Panairi i Librit Tirana 2018/ Pallati i Kongreseve nga data 14-18 Nëntor hap dyert për lexuesit e librit. Ja tre shtëpitë botuese dhe shkrimtarët më të preferuar në ditën e parë

1123
Sigal

Libri “Muzgjet e Bostonit” nga Vojsava Nelo

Vojsava Nelo lindi në Delvinë dhe jeton në Tiranë. Fillimet e saj letrare nisin në adoleshencë, kur fillojnë dhe publikimet e para në gazetat dhe revistat e kohës. Në vitet universitare boton librin e parë, “Kur çelin ëndrrat”, poezi, 1977. Libri u mirëprit nga kritika, duke i hapur rrugën e gjatë të krijimit letrar. Po në këtë vit u pranua anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe në vitet 1979-1991 është kryetare e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Skraparit. Në vitet 2003-2005, u zgjodh anëtare e Këshillit Drejtues të RTSH. Në rrjedhë të viteve do të botojë librat me poezi: “E qeshur”, 1993, “Mbretëroj”, 1995, “Idil në dy akte”, 1997, “Benvenuta Artemida”, (shqip-italisht, 2001), “Tretur tek puthja”, (lirika për dashurinë), 2004, “Gërsheti i prerë“, 2010, “Muzgjet e Bostonit”, poezi, 2018. Vojsava Nelo është përcaktuar nga kritika, personalitete të letërsisë dhe artit shqiptar, si një poete origjinale, e vërtetë. Poezia e saj është një poezi e bukur, e ndier, me një ngarkesë të madhe emocionale; një poezi shumë shpirtërore, e ngrohtë dhe e komunikueshme. Poezia e Vojsavës shpesh konsiderohet “si një këngë e bukur për dashurinë dhe dhimbjen”. Me poezinë e saj është realizuar mbrëmja poetike-teatrore, “EJA TË DUHEMI”, vënë në skenë nga Teatri Metropol, me interpretimin e artistëve më të mirë të skenës dhe kinematografisë shqiptare, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, 21 mars, 2012. Vojsava Nelo ka marrë pjesë në disa takime e aktivitete poetike kombëtare, ballkanike e ndërkombëtare, duke u përfshirë në antologjitë përkatëse si në Greqi, Kosovë, Maqedoni, Rumani, Itali, SHBA, dhe së fundi, në Francë, Sete. Është ndër ata autorë që mban lidhje intensive me lexuesin e saj, brenda dhe jashtë vendit.

Dritëro Agolli

Vojsava Nelo është një poete e talentuar, një nga poeteshat e reja që vinte në poezinë shqipe ne vitet ’70. Që atëherë më ka bërë përshtypje ndjeshmëria e thellë që mishëronte. Më vonë, me botimin e librave, do të vihej re gjithnjë e më qartë se poezia e saj është poezi e një femre delikate; e brishtë, e ndjeshme; një poezi që del nga shpirti. Një poezi transparente, e bukur, me nivel të lartë artistik dhe plot muzikalitet. Krijimtaria e saj në vijim, vërtetoi atë mendim që pata që në krye, se Vojsava Nelo ishte një poeteshë e vërtetë, origjinale, e veçantë. Ka identitetin dhe figuracionin e saj, metaforat dhe mjete e tjera artistike. Nuk përzihet libri dhe emri i saj si autore me emra të tjerë. Poezia e saj është spontane dhe të kujton atë që thotë Tolstoi, shkrimtari gjenial i shek. XIX, “Krijimtaria është si teshtima, që kur të vjen, nuk e mban dot”. Dhe Vojsavës i vjen për të shkruar dhe shkruan poezi siç e ndjen, siç e përjeton nga shpirti.

Fadil Kraja, shkrimtar, dramaturg

Sa herë e sjell në kujtesë, mrekullohem se si shpërthyen në vitet 1973-1977 një plejadë studentësh, poetësh dhe poeteshash aq të talentuar, që tanimë kanë bërë emër dhe radhiten me meritë në antologjinë e poezisë më të ndritshme aktuale shqipe. Mes këtyre studentëve të shkëlqyer, mes këtyre talenteve, zë vend, në krye të listës, një vajzë e bukur, e gjallë, dhe shumë e talentuar, Vojsava Nelo. Shumë vajza, shkruanin e shkruajnë poezi, por, shumicës nuk ua dëgjoj më zërin. I merr me vete vorbulla e halleve të jetës. Të rralla janë ato që i qëndrojnë kohës dhe nuk ka rrebesh që ua shuan nga shpirti poezinë. Një ndër to është Vojsava. Në kujtimet e mia, ish-studentja ime, Vojsava Nelo, ka ngelur siç ngel pranvera në zemrat tona: poezi e fytyrës dhe e shpirtit.

