Pasaportat e reja biometrike për të lindurit në Greqi do të shkruajnë vendlindje GRC

    1079
    Sigal

    GREQI/ Vendlindja e plotë e të lindurve në Greqi do të shënohet vetëm në certifikatën për përdorim jashtë Shqipërisë.

    -Dokumentet e kërkuara janë:

    -Çështja e toponimeve për dy shtetet, Greqi e Shqipëri, quhet e mbyllur, marrëveshja është në fuqi, fëmijët NUK DO TË BLLOKOHEN MË NË KUFI. Pasaportat e reja biometrike janë mëse të pranueshme nga pala greke, ndërkohë që nuk pritet asnjë problem në ditët e para të vitit të ri, nga oficerët e kufirit grek. -Pasaportat e reja biometrike për të lindurit në Greqi do të shkruajnë vendlindje GRC (të lindurit në SHBA do të kenë USA e kështu me radhë). Vendlindja e plotë do të shkruhet vetëm tek shtetasit e lindur në Shqipëri

    -Vendlindja e plotë e të lindurve në Greqi do të shënohet vetëm në certifikatën për përdorim jashtë Shqipërisë. -Faturat e blera në vitin 2014 në bankën e Pireut –paravolo- vlejnë gjatë gjithë vitit 2015, zgjidhja do të jepet në konsullatë, por emigrantët në asnjë mënyrë nuk do humbasin paratë e depozituara, thjesht do shtojnë 22 euro. -Aplikimet bëhen në bazën e listës paraprake, me ditë e orare të caktuara. Prioritet kanë të ardhurit nga larg, ndërkohë që kërkohet shërbimi i të gjithë qytetarëve gjatë këtyre ditëve, pa kthyer asnjë prej tyre, duke punuar me orë të zgjatura. Çdo operator kryen rreth 50 aplikime në ditë, shifër që është dyfishi i së lejuarës apo të arritur deri më sot për sistemin e funksionimit.

    -Dokumentet e kërkuara janë:

    1. Pasaporta ekzistuese e fëmijës (biometrike)

    2. Një certifikatë familjare të gjashtëmujorit të fundit (pa vula nga MPJ, ambasada greke, për të identifikuar gjendjen familjare dhe prindërit e fëmijës). Duhet të dini se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është në proces për t’i rregulluar vetë toponimet, si p.sh. “Selanik” Greqi në “Thesaloniki GR”. Ky proces kërkon pak kohë akoma, por çdo qytetar i interesuar mund të kërkojë pranë zyrës përkatëse të gjendjes civile të pajiset me certifikatë për jashtë shtetit sipas toponimeve të rregulluara.

    3. Pagesë prej 108 (+2,5 komision bankar) euro në bankën e Pireut në nr. llogarie 5053 052 306 404

    4. Për të mbyllur takim mund të kontaktoni në nr. tel 210 68 76 216

    5. Është e detyrueshme prania e fëmijës me njërin nga prindërit.

    -Pas muajit Janar të vitit 2015, për shkak të shtimit të elementeve të reja të sigurisë të pasaportës, tarifa e aplikimit të pasaportave do të jetë 130 euro.

    -Ata shtetas që janë paraqitur një herë për të aplikuar dhe kanë marrë kuponet e aplikimit në zyrën konsullore (kuponi blu dhe jeshil) duhet të paraqiten para datës 31.12.2014, pasi ata dalin të pavlefshëm pas kësaj date.

    Numri i rezidentëve të huaj në Shqipëri (8.330 në vitin 2013), i papërfillshëm me shqiptarët që jetojnë jashtë  mbi 1,4 milionë

    Shqipëria vazhdon të prodhojë emigracion

    Edhe pse rritet numri i rezidentëve të huaj në Shqipëri (8.330 në vitin 2013), ai mbetet i papërfillshëm krahasuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të tyre, mbi 1,4 milionë. Ja shifrat e raportit “Profili i zgjeruar i migracionit, 2013”

    – Është kthyer në modë tashmë, veçanërisht këtej Adriatikut, të flitet për Shqipërinë të kthyer në “tokën e premtuar e italianëve”. Nga shkrimet e mediave, të bazuara edhe në ndonjë deklaratë të pambështetur në shifra reale e ndonjë ministri shqiptar, duket se në Shqipëri ka nisur një vërshim të huajsh – italianë në veçanti – që po e kthejnë vendin nga një vend emigracioni në një vend imigracioni. Është vërtet kështu? Jo. Më saktësisht, është e vërtetë që numri i të huajve rezidentë në Shqipëri është rritur kohët e fundit, por ai mbetet i pallogaritshëm në krahasim me shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Madje nuk janë të paktë as ata që akoma dëshirojnë të largohen, e prova e drejtpërdrejtë ishte ngjarja e Vlorës e javës së shkuar kur, me mashtrimin se vende të BE-së po jepnin azil politik për shqiptarë, qindra vetë u dyndën në port. Më 22 dhjetor në Tiranë u prezantua një raport i ministrisë së Brendshme dhe Organizatës ndërkombëtare për Migracionin (IOM) mbi “Profilin e Zgjeruar të migracionit në Shqipëri”, shifrat e të cilit janë interesante e flasin qartë: Shqipëria mbetet vend që prodhon emigracion, edhe pse vitet e fundit vërehet një rritje e ndjeshme në përqindje, por akoma thuajse e papërfillshme në shifra, e imigrantëve në Shqipëri (8.330 në vitin 2013).

    **************************************

    Dilema/ Do të lejohet dyshtetësia në Gjermani?

