Për aq kohë sa dhunohen të drejtat e pronës në Himarë, Greqia të bllokojë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë!

    449
    Sigal

    Komuniteti Himarjot dhe Shoqata Bregdeti, përshëndesin vizitën, sot në Tiranë, të zv.kryeministrit grek Venizelos, njëkohësisht edhe kryesues i radhës i Presidencës  europiane. Komuniteti Himarjot dhe shoqata “Bregdeti”, gjen rastin të denoncojë veprime konkrete të qeverive shqiptare, në të gjithë këto 23 vite të pluralizmit politik, për moskthimin e qëllimshëm të pronave, të popullit himarjot dhe të Kishës Ortodokse që ai përfaqëson, e cila buron nga e drejta historike mijëra vjeçare e pavarësisë, autonomisë dhe e Venomeve të Himarës, si shprehje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, sot në Europën e bashkuar. Për gjithë këto vite, shteti shqiptar, jo vetëm ka aprovuar ligje, të cilat nuk kanë në themel një proces të drejtë trashëgimtar-legjitim, por ka mobilizuar një opinion dashakeqës ndaj Himarës, herë i shprehur me ndjenja retorike, për të favorizuar mafien dhe oligarkinë shqiptare, për grabitjen e pronave, me forma të ndryshme ligjore të tipit komunist: “Prona i takon atij që e punon”. Greqia, si kryesuese e radhës e Bashkimit Europian, por edhe si partneri më i afërt gjeostrategjik, ka përgjegjësinë të ndihmojë popullin Shqiptar, për rrugën drejt Europës, por njëkohësisht, nuk duhet të nënvleftësojë, procesin e demokratizimit ndaj detyrave që duhet të bëjë shteti shqiptar, në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut, ku mbi të gjitha, çështja e pronës në rajonin e Himarës, i ka kaluar të gjitha kufijtë e tolerancës. Nisur nga ky fakt, ne vërejmë me shqetësim të thellë, standarde të dyfishta të qeverive shqiptare, të cilat edhe ndaj përdorimit të pronës si produkt ekonomik dhe jetësor, për Himarën të aplikohen forma të dhunshme të konfrontimit të popullsisë me shtetin dhe institucionet e tij. Aktualisht, Policia e Shtetit, e cila është e interesuar të kryej arrestime spektakolare për fletëvolante të shpërndara në Himarë, po kryen njëkohësisht operacione shkatërrimi ndaj pronës private të banorëve autoktonë 3000 vjet në tokat e tyre, ndërsa paralelisht, po aprovon ligje për Shqipërinë, që me qindra mijëra godina, te ndërtuara mbi pronë të grabitur, t’i legalizojë falas. Mos regjistrimi i titujve të pronësisë nga OSBE, ka bërë që qeveria shqiptare, të nxjerrë akte qeveritare të jashtëligjshme, për të dubluar institucionin e regjistrimit legal, duke krijuar situatë tensioni dhe duke prishur pasuritë e banorëve autoktonë, në emrin e zhvillimeve bashkëkohore. Qeveria e mëparshme në bashkëpunim me Autoritetin Vendor, miratoi Planin e Zhvillimit të Bashkisë së Himarës, por ky plan, duhej të vihej në zbatim, pasi të regjistroheshin titujt e pronësisë, për të cilën është konstatuar se 95% e banorëve autoktonë, nuk e kanë, pasi nuk është bërë ky proces. Zgjedhjet parlamentare, sollën qeverinë e re, e cila ishte zotuar se do të kthente pronat e Himarës, me një ligj të veçantë për bregdetin, por në vend të saj, Ligji Komunist 7501, u shty për tre vite të tjera, si dhe u krijuan Agjenci Shtetërore duke fuqizuar institucione policore, në kundërshtim të autoritetit vendor. Komuniteti Himarjot dhe Shoqata Bregdeti, i kërkon presidencës europiane greke:

    1.Brenda gjashtë mujorit të kësaj presidence, qeveria shqiptare, të ndërmarrë iniciativën ligjore dhe të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese, për kthimin e të gjitha aseteve tokave dhe pasurive popullit të Himarës dhe bregut të detit.

    2. T’i kërkojë OSBE-së dhe BE-së, të kryejë transparencë të plotë, për bllokimin e procesit të regjistrimit të pronave në bregdetin Jonian, për të cilën vetë himarjotet edhe njëkohësisht si qytetarë europianë, janë taksapagues, të këtij procesi.

    3. Të bllokojë çdo tentativë që buron nga e drejta kushtetuese e komunitetit të vendosë për ndarjen e re administrative, pa dëshirën e tij.

    4.Qeveria shqiptare, të ndali format e asimilimit dhe të pushtimit, në emër të çështjes shqiptare kombëtare ndaj Himarës, duke krijuar agjenci dhe institucione, që bien ndesh me të drejtën e autonomisë vendore bazuar në Konventat e Këshillit të Europës, si dhe duke favorizuar herë me koncesione dhe herë me projekte zhvillimi të dyshimta, grabitjen e pronës nga oligarkët e Tiranës.

    Amb. Piro Andoni, Niko Nesturi, Stavri Marko