Përse hesht Ministri i Shëndetësië z.Ilir Beqaj ?!!!

    450
    Sigal

    Javët e fundit një debat i madh është hapur në rang vendi ndërmjet bluzave të bardha, ndërmjet stafit akademik, politikanëve, deputetëve por edhe vetë në popull, për sa i përket testimit të bluzave të bardha. Ky debat masiv do të thoshim, ka një vlerë të madhe jo vetëm për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin masiv ndërmjet bluzave të bardha, por edhe për të kuptuar më mirë se çfarë po bëhet? Çfarë po bën ministri i Shëndetësisë për shëndetësinë, që përpara zgjedhjeve të 23 qershorit fliste me shifra dhe letra në duar, tabela krahasuese dhe shumë të tjera si këto. Një elokuencë shifrash që e bëri popullin dhallë, dhe menduam me të vërtetë se do të ketë sistem shëndetësie falas. Për hir të së vërtetës, këtë fakt që nuk do të ketë shëndetësi falas e dinin një pjesë e konsiderueshme, por duke menduar për ndonjë “mrekulli” disa edhe e besuan. Sepse sistemi shëndetësor universal ndryshon nga shëndetësia falas, për logjikën më të thjeshtë, sepse një makinë për të ecur nga pika A dhe për të shkuar në pikën B do minimumi të jetë makinë në gjendje pune, së dyti duhet të ketë karburant, së treti do të ketë shofer (patjetër që shoferi duhet të dijë të ngasë makinën, të dijë të njohë shenjat e qarkullimit rrugor dhe ti respektojë ato), në mënyre që të shkojë shëndoshë e mirë në destinacionin e duhur. Nisur nga sa thamë më sipër, tashmë z. Beqaj, ministër i Shëndetësisë, ka pothuajse dy vjet në krye të institucionit politik bërës të sistemit mjekësor në vendin tonë dhe ne si pjesë reale e sistemit shëndetësor, pra armata e bluzave të bardha, nuk shohim asnjë ndryshim, përveç disa lyerje apo mbjellje bari në oborr. Populli që çdo ditë shkon në këto institucione nuk shikon asgjë ndryshe, përveç se në disa raste kanë prishur ndonjë kioskë brenda spitaleve, apo ndonjë lyerje muri. Atëherë, çfarë reforme është bërë, çfarë platforme është ndjekur deri tani, çfarë rezultatesh ka dhënë deri tani? Sepse nuk po shihet asgjë, apo do të japin rezultate në vitin 2050 ?!!! Në vazhdim, për sa i përket “testimit” ne nuk kemi pasur, nuk kemi dhe as do të kemi frikë nga ndonjë testim profesional dhe akademik, sepse ne jemi rritur duke u testuar. Ne, bluzat e bardha kemi konkurruar për tu pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, kemi dhënë tërë ato provime, çdo sezon, vit, dhe në mbyllje kemi dhënë provimin e diplomës me komision shtetëror nga profesoriati i fakulteteve, pastaj kemi punuar, pastaj kemi dhënë konkurs, testim dhe jemi pranuar në specializime, pastaj kemi dhënë provime në specializime, pastaj kemi dhënë provim përfundimtar kur jemi specializuar, pastaj kemi marrë licencën, pastaj para disa viteve u vendos edhe provimi i shtetit për mjekët e rinj që mbaronin mjekësinë, pastaj jemi përfshirë në edukimin në vazhdim, pastaj kemi kryer kualifikime, specializime në vend edhe jashtë Shqipërisë, pastaj kemi konkurruar për një vend pune, pastaj ne testohemi çdo ditë me pacientin, me kolegët. Na ka shkuar jeta duke u testuar dhe na duhet të përditësohemi gjithnjë për të mbajtur të gjallë ëndrrën e dikurshme për të qenë pjesë e bluzave të bardha.