    Emigrantët shqiptarë nuk mund të kenë dy shtetësi

    Kush jeton në Gjermani dhe kërkon të marrë shtetësinë gjermane duhet të heqë dorë nga shtetësia e mëparshme. Por ka përjashtime dhe probleme, prandaj duhet të lejohet dy shtetësia

    Qytetarët gjermanë nuk mund të kenë dy pasaporta, argumentojnë edhe sot politikanët e CDU. Partia e Kancelares gjermane Angela Merkel ka miratuar ligjin që nuk lejon dy shtetësinë. Social-demokratët dhe të Gjelbrit gjatë qeverisjes së tyre në vitin 2000 u përpoqën të modernizojnë ligjin e vitit 1913 “Perandoria dhe Kombësia”. Të huajve duhet tu bëhej më e lehtë marrja e shtetësisë gjermane dhe të kishin mundësi të mbajnë dy pasaporta. Reforma solli disa ndryshime: sot brenda një periudhe kohore prej 6 ose 8 vitesh mund të marrësh shtetësinë gjermane, në ndryshim nga 15 vite që ishte më parë. Por pjesa e ligjit që lejonte dy shtetësinë nuk u aprovua nga Kristiandemokratët, që në atë kohë ishin më të shumtë në numër në Këshillin Federal. Për shembull ka shumë njerëz që vijnë nga jashtë, të cilët nuk duan të heqin dorë nga shtetësia e tyre e mëparshme. Të drejtën për të pasur dy shtetësinë e kanë 3 milion gjermanë me prejardhje nga ish Bashkimi Sovjetik, fëmijë me prindër amerikanë dhe të gjithë emigrantët nga Bashkimi Europian. Të gjithë emigrantët e tjerë nga vendet jashtë BE, duhet të zgjedhin shtetësinë. Në veçanti e vështirë është për fëmijët me prindër emigrantë të lindur në Gjermani. Deri në moshën 18-vjeçare ata kanë shtetësinë e prindërve të tyre dhe atë gjermane. Më pas mes moshës 18 dhe 23 vjeç duhet të zgjedhin nëse do të zgjedhin shtetësinë gjermane. Por sërish duhet të presin disa muaj derisa të verifikohet në shtetet e tjera nëse ata kanë hequr dorë nga shtetësitë e tyre. “Kur dikush nuk ka vendosur për shtetësinë deri në moshën 23 vjeçare atëherë humbet automatikisht mundësinë për të pasur shtetësinë gjermane”, thotë në një intervistë për Dojçe Velen Susanne Worbs nga Zyra për Migracionin dhe Emigrantët. Një studim i autoriteteve tregon se shumë të rinj nuk i dinë këto etapa burokratike. “Nëse nuk i bëjnë në kohë këto veprime, atëherë disa persona mund të kenë të nevojë të aplikojnë për një leje qëndrimi”. Për shkak të këtij fakti Susanne Worbs, thekson se nuk duhet të neglizhohet me afatet kohore. Problemin më të madh me dyshtetësinë e kanë pjesëtarët e komunitetit më të madh të emigrantëve në Gjermani, ata me rrënjë turke. Vendi i tyre nuk është ende pjesë BE. Shumë prej tyre të lindur në Gjermani, ankohen për faktin se u duket sikur u hiqet diçka nga kultura dhe atdheu i tyre. Atyre u duket e padrejtë që emigrantë nga vende të tjera mund të kenë dy pasaporta dhe ata jo. Por nga ana tjetër ata preferojnë të zgjedhin pasaportën gjermane për shkak të të drejtave që u garantohen më pas dhe mbrojtjen diplomatike në të gjithë botën si gjermanë që janë. Nga ana tjetër sjell probleme në Turqi, sepse nuk mund të ushtrojnë disa profesione, kufizime në tregun e punës dhe probleme me trashëgiminë. Serkan Tören, deputet i partisë FDP në Bundestagun gjerman, është më prejardhje turke dhe prej disa vitesh ka vendosur të jetë gjerman. “Papritur bëhesh pjesë e shoqërisë ku jeton. Kjo për mua është shumë e rëndësishme”. Serkan Tören donte patjetër të bëhej pjesë e politikës. Por sipas tij mundësia e zgjedhjes që u jepet emigrantëve nuk është e mirë. Ai është i mendimit se emigrantët dhe fëmijët e tyre duhet të kenë dy shtetësi. “Shumë vende të tjera në botë e lejojnë një gjë të tillë. Nëse ne duam të tërheqim emigrantë të kualifikuar në Gjermani, atëherë duhet të lejojmë dy shtetësinë“, thekson ai. Këto politika të hapjes së dyerve janë tipike për Liberalët, të cilët mbështesin dy shtetësinë. CDU dhe CSU, partnerë në koalicionin qeverisës kanë një marrëveshje për të riparë edhe njëherë rregullat aktualë. Zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtë do të tregojnë nëse FDP do të vazhdojë presionin e saj politik. SPD, të Gjelbrit dhe të Majtët në rast të një fitoreje do të kërkojnë ligjin që lejon dy shtetësinë. “Herët a vonë rregullat aktuale do të ndryshojnë, sepse janë thjesht jashtë kohe“, thotë Jens Schneider, studiues migracioni në Universitetin e Osnabrückut. Ai ka frikë se shumë nga ata që nuk mund të kenë dy shtetësi do të shkojnë sërish në vendet e tyre. “Ligji i shtetësisë ka një fuqi të madhe shpërthyese”, vazhdon Schneider. Sipas studimeve të tij aplikimet për natyralizim në Vestfailinë e Rinit Verior kanë rënë me 40 %. Kjo tendencë në rënie është vënë re edhe në lande të tjera gjermane.