Përparim Kabo/ Realitet therës…

    354
    Sigal

    Sot më ndodhi diçka që dua ta ndaj me Ju miqtë e mi.

    Isha duke bërë pazarin tek tregu i perimeve diku pak më larg se shkolla “Vasil Shanto”. Tek hyja e dilja nga tregu për ti vënë gjërat në makinë, shikoja një grua në moshë e cila qëndronte tek hyrja. Jashtë tregut shesin në trotuar. Atje një grua shet vezë fshati. E pyeta: Ke vezë? Po – tha – kam 20 kokra. -Ja, një minutë – i thashë – sa t’marr diçka dhe erdha. Tek hyra, sërish gruaja që përmenda më lart më ndali gjithë edukatë duke më thënë: ” Më falni zotëri, një minutë”! -Po – i thashë, ndalova, hoqa kapelen dhe syzet.
    Mendova se qe dikush që më kishte lexuar diku apo më kishte parë në TV.
    -Ju dëgjova se do blini vezë, a ka mundësi që dy kokra të mi jepni mua, sepse ajo nuk shet dy kokra, ose 10 ose hiç! -Po – i thashë dhe një lëmsh m’u mblodh në fyt. I morra dhe i dhashë dy kokra dhe ngula këmbë për të mos ia marrë lekët. Ajo ngulte këmbë, jo.
    “Kam qenë mësuese”- më tha. Qafa qe rrudhur, fytyra e vyshkur dhe rrobat e vjetra dhe jo si për stinë, pantallona stofi blu me një bluzë të bardhë të trashë. E përqafova dhe ndjeva eshtrat në shpinën e saj. Mendova sa nxënës ka edukuar, ku janë ata sot? Dhe disa herë më përsëriti: Unë besoj në Zot!
    Ajo kishte sfidën e dy kokrave vezë fshati për vaftin e saj dinjitoz e të ndershëm.
    Iku dhe mendova se së paku nuk ia morra lekët, por se isha gabuar, ajo i kishte lëshuar mbi banak. E shihja tek ikte dinjitoze dhe u mallëngjeva… Dhe lëshova si pa vetëdije fjalët: Sa keq! Po shitësja më tregoi se ku jetojmë, kur mu drejtua me fjalët: Ç’e vret mendjen po oooo! Oh, mësuese, që s’ta mësova emrin, t’i puth duart me shkumës e më fal që nuk bëjmë atë që duhet dhe aq sa duhet… për njeriun!