Përse ky qëndrim antiligjor më ushtarakët?!

    433
    Sigal

    Qëndrimi i drejtoreshës së përgjithshme të ISSH ndaj vendimeve të formës së prerë të gjykatave për pensionet e ushtarakëve është qëndrim antiligjor
    Në datën 20.07.2012 Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH, Zonja Vjollca Braho, i drejton një letër Ministrit të Drejtësisë, z.Eduard Halimi, me anën e së cilës ankohet për shërbimin përmbarimor privat, i cili zbaton vendimet e formës së prerë të gjykatave, të kthyera në urdhër ekzekutimi. Zonja Vjollca, ose nuk jeni e aftë në njohjen dhe zbatimin e ligjeve ose posedoni dëshirën e fshehtë për të dëmtuar ata ushtarakë, të cilët kanë fituar gjyqet e të tre shkallëve dhe marrin pjesën e prapambetur të pensionit nëpërmjet përmbarimit.

    Po e filloj analizën e letrës tuaj me mbylljen që i bëni asaj: “Në këtë mënyrë, duke vepruar në kundërshtim si me ligjin procedural dhe atë material, Zyrat e Përmbarimit Tiranë kanë marrë si kompetencat e organit administrativ, ashtu edhe kompetencat e gjykatës duke vazhduar më tej ndalimin e detyrimeve përtej datës së hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar.”
    Ju Zonjë, ende nuk e dini se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 33, datë 24.06.2010, lidhur me zbatimin e nenit 29 të ligjit nr. 10142, midis të tjerash, përcakton se “Parimi i shtetit të së drejtës përmban në vetvete dhe detyrimin e autoriteteve publike për të vënë në ekzekutim vendimet gjyqësore të formës së prerë. Siguria juridike nënkupton që, në rastet kur gjykatat kanë vendosur përfundimisht për një çështje nuk duhet të vihet në dyshim. Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe askujt nuk i lejohet të vërë në diskutim njohjen dhe vlerën e vendimeve apo të refuzojë zbatimin e tyre, pasi ato kanë marrë formë të prerë.” Pra, ju zonjë, nuk e keni tagrin të vini në dyshim dhe të mos zbatoni vendimet e formës së prerë të gjykatave, pasi bëni krim ligjor dhe duhet të përgjigjeni penalisht. Ndërkohë ju kërkoni, nëpërmjet informacionit tuaj të pasaktë (me apo pa dashje), të përfshini në këtë shkelje edhe Ministrinë e Drejtësisë, gjë e cila, mendoj, se nuk ka për të ndodhur. Të gjithë ata ushtarakë që ju përmendni në letrën tuaj, kane fituar gjyqin në të tre shkallët e gjykimit dhe institucioni që ju drejtoni, në vend t’i zbatojë ato vendime të formës së prerë, ka rifilluar gjyqet që nga shkalla e parë, me të njëjtat argumente antiligjore e antikushtetuese, sepse harxhohen leket e shtetit dhe jo të xhepit. Po, përsëri, të gjithë ata ushtarakë që ju i keni hedhur për herë të dytë apo edhe të tretë në gjykatë, i kanë rifituar gjyqet në shkallën e parë dhe në atë të apelit, por ju vazhdoni edhe në Gjykatën e Lartë për herë të tretë dhe kërkoni nga përmbarimi moszbatimin e vendimeve. Meqë ra fjala, unë jam njëri nga ata të cilët ju përmendni në letrën tuaj dhe që kam tre vendime të shkallës së parë, nga tre gjyqtarë të ndryshëm (dy nga të cilët për mospranim të ndërprerjes së veprimeve përmbarimore), dy vendime të Gjykatës së Apelit, nga dy trupa të ndryshme (njëri për mospranim të ndërprerjes së veprimeve përmbarimore) dhe dy vendime të Gjykatës së Lartë, njëri, për mospranim të rekursit për ndërprerjen e veprimeve përmbarimore dhe tjetri, për të lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe të apelit për vazhdimin e rillogaritjes së pensionit sipas ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996. Pra Gjykata e Lartë e ka mbyllur procesin tim për rillogaritjen e pensionit sipas ligjit nr. 8087, me vendimin e saj nr. 1458, datë 29.09.2011, ndërsa Gjykata e Apelit e ka mbyllur procesin e ankimimit të sigurimeve shoqërore me vendimin e saj nr. 217, datë 31.01.2012, duke lënë në fuqi vendimin nr. 2537, datë 01.04.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë. Pra unë e kam fituar këtë të drejtë dy herë dhe institucioni juaj nuk mund të ma tjetërsojë dhe të mos e zbatojë.
