PD-ja e ka një zgjidhje

268
Sigal

Analizë nga Gëzim Zilja, ish-kryebashkiak i Vlorës (PD): Sot PD-ja është një parti thellësisht totalitare dhe me probleme të rënda brenda saj, me kryetar të katapultuar i cili mblodhi rreth vetes njerëz të rëndomtë. Ja vargjet e famshme te Nolit që i shkon për shtat situatës së sotme në PD

Ka një shqetësim të madh në popull sesi do të dalë Shqipëria nga kolapsi i përgjithshëm ekonomik, politik, moral, e shpirtëror ku e ka gremisur rilindja. Kur qeveria kthehet kundër popullit të vet, kur reformat dështojnë njëra pas tjetrës, kur varfëria ulet këmbëkryq, kur pushteti mbërthehet nga oligarkët, në kokat e shumë shqiptarëve, zotëron mendimi se shpresa e vetme mbetet SHBA-ja dhe BE-ja. Tridhjet vjet kanë qeveritë tona nën kujdesin e Amerikës dhe Europës, por ne shohim përditë me pikëllim, që ato (qeveritë) janë njëra më antipopullore se tjetra. Drejtuesit e tyre sapo marrin pushtetin kthehen në diktatorë dhe grumbullojnë rreth vetes lloj-lloj kopukësh, hajdutësh, përtacësh e intrigantësh, që dale ngadalë shndërrohen në grabitës të mëdhenjë të arkës së shtetit. Kujdesi i Amerikës dhe BE-së është kusht i nevojshëm por jo vendimtar për të vendosur shtetin e së drejtës në Shqipëri. Demokracia nuk importohet, nuk dhurohet e nuk mësohet vetëm nëpër librat e akademikëve e filozofëve. Ajo lindë si nevojë e brendshme e një populli, që përpiqet ta vendosë e ruajë atë, e një populli që lufton të renditet në kombet me demokraci të zhvilluar. Shpresë e vetme për ndryshim në këto gjendje, është opozita. E kjo në Shqipëri mjerisht është shumë larg rolit të saj.

Sot PD-ja është një parti thellësisht totalitare dhe me probleme të rënda brenda saj. Në krye të PD-së ndodhet Lulëzim Basha i katapultuar dikur nga Sali Berisha. Me një të kaluar të diskutueshme, ai nuk shkëlqeu as si ministër transporti, as si Ministër i Jashtëm, as si Ministër i Brendshëm e aq më keq si Kryetar Bashkie i kryeqytetit. E megjithatë “babai” i vet politik i dhuroi në pjatë, një parti plot heronj, përpjekje dhe histori, në përmbysjen e diktaturës dhe ndërtimin e shtetit demokratik. Shumica e njerëzve, që Basha mblodhi rreth vetes, duke shkelur çdo ligj e rregull të statutit të PD-së, të lloit Salianji e Bardhi janë të rëndomtë, pa përvojë, pa vizion, intrigantë e ngatërrestarë, pa autoritet, të ardhur jashtë strukturave dhe pa u dalluar për ndonjë punë të hajrit andej nga vijnë. Njerëzit e emëruar, të pa votuar, sidomos të panjohur, baza e PD-së nuk i ka dashur as në kohën e Berishës dhe as në atë të Bashës. Ata kanë qenë e janë shkatërruesit e PD-së dhe përfituesit më të mëdhenj të saj. Sa i përket Berishës e kam thënë se kjo është betejë e tij dhe jo për demokratizimin e PD-së. Duket fare qartë, që ai po vepron vetëm, duke personalizuar gjithçka, me ca njerëz, që nuk duken gjëkundi dhe pa kurrfarë platforme demokratizimi. Në ”Foltoren” e Berishës mbizotërojnë militantët, njerëzit e thjeshtë e të ndershëm, kundërshtarë të betuar të Bashës e të rregjimit të Rilindjes, që kanë besuar e besojnë ende te lideri historik i tyre. Nuk janë parë në “Foltore,” njerëz të botës akademike, ish ministra, zëvendëskryeministra, drejtorë hipotekash e ALUIZNI etj, që e rrënuan qeverinë demokratike, duke vjedhur djathtas e majtas. Sot ata shijojnë vilat e as u bëhet vonë se ç’po ndodh me demokratët. Këta janë myqeremët e PD-së, që e ndiejnë erën e pushtetit ashtu si minjtë e gjirizeve erën e djathit, e vihen në krye të sofrës, kur PD-ja vjen në pushtet. Të habit qëndrimi i grupit parlamentar të PD-së. Nja dhjetë gjithsej deri tani, marrin pjesë në “Foltore,” sodisin e ikin pa thënë kurrgjë, duke na kujtuar thënien provebiale të presidentit Topi: Unë flas me heshtjen time. Jo më shumë se dhjetë të tjerë bëjnë iso për Bashën; pjesa më e madhe rrinë në llogore, duke matur shpejtësinë e erës në njërin apo tjetrin drejtim. Para një përplasjeje të pa evitueshme të dy grupeve, mbajtjes së një Kuvendi “jashtë Kuvendit” dhe marrjes së vulës së partisë me forcë, nga përkrahësit e Berishës, Partia Demokratike e ka një zgjidhje, që të mos përçahet, e të ruajë standardet demokratike.

