Pensionistët japin 10 % të pensionit, shërbim për numrin fiks

    377
    Sigal

    Albtelekom rrit me 30 % tarifën e pajtimit mujor. AKEP i ka dhënë dorë të lirë kompanisë monopol për shërbimin e telefonisë fikse

    Rritet tarifa e pajtimit mujor nga Albtelekom për telefoninë fikse. Tarifa e re hyri në fuqi në 1 qershor të këtij viti. Kështu, pajtimtarët familjarë nga 530 lekë që paguanin më parë, tani do të paguajnë 700 lekë. Për një pensionist që mban numër fiks, qoftë edhe vetëm në pritje, është i detyruar të paguajë 10 për qind të pensionit shërbim për numrin. Qeveria ka mbështetur në heshtje rritjen e tarifës së shërbimit nga ana e kompanisë turke Albtelekom. Ndërsa AKEP, me vendimet e saj, mesa duket, është kthyer në bashkëpunëtorin më të ngushtë të kompanisë monopol në vend për shërbimin e telefonisë fikse. Me aplikimin e tarifave dhe shërbimin jashtë çdo standardi, Albtelekom grabit qytetarët dhe për të arritur objektivat i vjen në ndihmë edhe qeveria përmes AKEP që firmos kërkesat e kompanisë. Ndërkohë që Albtelekom është vetëdeklaruar me fitim edhe me tarifën ekzistuese, ndaj nuk pse të sjellë rritje tarifash për përballim kostosh. Deri tani, Albtelekom nuk ka kryer asnjë investim shtesë për përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve të tij, për të cilët çdo ditë mund të gjesh pranë zyrave të kompanisë me ankesa për shërbimin, defektet, faturat mungesën e sinjalit. “Vendimi për rritjen e çmimit është bërë në kundërshtim me legjislacionin për komunikimet elektronike dhe postare, pasi për çdo ngritje çmimi është detyrim ligjor organizimi i seancave dëgjimore, ku paraqiten argumentet para grupeve te interesit dhe konsumatorëve, gjë që nuk ka ndodhur”, është shprehur për “Telegraf”, kreu i ZMK-së, avokat Altin Goxhaj. Ndërsa shton se “Nuk ka asnjë justifikim për rritjen e çmimit, përderisa nuk ka ndodhur një investim i ri, në dobi të konsumatorëve, i cili ka një kosto të shtuar dhe si pasojë kërkohet shkarkimi i kësaj kostoje të re në kurriz të konsumatorëve, si pasojë e një avantazhimi të ri të tyre”.

     Rritjet e njëpasnjëshme të tarifave

    Albtelekom ka rritur brenda 4 vjetësh me shpejtësi marramendëse tarifat e telefonisë fikse, veprim i cili ka shkaktuar jo pak reagime nga vetë qytetarët, të cilët janë duke parë operatorë të tjerë në këtë treg. Mjafton që operatorët e tjerë të sjellin oferta më të ulëta. Tarifat për familjarët janë rritur nga një vit në tjetrin e në rastet më banale edhe dy herë brenda të njëjtit vit. Tarifa për abonentët familjarë e telefonisë fikse nga muaji shtator 2008 deri 10 muaj më pas në Qershor të 2009-tës, ka pasur një tarifë mujore e cila është llogaritur në shumën 288 lekë të reja. Ndërsa tani nga qershori i këtij viti tarifa e shërbimit bëhet nga 530 lekë në 700 lekë. Pra, për një periudhë tepër të shkurtër kohore, tarifat janë rritur drastikisht në mënyrë banale nga Albtelekom.

     buzimet, ankesat e konsumatorëve

    Problemet me telefoninë fikse kanë qenë të përhershme dhe gjithmonë prezente nga ana e konsumatorëve shqiptarë. Ankesat e konsumatorëve janë të përqendruara rreth rritjes së tarifës mujore në 700 lekë për telefoninë fikse. Gjithashtu Albtelekomit i faturohen dhe ankesa të tjera, të cilat kanë të bëjnë me mungesën e faturës në familje, mungesa e informimit e në shumë raste qytetarët ankohen se paguajnë shërbimin telefonik, por pa marrë shërbimin e kërkuar, paguajnë për impulse të pakonsumuara, për më tepër edhe kur telefoni është pa sinjal, për arsye dhe defekte të vetë Albtelekomit. Por edhe pse këto ankesa ditë pas dite sa vijnë e shtohen, Albtelekom si institucioni përgjegjës për shërbimet e telefonisë fikse është treguar tepër indiferent për shqetësimet e konsumatorëve në kryeqytet.