Prof. Dr. Josif Papagjoni 

Vojsava Nelon apo poetja e ngrohtë e Jugut, siç jemi mësuar ta quajmë shpesh, e njoh që në vitet ’70. Ishte një poete e re, e butë, e brishtë, e çiltër sa dhe e bukur. Që në botimet e para në poezinë e saj dalloje ndjenjën e thellë, intensitetin emocional, lirikën e bukur. Poezia e Vojsavës nuk është vështirë të dekodohet; është e tejdukshme. e rrokshme qysh në shqiptimin e parë. Poetja Vojsava Nelo vuan brengat e njeriut. Në poezinë e saj ndihet një shpirt i ngarkuar nga vuajtjet e botës. I dhemb fati i tjetrit, fati i botës. Vojsava vetë është një shpirt dhe një qenie e mbushur me dashuri. Poezitë e saj janë vërtet me një ndjenjë të bardhë, ku gjithçka duket si në përtej-jetë, kur dhe ku të gjithë ne, nuk kemi më nevojë të shtiremi e të “luajmë” teatrin e keq të jetës dhe marrëdhënieve me njëri-tjetrin. Ndërsa lexon poezinë e Vojsavës, apo e dëgjon të recituar, nuk mund të mos ndiesh fëshfërimën lirike të një shpirti të bukur gruaje poete, dhe letërsinë shqipe, ku prehet ky shpirt.

Besnik Mustafaj prezanton librin e tij të ri “Letrat e mia kredenciale”

Shkrimtari, poeti e diplomati Besnik Mustafaj promovoi ditën e djeshme  librin e ri “Letrat e mia kredenciale”- Në një rrëfim me Arta Markun. Ky libër u prezantua në kuadër të panairit të librit që po zhvillohet gjatë kësaj jave në kryeqytet. Prezantimi i librit u bë në stendat e shtëpisë botuese “Toena” në Pallatin e Kongreseve.

Ribotohet libri “Skënderbeu – Një histori politike”

Me rastin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, në kuadër të 550-vjetorit të heroit kombëtar shqiptar, ribotohet libri “Skënderbeu – Një histori politike” me autor Aurel Plasarin. Libri “Skënderbeu – Një histori politike” është vlerësuar, më 2018-n me Çmimin Shkencor Ndërkombëtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për studimet më të suksesshme për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, në vitin mbarëkombëtar kushtuar figurës dhe epokës së tij. Ky libër vjen për publikun shqiptar nga shtëpia botuese “IDK”.

 

Hapet në Pallatin e Kongreseve, nga 14-18 Nëntor, Panairi i Librit, Tirana 2018

Për të gjithë dashamirësit e librit, Tirana është kthyer në kryeqendrën e dijes, kulturës dhe artit të shkruar. Me qindra tituj librash politik, romane, tregime, poezi dhe libra për fëmijë do të jenë në dispozicion të lexuesve. Botuesit dhe shoqatat e tyre, që në ditën e parë të hapjes së panairit ngritën shqetësimin për një mbështetje më të madhe nga ana e shtetit dhe, sidomos, të ministrisë së Kulturës. Ndoshta pagesat e ambienteve dhe taksat e larta të aplikuara për ambientet me qira të tyre janë një shqetësim i përvitshëm, për shkak të çmimit të ‘kripur’. E me gjithë këto shqetësime dhe probleme, pjesë edhe e krizës së madhe që ka mbërthyer lexuesin dhe librin, me qindra qytetarë kanë mbërritur dje në hollin e Panairit të Librit 2018, në Pallatin e            Kongreseve. Në mbrëmje të ditës parë bëhen edhe bilancet e preferencave dhe tre ishin shtëpitë botuese që kishin edhe vizitorët më të shumtë në stendat e tyre.

Shtëpia Botuese Argeta LMG

Botimet Bota Shqiptare

Shtëpia Botuese “Morava”