Basha, duke vepruar si demokrat i vërtetë, duke menduar për Shqipërinë e jo për karrigen e vet si deri tani, në gjendjen e krijuar duhet të dorëhiqet nga kryetar i Partisë Demokratike. Ai duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme në PD, duke filluar nga baza deri në qendër, mbështetur në statutin e PD-së. Pas kësaj të zgjidhet një komision, me përfaqësues të dy grupeve kundërshtare, që të organizojë zgjedhjet e reja në parti sipas parimit bazë të demokracisë: një anëtar, një votë. Komisioni të shpallë një program të qartë mbi fazat dhe etapat (kjo do disa muaj) që do të kalojnë zgjedhjet, që nga seksionet, në grup seksionet e deri në zgjedhjet e kryetarëve e sekretarëve në rrethe. Ashtu si veprohet në kësi rastesh në botën demokratike, duhet dhënë dorëheqja e kryesive të vjetra dhe të krijohen bordet, që do të organizojnë zgjedhjet, ku kryetari i dikurshëm mund të jetë anëtar, por kurrsesi drejtues bordi. Gjithë atyre që e ndiejnë veten të aftë të drejtojnë strukturat e PD-së, duhet t’u krijohet mundësia, të konkurojnë në seksione e grup-seksione dhe t’u lihet kohë e mjaftueshme, të bëjnë fushatë për zgjedhjen e tyre. Anëtarët e PD-së kanë nevojë të flasin atë që mendojnë, të dëgjojnë e kuptojnë njëri-tjetrin dhe të zgjedhin me votë të lirë atë që duan.

Duke zbatuar statutin kryesitë e reja në rrethe zgjedhin delegatët për Kuvendin e Ri dhe ky zgjedh ( statuti i përcaton shumë mirë) me votë të lirë Kryetarin e PD-së kushdo qoftë ky. Kështu merr fund periudha e “njëshit,” e shabano- jeminëve dhe PD-ja kthehet në një parti me një kryetar të pranuar nga të gjithë anëtarët, parti që do të japë shpresë për ndryshime të mëdha në Shqipëri. Ndërkaq grupi parlamentar le të vazhdojë betejën e tij në parlament, kundër zullumeve të sektit Rilindas.

Sa i përket Berishës e Bashës, mendoj se kauza për një Shqipëri më të mirë vlen shumë më tepër se nderi i “njollosur” apo karrigia e kryetarit. Do t’u kujtoja gjithashtu katër vargje të Saadiut, thënë 1300 vjet më parë, në përkthimin brilant të Nolit: Nuk zihen kurrë dy mëndjeurtë/ As një mëndjeurtë dhe një mëndjehu/ Po në qënçin të dy mëndjebrirë/ Tërhiq e tërhiq, këputin zinxhirë.