    Quo vadis zonja drejtoreshë, ku po të shpie ky veprim? Përse ky qëndrim i juaj me ushtarakët? Më vjen keq se i përkisni një partie, e cila kërkon, me të drejtë, të drejtat e saj në shtetin fqinj, ndërsa ju kërkoni t’ua mohoni ato bashkatdhetarëve tuaj këtu në Shqipëri, duke shkelur me të dy këmbët ligjet dhe vendimet e gjykatave të të katër shkallëve, pasi edhe Gjykata Kushtetuese ka dy vendime pozitive për problemin e pensioneve të ushtarakëve, vendimin nr.9, datë 01.05.2009 dhe vendimin nr. 33, datë 24.06.2010.
    Përse institucioni juaj nuk i merr zyrtarisht dhe të zbatojë vendimet e formës së prerë të gjykatave, por “ankohet” për përmbarimin, i cili e ka për detyrë të zbatojë vendimet e formës së prerë, kur ato nuk zbatohen nga institucionet përkatëse. Jeni ju dhe institucioni juaj me drejtoritë vartëse që lejoni shpërdorimin e fondeve, duke lejuar që një pjesë e tyre të harxhohet për zbatimin e vendimeve nga ana e përmbarimit. Kam më shumë se katër muaj që ju kam kërkuar takim, zyrtarisht, nëpërmjet një letre, por edhe nëpërmjet vartësve tuaj, pikërisht për të folur për këtë problem dhe mjaft probleme e shkelje të tjera që po konstatojmë në zbatimin e ligjit dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk më jeni përgjigjur ende zyrtarisht, por vartësit tuaj disa herë u kanë thënë bashkëpunëtorëve të mi se “jemi duke u përgatitur për takimin me Shoqatën”. Çfarë prisni apo të jepni goditje të pabesa ndaj ushtarakëve, duke keqinformuar edhe Ministrin e Drejtësisë?
    Si dhe unë, të gjithë ata ushtarakë që ju përmendni në letrën tuaj, i kanë vendimet e të tre shkallëve të gjykimit. Por ju edhe këtu, ashtu siç keni bërë deri tani, përmendni vetëm një pjesë, përfshi edhe mua si President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, duke menduar se “po goditem këta, e kemi më të lehtë me pjesën tjetër”, kuptohet atë pjesë që nuk është nga miqtë tuaj. E them këtë, pasi institucioni juaj, edhe në ndjekjen e shkallëve ligjore, edhe në rillogaritjen e pensioneve sipas ligjit nr,10142, bën dallime, sipas shkallës së njohjes, ku për kushte të barabarta ka trajtim të pabarabartë dhe keni bërë mjaft shkelje, për të cilat do të shkruaj në të ardhmen, duke qenë se ju nuk “keni kohë të na prisni” dhe të diskutojmë zyrtarisht.
    Zonja Braho, ndërsa po shkruaja këtë artikull, po ndiqja përfaqësuesin e BE-së zotin Ettore Sequi, i cili midis kushteve të tjera për t’iu bashkëngjitur Europës, përmendi edhe ndërtimin e një shteti ligjor dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave. Lind pyetja, a jeni ju për integrimin europian të Shqipërisë?
    Së fundi dua t’ju them se, ju, në atë detyrë, nuk jeni thjesht përfaqësuese e ekzekutivit, por edhe e partisë tuaj, e cila ka në emrin e saj “Drejtësi dhe Integrim”, të cilat ju nuk i justifikoni, përkundrazi. Çdo parti prandaj i vendos përfaqësuesit e vet në poste të ndryshme, jo thjesht për të përfituar për vete për të përçuar vijën, frymën dhe politiken e saj. Zbatoni, zonja drejtoreshë, ato ç’ka partia juaj shpall se përfaqëson.
    *President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë