Persona me detyrë shtetërore në KEMP, ata me aftësi të kufizuar rrugëve

    501
    Sigal

    SARANDË: Mendojmë se ky apel për Ministrinë e Shëndetësisë nuk është vetëm për Sarandën, por për gjithë republikën (këtu të na kuptojnë lexuesit, se nuk jemi kundër marrjes së subvencionimit shtetëror, por kundër padrejtësive që ndodhin në institucionet e KEMP). Një ligj që ligjëron firmën e mjekut pa auditim, po sjell andralla në funksionimin ligjor dhe dështimin e politikave shtetërore në shëndetësi për trajtimin e personave me aftësi të kufizuara me shpërblim monetar. Shohim se shumë persona të dyndur para kësaj zyre në Sarandë, vijnë para këtij komisioni me vërtetim nga komisione të Tiranës, këto të dërguara vetë nga ky institucion, apo të kapur nga auditi dhe përsëri sorollaten për tekat e një komisioneri. Ndërsa persona të tjerë, madje dhe me punë në shtet, trajtohen me financim nga KEMP(?!) Ndërkohë që qytetarët bëjnë edhe kontestime për anëtarë të veçantë të këtij komisioni që bëhen thjeshtë “Belaxhinj”, vetëm për të marrë para, pasi brenda ligjit dhe kritereve shtetërore nuk u takon as qenia e tyre në këtë komision. Shkak u bë për këtë shkrim një qytetar (për mos të përmendur qindra raste shkeljesh që i takon ministrisë përkatëse për verifikim), një qytetar i quajtur  Luan Muhameti. Luani thotë se kurrë në jetën e tij nuk ka dashur të jetë i “mëshiruar” nga shteti, por ka punuar, pavarësisht fatkeqësisë së tij që i ka ndodhur kur ishte vetëm 9 muajsh, kur fatmirësisht shpëtoi nga djegia në zjarr, por që i la pasoja fizike. Sistemi i Enver Hoxhës nuk e mori në shërbimin e detyruar ushtarak, por e trajtoi si invalid. Megjithatë ai nuk pranoi rehati, por punoi si mekanik me aq sa mundej. Nuk donte të shkëputej nga shoqëria, kërkonte të mundte fatkeqësinë që i mori një sy dhe më pas edhe gishtërinjtë e një dore. Punoi edhe në socializëm dhe vijoi edhe në demokraci me punën e tij si fermer. Po vjen një ditë… vjen që nuk mundesh më, pavarësisht sedrës dhe vullnetit, pavarësisht këtyre, kufizimet fizike nuk të lejojnë. Luani, sot 63 vjeç, nuk ka mundësi të punojë më. I vetmi sy që i ka mbetur nga fatkeqësia kur qe 9 muajsh, tani ka aftësinë pamore më pak se 30%. Kur vete tek ekspertët i thonë se nuk i takon trajtim financiar pasi ka një sy. E gëlltit këtë fatkeqësi të dytë. Ndërkohë shohim në listat e trajtimit me defekte pamore persona që janë deri edhe drejtorë në institucionet shtetërore, për mos të folur më shumë themi se, a duhet që Ministria e Shëndetësisë të ulet këmbëkryq në këto institucione dhe t’u japë hakën atyre që meritojnë dhe të penalizojë ata që abuzojnë dhe ky abuzim deri edhe në familjaritet? Kjo i takon institucionit qeveritar përgjegjës.