Periferia e Durrësit, në prag urie mbi 2 mijë familje, bukë me listë

    395
    Sigal


    Largohen nga lista e ndihmës ekonomike edhe 316 familje të tjera

    Përveç qendrës dhe disa zonave të tjera të lagjeve qendrore, qyteti bregdetar nuk të ofron asgjë tjetër të bukur, duke e parë në aspektin e nivelit ekonomik dhe mirëqenies së shtresave të ndryshme të popullatës. Periferia pothuajse jeton e tkurrur, pa jetë, e papunë, e varfër, e mbetur pa përkrahje, por e mbushur me premtime kandidatësh. Rreth 2 mijë familjeve që sot në Durrës marrin edhe bukën me listë, u janë shtuar edhe 316 familje të tjera që deri para datës 3 tetor 2014, jetonin me ndihmën ekonomike prej 3 mijë lekësh në muaj. Tek shkon drejt ish-Kënetës ndesh në një tablo që as në ëndërr nuk e ke  parë. Porsa shkelje në zonën kënetore, syri dhe hunda të preknin kanale me ujërat e zeza, fytyra të zbehta  njerëz të moshave të ndryshme të ulur buzë avllive të barakave te tyre, të rreckosur dhe me fytyrë të përvuajtur nga uria e gjithçkaje. Tek takon banorët e asaj zona kënetore, në brendësi fshih katastrofën e saj. Takon burra e gra, pleq dhe të rinj. Farruku 53 vjeç kishte mbi 7 vjet që kishte zbritur nga veriu në zonën kënetore dhe kishte mundur të ndërtonte me ato pak para të kursyera një banesë, duke mbjellë në 10 metra katrore oborr disa rrënjë domate dhe ndonjë gjë tjetër. “Jam prej 5 vitesh  pa punë unë gruaja dhe 4 fëmijët e mi, ngjitur me mua ka banesën e tij vëllai, edhe ai si unë, pothuajse gjithë kjo zone shihet me syrin e keq, jemi të gjithë fukarenj veç ndonjërit që ka arritur të merret me ndonjë tregti apo punon ne Polici apo Ushtri, kam vite nuk i mbaj mend sa, që ushqimet i marr me listë”. Duke ecur disa hapa përpara takohem me disa burra të thyer në moshë, tek qëndrojnë mbi disa shkallë duke lidhur një tel elektriku. Mbi ne qëndrojnë të kryqëzuar qindra e qindra kabllo dhe tela të cilat nuk dihet se nga vijnë, por prej tyre merrnin energji elektrike me shumë rrezik, mijëra familje të asaj zone. Kaloj në disa rrugica të improvizuara, duke mbajtur me shami hundët, pasi kudo ndjehej era e fekaleve dhe mungesa e kanalizimeve. Këneta aktualisht është me një sipërfaqe prej 22.7 hektarësh, nga te cilat vetëm pak metra katrore kanë mbetur pa pushtuar nga ndërtimet me dhe pa leje. Duke hyrë në lokalet e lagjes, ndesh me disa banorë që nën flakën e kandilit dhe çakmakëve, mundohen të gjejnë emrat e tyre në fletoret e mbushura me lista të gjata emërore. Të gjithë marrin ushqime me listë- thotë pronari i lokalit Zefi. Vetëm tek ai merrnin ushqime dhe kryesisht bukën me listë mbi 1115 persona, qysh prej vitit 2010 deri sot. “I kam borxhlinj por edhe nuk e di a do t’i marr një ditë ato para, sepse këta janë të këputur të gjithë, megjithatë zemra nuk ma bën t’i kthej mbrapsht”,- thotë ai. Por duke ecur akoma përpara në këmbë takoj të tjerë dyqanxhinj, të cilët tek i pyes deklaruan rritjen e numrit të  borxhlinjve . Deri tek sheshi  ku në çdo fushatë zgjedhore mbahen mitingjet e partive, sipas llogarisë doli se, mbi 2 mijë familje në atë zone ushqeheshin me listë, dhe kjo vetëm në segmentin jugor të Kënetës. Faktikisht  atje  jetojnë  mbi  26 mijë  familje, të ardhura  kryesisht nga zonat veriore dhe juglindore te vendit dhe të vendosura fillimisht  sipas dëshirës, por që shumë shpejt ata e ndjenë nevojën e pasaportizimit dhe integrimit në jetën qytetare. Kjo e fundit sigurisht për ata mbetet akoma e largët, pasi atje mungon çdo gjë, infrastruktura, shkollimi, kujdesi shëndetësor, kujdesi dhe kujtesa  e shtetit, dhe aq më tepër sinqeriteti i atyre që çdo 4 vjet u premtojnë parajsën. Por çuditërisht  ata çdo 4 vjet afrohen në mitingje  brohorasin,  dëgjojnë  premtime  për t’u dhënë votën.

    Artur AJAZI