    Duke mos përjashtuar edhe ndonjë individ mes nesh, bluzave të bardha që i kanë kaluar këtij filtrimi, duke u “shkelur syri” nga lart, me dijeninë e të mëdhenjve, dhe këto ndodhin edhe në vendet me mjekësi të zhvilluara në perëndim, por ka struktura profesionale, deri në strukturat ku ata kanë penetruar dhe punësohen, ku në bazë të kornizës profesionale të ushtrimit të profesionit bëhet selektimi, pranohet edhe gabimi i sistemit të këtij seleksionimi, dhe pastrohen në mënyre graduale.

    Si përfundim, kërkohen përgjigje të këtyre pyetjeve:

    1. Me kë po i bën ministri këto reforma?

    2. Cilat platforma po ndjek?

    3. Cilin model po ndjek ?

    4. Çfarë stafi ka në ministri që po këshillohet, apo bord që po punon për këto reforma? Çfarë kapaciteti ka stafi i tij në ministri dhe me çfarë merite janë aty?

    5. A i ka mbuluar spitalet në rrethe dhe në rang vendi me specialistë dhe me infrastrukturë përkatëse si mjete diagnostikuese, trajtuese dhe ambiente?

    6. Çfarë po bën me vendet vakante që kanë konkurruar dhe nuk jep asnjë rezultat të konkurseve, ose bën zvarritje burokratike të problematikave përkatëse?

    7. A duhet ministria e shëndetësisë të bëjë emërimet në çdo nivel kapilar të sistemit tonë shëndetësor?

    8. Çfarë ka bërë dhe po bën për mjekët që kanë pasur kontrata me rrethet dhe i kanë thyer ato në mënyre abuzive ndër vite?

    9. Çfarë mjetesh ka parësori për tu përgjigjur kërkesave të kujdesit mjekësor e cilësor, a kane EKG, laboratorë, imazheri, apo mjete të tjera që ky staf mjekësor të punojë me kushte optimale për një diagnozë dhe trajtim me standarde evidence based?

    10. Çfarë lidhje ka ministri i Shëndetësisë me emërimet si shefa në qendrat terciare universitare spitalore? A ndodh kjo në ndonjë vend të botës ?

    11. A e di ministri i Shëndetësisë se çfarë provimesh, testimesh, kualifikimesh, certifikimesh, licencimesh bën një mjek ndër vite?

    12. A e njeh ministri i Shëndetësisë Autonominë e Profesionistëve të Mjekësisë dhe institucionet përkatëse si universitetet që diplomohen, apo Urdhri i Mjekut apo QKEV, a duhet ti emërojë ministri këto drejtues të këtyre institucioneve apo zgjidhen nga ne vetë bluzat e bardha, sikurse e ka tërë bota perëndimore?

    13. Përse zgjedhja e drejtorëve të spitalit bëhet me komanda nga kupola qeverisëse, me çfarë kriteresh zgjidhen këta drejtorë dhe u behët analizë për efiçencën e tyre në punë, rezultatet, dështimet dhe çfarë vendimesh janë marrë?

    14. Çfarë modeli është testimi në masë i tërë bluzave të bardha? I cilit shtet?

    15. A ndodh në ndonjë vend me demokraci dhe shtet ligjor, ku tërë bluzat e bardha i ka kundra ministri dhe akoma nuk del të përballet me ata në auditorë apo studio televizive?

    16. Përse nuk jep dorëheqjen ministri i Shëndetësisë, sikurse do të ndodhte në tërë botën?

    17. A kishte, apo ka parashikuar z. Ministër edhe ngritje pagash duke i barazuar ata me vendet fqinjë për bluzat e bardha në vend?

    Përse po mbrohet kaq shumë ministri i Shëndetësisë të korruptuar, të paafte dhe që nuk ka besimin e bluzave të bardha? A janë analizuar pasojat?

    Ne i kemi thënë JO testimit të bluzave të bardha në mënyrë masive.

    JO TESTIMIT TË ILIR BEQAJ!

    BEQAJ JEP DORËHEQJEN!

    Heshtja e z. Ministër nuk mund të largojë vëmendjen e shqetësimeve tona nga problematikat esenciale që ka sot shëndetësia dhe aq më tepër të lejohet ministri që të denigrojë bluzat e bardha.

    Ju falënderojmë!

     Kolegji Mjekëve Kirurgëve Shqiptarë