh, për të realizuar studime mbi shkaktarët e kësaj sëmundjeje. Psikopediatri në Qendrën Komunitare e Shëndetit Mendor nr.3, Selami Deraj thotë për “Telegraf” se sot në vendin tonë nga 70 lindje 1 fëmijë është autik.

    Studiuesit nuk e dinë shkakun e kësaj sëmundjeje, por ata dyshojnë më së shumti se faktorë gjenetikë dhe të mjedisit mund të ndikojnë, si dhe mënyra e të ushqyerit. Një studim i zhvilluar së fundmi në Kaliforni sjell fakte mbi lidhjen e  pesticideve me sëmundjen e autizmit. Studimi evidentoi se gratë shtatzëna që jetojnë pranë fermave ku aplikohen pesticidet, ishin më të riskuara për të pasur fëmijë me autizëm. Pesticidet janë të dëmshme nëse përdoren në masa të madhe dhe shpesh. Është e rëndësishme, thotë agronomi Kleanthi Llogoni, që pas përdorimit të një pesticidi të shikohet karenca e tyre (karenca është data kur spërkatet bima dhe koha e caktuar që produkti i bimës të mos përdorët). Nëse produkti i bimës përdoret më herët sesa karenca e paraparë, atëherë fryti i përdorur mund të ketë efekte negative në konsumatorin. Kreu i shoqatës së Konsumatorit dr. Islam Cani jep disa këshilla sesi duhet të veprojnë qytetarët para se të konsumojnë perimet dhe frutat e blera në treg.

    Studimi

    Një studim i zhvilluar së fundmi në Kaliforni sjell fakte mbi korelacionin e  pesticideve me sëmundjen e autizmit. Studimi evidentoi se gratë shtatzëna që jetojnë pranë fermave ku aplikohen pesticidet, ishin më të riskuara për të pasur fëmijë me autizëm. Shkalla e riskut ishte dy të tretat më i lartë, në krahasim me gratë shtatzëna të cilat nuk ishin të ekspozuara ndaj pesticideve. Studimi evidentoi se rreziku i shfaqjes së sëmundjes së autizmit ishte më i madh, kur pesticidet ishin aplikuar gjatë muajit të dytë dhe të tretë të shtatzanisë. Autorët e studimit thanë se truri i fetusit është mjaft i ndjeshëm ndaj pesticideve. Studiuesit e përfshirë në studim u bëjnë thirrje të  gjitha grave shtatzëna: “Duhet të keni një kujdes të veçantë për të shmangur kontaktin me kimikatet bujqësore, sa herë që është e mundur”. Megjithëse kjo është një thirrje që i drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë grave shtatzëna, në mënyrë indirekte i drejtohet të gjithë shoqërisë, për t’i mbrojtur fëmijët nga pesticidet.

     Agronomi Kleanthi Llogoni

    Gratë shtatzëna duhet të bëjnë shumë kujdes në mënyrën e tyre të të ushqyerit. Ato nuk duhet të ushqehen me produkte me pesticide. Unë si specialist në këtë fushë të them se në Shqipëri nuk ka pesticide të rrezikshme, pasi ato që tregtohen këtu janë të prodhuara dhe të certifikuara në vendet e BE-së. Por ju them se në Shqipëri ka dy rreziqe:

    1. Riambalazhimi i pesticideve të skaduara
    2. Mosrespektimi i Karencës (karenca është periudha e kohës që  i duhet një produkti bujqësor për tu konsumuar pasi në të janë përdorur pesticide apo hormone, periudhë kohe kjo që varion nga 8-20 ditë sipas llojeve të ndryshme të pesticideve dhe rrezikshmërisë së tyre) nga ana e fermerëve. Kështu, duke i vjelë perimet/frutat pa respektuar kadencën, mbetjet toksike që nuk janë zbërthyer akoma, transmetohen edhe te personi i cili i konsumon këto produkte.

    Efektet e dëmshme për njeriun

    Rreziku = helmueshmëri + ekspozimi

    Ekspozimi ndaj pesticideve rrezikon formimin e tumoreve, kancerit, ka efekte në dëmtimin e fetusit te gratë shtatzëna dhe të sterilitetit në riprodhim. Më të rrezikshme janë pesticidet me përbërje fosfor-organike dhe klorur-organike. Vetëm disa pika në gojë apo lëkurë dhe mund të shkaktojë dëme të jashtëzakonshme. Ndërsa në insekticidet më helmuese janë ato me arsenik, fluor, zhivë, squfur. Një pjesë e madhe me këto përbërje janë eliminuar. Unë mendoj dhe i sugjeroj organeve përkatëse, duke parë dhe efektet negative në shëndetin e njeriut, se duhet ushtruar kontroll që në fushë, aty ku prodhohet, tregu është i pamundur të kontrollohet.

     Psikopediatri Selami Deraj

    Autizmi shfaqet në fëmijërinë e hershme dhe nuk njeh racë, etnicitet, kufij social etj.. Autizmi është çrregullim i zhvillimit, sepse një fëmijë normal zhvillohet në 5 sektorë:

    1. lëvizjet motorike; 2. marrëdhëniet shoqërore; 3. verbalizmi ( autikët janë deficitarë në verbalizim); 4. perceptimi i botës; 5. motorrika fine që ka të bëjë me zgjuarsinë.

    Te një fëmijë 2 vjeç që thotë vetëm 2 fjalë kemi disfunksion të zhvillimit psiko-motorrik (deficit verbal), por autizmi është diçka më shumë. Është dëmtimi i disa funksioneve bazë (përtej zhvillimit psiko-motorrik) të tërësisë së organizmit. Vetë autizmi ka format e veta, për shembull sindromi Asperika, ku fëmija është deficitar në marrëdhëniet shoqërore. Shkallët e autizmit janë të ndryshme dhe brenda vetë autizmit mund të ketë probleme neurologjike. Shpeshherë fëmijët autikë shoqërohen me sëmundjet e tokës (epilepsi) të formave të ndryshme, të cilët kërkojnë përkujdesje të vazhdueshme, përpos trajtimit të autizmit.

    Shkaqet

    Autizmi është problem neuro-biologjik, por gjithmonë ka një faktor favorizues (gjeni) Autizmi nuk njihet në thellësinë e vet, është një problem në studim. Por dua të theksoj se në natyrë, madje edhe në ajrin që ne thithim ka ndryshuar diçka. Nëse më parë raporti për fëmijët autikë ka qenë 1 në 10 000 lindje, tani ky raport është përmbysur dhe është 1 fëmijë autik në 70 lindje.

     Dr. Islam Cani, kreu i Shoqatës së Konsumatorëve

     Rastet e fëmijëve të prekur me autizëm janë rritur ndjeshëm në 20 vitet e fundit. Mendoj se jo faktori gjenetik, por faktorët e tjerë mjedisorë madje dhe nutritivë apo ushqimore  ndikojnë në shtimin e këtyre rasteve autikë. Në ekonominë e tregut, krahas të tjerave ndryshime sociale, politike dhe ekonomike, ka ndryshuar dhe mënyra e  të ushqyerit në përgjithësi dhe në veçanti për nënat e reja dhe për fëmijët.

    – Por, duhet të kemi parasysh kujdesin që duhet të tregohet në shtesat ushqimore me ngjyrues e kimikate, sidomos ushqimet e freskëta, por me doza të pesticideve për nënat shtatzëna, se rrezikohet dëmtimi i fetusit, por gjithashtu edhe për fëmijët që janë diagnostikuar si autikë, pasi ata janë tejet të ndjeshëm ndaj kimikateve. Realisht kjo dozë a ngarkesë me pesticide gjendet te të gjitha frutat dhe perimet që ne sigurojmë nga tregu. Është domosdoshmëri larja e këtyre produkteve me tretësirë të kripës, uthullës, apo limonit për të mënjanuar këtë sasi të dëmshme të pesticideve, si favorizues dhe të sëmundjes, kjo dhe për vetë faktin se fëmijët me autizëm kanë mosfunksionim të plotë të procesit të detoksikimit të mëlçisë. Mënyra të thjeshta për të eleminuar një % të konsiderueshme të pesticidet dhe papastërtitë në fruta perime ne kushtet e shtëpisë pasi ato janë blerë dhe ruajtur ne vende të thata të freskëta në temperaturë rreth 2-8 gradë Celsius e jo në zero gradë, sepse dëmtojmë vlerat ushqyese të perimeve dhe frutave që ne kemi siguruar në familje. Në një ene të pastër me ujë hedhim lëng limoni/tretësirë e kripës së gjellës/uthull molle apo rrushi/sodë buke, qëndrojnë aty për 5-10 minuta frutat dhe perimet e më pas shpëlahen ato me ujë të pastër dhe të bollshëm disa herë. Kjo procedurë larje dhe pastrimi bëhet për të minimizuar efektin e pesticideve dhe kimikateve të përdorura që në fazën e rritjes në fushë.