Padrejtësitë që po u bëhen tetraplegjikëve, nuk kanë fund, pa lekë për disa muaj

    418
    Sigal

    INTERVISTA/Flet kreu i Shoqatës së Invalidëve Para e Tetraplegjikëve, Bajram Tirana, për kërkesat e kësaj kategorie

    Kategoria e para dhe tetraplegjikëve të Shqipërisë, nuk kanë marrë lekët prej një periudhe kohore prej dy apo tre muajsh. Këto vonesa janë bërë nga qeverisja vendore me qëllim sipas kreut të Shoqatës së Invalidëve Para e Tetraplegjikëve, Bajram Tirana. Duke folur në një intervistë për “Telegraf” në lidhje me këtë problem zoti Tirana, është shprehur se: “Ka dalë një vendim qeverie që para tre muajsh që personat që futën në kategorinë e tetraplegjikëve do të subvencionohen me njëzet mijë lekë të vjetra, energjinë, telefoninë dhe transportin”. Por kjo kategori ka dhe një sërë problemesh të tjera, që janë bërë më të dukshme me ndryshimin e ligjit për statusin e invalidëve, para dhe tetraplegjikët. Heqja e rimbursimit të energjisë elektrike në masën 80 për qind, impulseve të telefonisë fikse dhe rimbursim të transportit urban dhe ndërqytetës, po e bëjnë edhe më të pamundur jetesën e invalidëve.

    -Zoti Bajram, para dhe tetraplegjikët prej disa muajsh nuk kanë marrë lekët që u takojnë. Cilat janë arsyet që nuk i kanë marrë këto lekë kjo kategori?

    -Po është e vërtetë që prej më shumë se dy muajsh ka pasur probleme në disa rrethe të Shqipërisë me kategorinë e tetraplegjikëve, pasi nuk u është dhënë pagesa mujore që ato marrin si pasojë e kategorisë në të cilën bëjnë pjesë. Po ashtu i njëjti problem është edhe për kujdestarët e tyre, pasi as për kujdestarët nuk janë dhënë lekët. Kjo është bërë për shkak të neglizhencës së punonjësve të bashkive dhe komunave. Po ashtu kjo po bëhet edhe për disa arsye tjera, që janë pagesa për energjisë elektrike, transportin dhe telefoninë.

    -Mund të na thoni më konkretisht çfarë lidhje ka pagesa e energjisë, transportit dhe telefonisë, më mosdhënien e pagës mujore që marrin kjo kategori?

    -Ka dalë një vendim qeverie që para tre muajsh që personat që futën në kategorinë e tetraplegjikëve do të subvencionohen me njëzet mijë lekë të vjetra, energjinë, telefoninë dhe transportin. Por kjo nuk është zbatuar pasi personat e kësaj kategorie nuk i kanë marrë lekët, që nga dalja e këtij vendimi.

    -Sa është afati kohor i saktë nga informacionet që ju keni që nuk janë marrë lekët nga personat që futen në këtë kategori?

    -Sipas informacioneve që kemi në disa rrethe të Shqipërisë kanë kaluar edhe dy muaj që personi dhe kujdestari i tij nuk e ka marrë pagesën që i takon. Kjo bëhet besoj edhe nga neglizhenca në komuna dhe njësi bashkiake. Pasi këto merren me shpërndarjen e lekëve dhe fondi kur lëvrohet bëhet për të tërë njësoj, por në disa vende kjo nuk është bërë. Por kjo ka të bëjë më shumë me atë subvencionimin që duhet bërë prej 20% për këtë kategori.

    – Cilat janë disa nga problemet që shqetësojnë aktualisht para dhe tetraplegjikët?

    -Problemet, shoqata jonë i ka të mbartura dhe janë në vazhdimësi të viteve. Por problemet më shqetësuese kanë ndodhur këto dy tre muajt e fundit, pasi ne kemi një status të votuar në Parlament. Por, nga ai status janë shfuqizuar tre nene, të cilat lidhen me subvencionimin e energjisë elektrike, pasi para dhe tetraplegjikët përfitonin subvencionim prej 80 për qind nga shteti dhe pjesën tjetër e paguanin vetë. Ndërsa tani ky ligj u shfuqizua nga Parlamenti dhe sipas informacioneve që kemi ne, do të trajtohemi si të gjithë njerëzit e tjerë. E gjithë kjo situatë më duket një paradoks, sepse dihet se sa shkon një kvv energji elektrike dhe si trajtohet një invalid para dhe tetraplegjikë dhe pa këtë produkt ata janë njerëz të vdekur, pasi pjesën dërrmuese rrinë shtrirë. Ndërkohë, një tjetër padrejtësi që u është bërë para dhe tetraplegjikëve është dhe heqja e subvencionimin e transportit urban dhe ndërqytetës. Më parë, invalidët kanë përfituar transport falas prej 50 për qind nëpër rrethe dhe zero për qind për transportin urban. Tani, ne po trajtohemi si të gjithë njerëzit e tjerë dhe nuk kanë marrë parasysh kushtet tona fizike dhe ato higjieno-sanitare. Ky është një paradoks i madh që po ndodh në vendin tonë, pasi ne, së pari, jemi njerëz, kemi një kujdestar, jemi në një karrocë, që është e vetmja mundësi për të lëvizur. Por, nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, shteti shqiptar ka hequr dhe rimbursimin e telefonisë fikse, ku nga 3 mijë impulse ne paguanim nga 10 lekë të vjetra. Por dhe këtë masë përfitimi na e kanë hequr dhe ne do na duhet ta paguajmë si të gjithë njerëzit e tjerë. A thua se ne jemi të gatshëm të paguajmë të gjithë këto shpenzime si të gjithë njerëzit e tjerë normalë?! Rroga e një paraplegjiku shkon nga 120 mijë deri në 150 mijë lekë të vjetra dhe këto janë të gjitha ato “fitime” që gëzojnë të gjithë ata që kanë statusin e invalidit.

    – Po vlera e paketës ekonomike sa shkon në muaj?

    -Paketa ekonomike është tej mase e ulët, dhe shkon paralel me paketën e kujdestarit, dhe shkon në një shumë prej 95 mijë lekësh të vjetra. Kjo paketë është tej mase e ulët dhe e papërballueshme, duke marrë parasysh nivelin e lartë ekonomik që ka arritur sot dhe për standardet e jetesës, të cilat nuk i përmbushim dot.