     Mungesa e transparencës

    Shumë abonentë të Albtelekom nuk janë njoftuar në kohën e duhur për rritjen e tarifës së shërbimit, duke u gjendur përballë faktit të kryer. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar kompaninë monopol në shërbimin e telefonisë fikse, të punojë “në arë të vet”, duke penalizuar qytetarët shqiptarë. Edhe më parë Albtelekom është denoncuar për mungesën e transparencës. Qytetarët ankohen se kjo kompani ka mungesë transparence në mënyrën e faturimit të padetajuar të shërbimit të telefonisë fikse si dhe praktikën e kontratave të paqarta nga ana e Albtelekom, të cilat hartohen në favor të saj. Albtelecom është denoncuar dhe më herët nga Ministria e Ekonomisë (para 2 vjetësh) si përsëritës në praktikat e tij antiligjore në dëm të konsumatorëve shqiptarë, duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili në pikën 3 dhe 4 të nenit 40 parashikojnë: “Faturat për shërbimet e telekomunikacionit, shpërndarë konsumatorit, duhet të përmbajnë informacion të plotë për listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar”, si dhe “faturat e paraqitura konsumatorit, duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar”.

     Ja arsyet e rritjes së pajtimit mujor të “Albtelekom”

     Abonentët e “Albtelekom” këtë muaj janë përballur me rritjen e tarifës së pajtimit mujor për shërbimin e telefonisë fikse. Nga rreth 530 lekë, ky shërbim për abonentët familjarë kushton 700 lekë. Rritja e kësaj tarife lidhet me faktin që, qysh nga fillimi i këtij viti, çmimet me pakicë të operatorit më të madh të telefonisë fikse, “Albtelekom”, nuk janë më të rregulluara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). AKEP ka gjykuar se, në kushtet e tanishme të tregut, mundësitë për abuzim me pozitën dominuese janë minimale, për shkak të konkurrencës në rritje nga operatorët alternativë fiksë, por edhe nga ata celularë. Ky vendim i AKEP i ka dhënë dorë të lirë kompanisë Albtelekom, e cila tashmë bën ligjin në këtë treg, duke zhvatur konsumatorët shqiptarë. Edhe pse AKEP e quan të panevojshëm rregullimin e çmimeve me pakicë të shërbimit të telefonisë fikse, fakti që Albtelekom është dominant në këtë treg me rreth 300 mijë abonentë, e bën atë të jetë dhe të sillet si monopolist. Nëpërmjet këtij vendimi, rregullimi i tregut të telefonisë fikse do të bëhet sipas parimit: Jo më kontroll direkt mbi tarifat.

    Altin Goxhaj: 8 fakte që demonstrojnë veprimin e njëanshëm të AKEP, në dëm të konsumatorëve

     1. Vendimi për rritjen e çmimit është bërë në kundërshtim me legjislacionin për komunikimet elektronike dhe postare, pasi për çdo ngritje çmimi është detyrim ligjor organizimi i seancave dëgjimore, ku paraqiten argumentet para grupeve te interesit dhe konsumatorëve, gjë që nuk ka ndodhur.

    2. Nuk ka asnjë justifikim për rritjen e çmimit, përderisa nuk ka ndodhur një investim i ri në dobi të konsumatorëve, i cili ka një kosto të shtuar dhe si pasojë kërkohet shkarkimi i kësaj kostoje të re në kurriz të konsumatorëve, si pasojë e një avantazhimi të ri të tyre.

    3. Kompania nuk është me humbje që të sjellë përballim kostosh.

    4. Rritja e tarifës është një veprim i pastër antikonsumator, i kryer nga AKEP, në dobi të një kompanie, duke rënduar xhepin e konsumatorëve.

    5. Konsumatorët po kalojnë një situatë vështirësie të lartë ekonomike dhe rritja e kësaj tarife rëndon edhe më xhepin e konsumatorëve, në dobi të pajustifikuar të një privati.

    6. Vendimi është marrë në kushtet e një mungese të plotë transparence publike dhe nuk është shoqëruar me një relacion shpjegues për konsumatorët për arsyet që e shtynë në marrjen e këtij vendimi dhe që të bazohet në rrethana apo kushte të reja të pashpjeguara.

    7. ZMK ka reaguar për këtë çështje, në emër te konsumatorëve, por nuk ka pasur asnjë shpjegim publik në lidhje me këtë fakt.

    8. Jo të gjithë konsumatorët janë lajmëruar në kohë për këtë ngritje çmimi, duke mos u dhënë kohë të ndërmarrin masa ndërprerje të marrëdhënieve kontraktuale me këtë kompani.