Pasiguria ushqimore, një cikël i mbyllur nga titullarët e institucioneve shtetërore

    406
    Sigal

    Falsifikimi i produkteve ushqimore, krimi më i pandëshkuar në vendin tonë

    Konsumatorët shqiptarë blejnë me para çdo ditë rrezikun e shëndetit të tyre nga ushqimet e pakontrolluara që qarkullojnë në tregun tonë. Asgjë nuk kontrollohet në treg, ndërsa çdo ditë cenohet siguria jonë ushqimore. Autoritet përgjegjëse për kontrollin e cilësisë së ushqimeve e kanë situatën jashtë kontrollit, pasi konsumatorëve u shiten produkte ushqimore jashtë standardeve, apo që u falsifikohen datat e skadencës. Çfarë bën Ministria e Bujqësisë, po drejtorët përkatës të institucioneve të kontrollit ushqimor? Vetëm tre ditë më parë u denoncua një fabrikë qumështi e cila abuzonte në këtë formë me kosin e frutave, apo djathin e ambalazhuar. Të tilla produkte hyjnë lehtësisht në treg, madje edhe në supermarkete ku presupozohet që çdo produkt të jetë kontrolluar imtësisht. Konsumatori shqiptar mashtrohet duke i cenuar edhe shëndetin dhe këta falsifikatorë, edhe kur kapen nuk marrin dënimin e merituar. Por cikli nis dhe mbyllet nga vetë titullarët e institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore. Janë ata që sjellin plehra nga jashtë për t’i përpunuar këtu dhe për t’i bërë ushqim për gjedhët dhe bagëtitë, nga të cilat përveçse mishit marrim dhe produkte të tjera të kontaminuara nga ushqimi i tyre. Ndaj nuk ka si të kontrollohet një cikël i mbyllur nga vetë titullarët e institucioneve të cilët janë verbuara nga milionat që u sjell “biznesi” me shëndetin e shqiptarëve. Përsa kohë këta “biznesmenë” drejtojnë institucionet përgjegjëse për cilësinë ushqimore, qytetarët shqiptarë do të rrezikojnë shëndetin e tyre dhe asnjëherë nuk do të kemi të akuzuar dhe për më tepër të ndëshkuar.

    Mallrat ushqimore të importuara

    Është e çuditshme kur sheh se produkte të cilat janë më shtrenjtë në vendet tona fqinje (mund të shohim më qartë tashmë, falë lëvizjes së lirë), shiten më lirë në tregun shqiptar. Kështu, një kruasan që vjen nga Greqia këtu shitet 60 lekë, ndërsa në Greqi 100 lekë (70 cent). Si mundet që në vendin e origjinës të jetë më shtrenjtë se në një vend tjetër, kur mallit i shtohet vlera e rrugës, taksat e tarifat përkatëse? Specialistë të ushqimit bëjnë me dije se në vend qarkullojnë produkte të falsifikuara si dhe ushqime të skaduara. Shumë nga artikujt ushqimorë nuk kanë datën e prodhimit, por vetëm atë të skadencës. Madje agjentë shitës që punojnë në firma private shprehen se në tregun shqiptar hyjnë dhe shiten produkte që janë shumë afër ditës së skadencës. Ndaj hidhen dyshime të forta se produktet që futen në Shqipëri janë të mbetura në tregjet rajonale dhe me një etiketim të falsifikuar shiten në vendin tonë. Në kuadër të sigurisë së mallrave të importuara, sidomos atyre ushqimore, është e nevojshme të ushtrohet një kontroll më i rreptë në doganat shqiptare si dhe duhet një investim më i madh në laboratorët doganore, ku analizohen produktet që hyjnë në tregun shqiptar. Shumë shpejt gazeta “Telegraf” do të vijë me një intervistë me nëndrejtoren e Doganës, pikërisht në lidhje me këtë problem.

    Produktet e mishit

    Mishi dhe produktet e tij, apo dhe peshku janë gjithashtu ushqime të cilave nuk u dihet origjina dhe për më tepër tregtohen jashtë të gjitha normave higjeno-sanitare. Vetëm disa ditë më parë u sekuestruan 2,7 kuintal peshk që tregtohej jashtë kushteve higjeno-sanitare. Madje, madje nuk dihet se nga vjen dhe çfarë lloj peshku është, edhe pse burimet ujore nuk mungojnë në vendin tonë. Burime të sigurta bëjnë me dije për “Telegraf’ se peshku i kapur nga peshkarexhet shqiptare ndërrohet në mes të detit me peshk kushedi sa vjeçar, të qelbur frigorifereve të botës. Ndërsa mishi që shitet në tregun tonë, kryesisht hyn nga Maqedonia apo nga vende të largëta të Amerikës Latine (Brazili), edhe pse nevojat tona mund të përballohen me prodhim vendas, i cili gjithashtu nuk mund të konsiderohet si i sigurt, pasi ushqimi i tyre, therja, tregtimi apo përpunimi është larg standardeve që garantojnë cilësinë. Për më tepër, flitet se një tjetër biznes, të cilin e bëjnë titullarë në ministrinë përkatëse, po lulëzon në vendin tonë. Thuhet se të brendshmet e bagëtive vijnë nga jashtë, gjoja për t’u përpunuar si lëndë e parë për industrinë fasone, por që në të vërtetë përfundon si ushqim për shpezë e bagëti, duke mbyllur kështu ciklin e produkteve të mishit në vend. Pak ditë më parë, është zbuluar gjithashtu një magazinë frigoriferike pranë Tiranës, ku produkteve me origjine shtazore iu ishte falsifikuar data e skadencës.

    Produkte ushqimore të ricikluara

    Burime të sigurta tregojnë për “Telegraf” se shumica e ushqimeve të skaduara tërhiqen nga vetë kompanitë e prodhimit, të cilat i riciklojnë dhe i hedhin prapë në treg. Ky përbën skandalin e radhës, përsa i përket sigurisë së konsumatorit, pasi siç thuhet, kjo punë e kompanive nuk monitorohet nga askush, apo nuk bëhet nga kompani të licencuara për riciklim. Pra, nëse sallami, për shembull, i prodhuar nga X kompani skadon, prishet, atëherë firma prodhuese e tërheq nga tregu, e ripërpunon dhe e hedh përsëri në treg. Norma e fitimit për këto kompani është shumë më e rëndësishme se jeta e konsumatorëve që e konsumojnë produktin, por mesa duket edhe më e rëndësishme se vetë reputacioni i firmës. Ndërsa shteti shqiptar verbërohet dhe shurdhohet përpara këtyre fakteve.