Orikumi kundër bashkimit me Vlorën. Në të kundërt do hidhemi në protesta

    394
    Sigal

    Dukati kundërshton variantet e Reformës Administrative: Të merret parasysh varianti i z. Ylli Bufi

    Letër e hapur

    Drejtuar: Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarit zotit Ilir Meta

    Grupit Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrative, Kryetarit z. Bashkim Fino

    Për dijeni: Presidentit të Shqipërisë z. Bujar Nishani

    Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama

    Ministrit të Pushtetit Lokal, z. Bledi Çuci

    Të nderuar zotërinj që kini në dorë sot për të kryer reformën administrative të Shqipërisë, e cila do të ketë të drejtën e modernizimit të Shqipërisë në drejtimin ekonomik administrativ, publik, kulturor, arsimor dhe sigurisë së shtetit shqiptar për një kohë shumë të gjatë. Pra, kjo reformë do të marrë rëndësi historike. Për këtë arsye, ne, qytetarë të bashkisë Orikum (krahina e Dukatit) mendojmë të bëjmë me dije se:

    -Ne i konsiderojmë variantet që keni paraqitur për zbatim si variante që plotësojnë dëshirat e projektuesit, i cili duket sikur është rritur në laborator europian dhe jo i kalitur në ambientin shqiptar, me një ndryshim të madh qoftë në histori, konfiguracion tokësor, numri i popullsisë, zakone e mundësi zhvillimi. Sipas këtyre kushteve, të ndryshme nga ato të Europës, që keni marrë si model duhet të paraqitni edhe projektin që të mos jetë teorik për auditore studentesh, por për zbatim praktik me efektivitet dhe i thjeshtë për tu kuptuar e pëlqyer dhe zbatuar nga e shumta e popullsisë.

    Mirëpo edhe Karta Europiane e Autonomisë Vendore si dhe Kushtetuta përcakton se reforma administrative bëhet sipas kushteve konkrete të çdo vendi, sipas interesave ekonomike, historike dhe nuk mund të ndryshojë pa pëlqimin e popullsisë që jeton në to.

    -Kështu numri i popullsisë nuk mund të jetë kusht fiks për t’u s’kualifikuar në variantin e paraqitur, si rezultat i lëvizjes së popullsisë nga 34 e sipërfaqes së Shqipërisë drejt 14 të sipërfaqes fushore bregdetare. Si e tillë 34 e Shqipërisë dalin jashtë kontrollit dhe do të shpopullohen shumë herë më tepër se sa janë shpopulluar deri më tani nga mungesa e plotësimit të kushteve cilësore të shërbimit ndaj qytetarit.

    Bashkimi i stërmadh i bashkive në numër më të vogël në Shqipëri përngjajnë si dy pika ujë me kooperativat e bashkuara, të cilat kur ato ishin sipas fshatrave merrnin nga 250 lekë për ditë pune, kurse kur u bashkuan arritën me 80 lekë; Ju, këtë të vërtetë, duhet ta keni parasysh për efektivitetin ekonomik për të cilin pretendoni të arrini. Ne mendojmë se Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente, sepse ajo është e lodhur ekonomikisht, politikisht, shpirtërisht nga tranzicioni i tejzgjatur:

    Prandaj, nga mënyra pothuaj inegzistente e argumentimit shkencor të të mirave tek variantet e paraqitura dhe mosballafaqimi e konsultimi me popullin për çdo zonë që nuk po e kryeni sipas programit të parathënë, por po vini në veprim faktin e kryer, ne propozojmë si zëdhënës të një pjese dërmuese të krahinës:

    Propozimi

    1) Të merret parasysh mendimi i grupit propozues, të kryesuar nga zoti Ylli Bufi që Shqipëria të ndahet në 80 deri 100 bashki, të cilat mëshirojnë dhe plotësojnë nevojat administrative të popullsisë.

    2) Të realizohet reforma mbi baza shkencore, ekonomike dhe historike në shumicën dërmuese të republikës dhe jo në formë urdhërues dhe e faktit të kryer siç po bëhet me projektin ekzistues. Për këto arsye me 80 deri 100 bashki plotësohet kushti që të ulet numri i njësive vendore në 34 e atyre ekzistuese nga 386 në 80-100 njësi:

    3) Plotësohet kushti i shërbimit sa më cilësor ndaj popullsisë si dhe organizimi efikas ekonomik, politik, historik, kulturor për çdo zonë.

    4) Plotësohet kushti i mos shpopullimit të zonave malore që zënë 34 e sipërfaqes.

    5) Ruan më mirë historinë e kulturën si pasuri dhe kompaktësi kombëtare.

    6) Shfrytëzohen më mirë resurset sipas zonave dhe rrjedhimisht ato kombëtare.

    7) Rrit përgjegjësin dhe konkurrencën zonale të zhvillimit, në të kundërt me bashkimin në komuna të mëdha konkurrenca dhe zhvillimi do të zbehet shumë.

    Veçantitë e krahinës së Dukatit

    Zona e krahinës së Dukatit ( bashkia Orikum ) ka dhe këto të veçanta të tjera:

    1. Zoti i ka dhënë kufij të përcaktuar qartë me malet akrokeraune dhe lungara si dhe Qafa e Llogorait dhe kalaja.

    2. Kulturë dhe histori të vetën me bashkëpunim harmonik me trevat e tjera të Shqipërisë.

    3. Sipërfaqe të mjaftueshme, 240 km², si asnjë krahinë tjetër e Shqipërisë, e aftë për efektivitet të lartë ekonomik.

    4. Në perspektivën e afërt, Orikumi pretendohet të shkojë 30- 40 mijë banorë.

    5. Bashkimi me bashkinë e Vlorës ne jemi të mendimit se do të bëjë uljen e efektivitetit ekonomik. Bashkimi do t’i shërbejë një pakice të vogël njerëzish, qoftë qendrorë ose lokalë, që në mënyrë të përsëritur pretendojnë të menaxhojnë dhe pronësojnë resurset e bashkisë tonë. Mendime historikisht të parealizueshme.

    Krahina e Dukatit ( bashkia Orikum) që në vitet 350 deri në 500 vjet para Krishtit deri më sot, që diskutohet kjo reformë administrative, me dokumente historike shkresore, ka qenë njësi me vete administrative sipas periudhave të ndryshme që nga Perandoria Romake, Turke, qeveritë shqiptare mbas pavarësisë; Mbretëria e Zogut; qeveria komuniste; qeveritë e tranzicionit mbas 1991-it, asnjëherë nuk ka qenë e shkrirë, e bashkuar me ndonjë zonë tjetër. Kufijtë, zakonisht, në traditën historike të kombeve dhe zonave brenda kombeve, vendosen me rrjedhje të ujërave natyrale që të cilën zona jonë e ka cilësisht të përcaktuar. Me shkrirjen e krahinës sonë e quajmë, më së pakti, keqdashje individësh të padenjë për shtetformim të stabilizuar e modern, duke stërzgjatur tranzicionin pa mbarim. Për këtë arsye, ne jemi në mënyrë kategorike kundër bashkimit me bashki në e Vlorës. Ne kërkojmë se s’bën të vijnë njerëz të autorizuar për të biseduar me të gjitha fshatrat dhe me qytetarët e Orikumit në mënyre të organizuar. Ne kërkojmë që të zbatohet Kushtetuta për këto probleme të rëndësishme kapitale për shoqërinë deri në referendum. Në të kundërt, ne në mënyrë demokratike, do të marrim masa të mosbindjes qytetare në mënyre permanente.

           Nismëtarët