Orhan Frashëri/ Mos i prekni dekoratat e dëshmorëve dhe luftëtarëve të LANÇ!

    382
    Kohët e fundit është hedhur në tregun mediatik një ide, për t’iu hequr dekoratat, të cilat u janë dhënë veteranëve për merita të shquara gjatë LANÇ dhe viteve të ndërtimit të Shqipërisë së re. Unë si veteran i kësaj lufte dhe që në gjoksin tim i mbaj me shumë krenari. Dëshiroj t’u bëj me dije opinionin e veteranëve për çka po ndërmerrni të bëni, që kjo është një marrëzi, aspak demokratike, siç pretendohet. Këto dekorata, të nderuar ligjvënës, nuk i kemi marrë nga ju e aq më pak të bëhemi objekt i vlerësimeve tuaja, i meritojmë apo nuk i meritojmë ato. Dekoratat janë akorduar nga organe legale pushteti, nga ata që ishin produkt gjatë dhe pas LANҪ. Madje ky udhëzim ka një datë të saktë, kur Shqipëria ishte në prag të çlirimit, 8 Nëntor 1944. Mbi bazën e këtij udhëzimi të Komandës së Përgjithshme mbas çlirimit të vendit, Qeveria e porsakthyer nga Berati miratoi ligje për shpërblimet e familjeve të dëshmorëve për trajtim dhe të drejtat e invalidëve të LANÇ, si dhe për dhënien e dekoratave. Pra dhënia e dekoratave ka hyrë në historinë e popullit qysh në zjarrin e luftës. Është çmenduri, që pas 72 viteve t’ua heqësh këto dokumente veteranëve të LANÇ, të cilat janë të lara jo me flori, por me gjak. Të merresh me dekoratat që ka dhënë regjimi komunist sipas kritereve të vendosura prej tij, është jo vetëm e kundraligjëshme, por edhe veprim që merr ngjyra fashiste. Ne veteranët, kësaj ia vëmë emrin vetëm hakmarrje nga pinjollët e atyre që dolën të humbur nga lufta. Regjimi i sotëm, i cili ka konceptime dhe idera të mbrapshta për dekorimet mund të dekorojë këdo dhe, nëse gabon në dhënien e një dekorate, mund të reflektojë dhe ta tërheq atë, por të heqësh dekoratën që kanë dhënë të tjerët në regjime të tjera paraardhëse, jo vetëm që është antikushtetuese dhe antiligjore por në të njëjtën kohë një hakmarrje primitive, e cila do e mbante shoqërinë shqiptare në konflikte pa mbarim me thyerje të unitetit kombëtar. Ideja e këtij projekt-ligji që synon të godasë shqiptar brezin e luftës dhe mbështetësit e kësaj lufte çlirimtare, zanafillën e ka nisur qysh në fillimet e viteve nëntëdhjetë kur ndryshoi sistemi monist me atë pluralist-demokratik. Kjo periudhë ka qenë e mbushur me veprime antikushtetuese dhe antidemokratike, të cilat sajuan realizimin e një programi madhor. Të mohojnë e godasin me forcë epopenë e lavdishme të LANÇ, organizatën e veteranit, veteranët dhe pasardhësit e tyre. Për realizimin e këtij objektivi, organizues ishte Sali Berisha, i cili u hodh në sulm të paparë, duke aktivizuar ekstremistë me moton dhe parullën: “Komunistët në litar/Veteranët në hanxhar”! Ideologjia e tyre ishte shkatërrimi i çdo gjëje të ndërtuar me mundin dhe djersën e shqiptarëve për rreth 45 vjet. Në këtë kontekst u sulmua LANÇ dhe protagonistët e saj, simbolet Kombëtare, organizata e dëshmorëve deri në mohimin zyrtar të ditës së çlirimit të Atdheut, 29 Nëntor 1944. 
    Bashkëpunimi i klikës politike me kuislingët
    Klika politike në bashkëpunim me kolaboracionalistët, ballisto-zogistët, ish -bashkëpunëtore me nazifashizmin dhe kriminelët e luftës, u hodhën në sulme të gjithanshme për të shkatërruar vlerat historike të LANÇ. Pushtetarët e PD dhe element terrorist brenda tyre masakruan barbarisht shokët tanë të nderuar, si Xhemal Selimi, Duro Kapo, Hasan Selenica, Buro Kapaj. Disa kuadro drejtuese të organizatës së veteranëve, si heronjtë e popullit Shefqet Peçi dhe Haxhi Lleshi u burgosën, të tjerë drejtues në rrethe u mbajtën për disa ditë në dhomat e izolimit, sepse nuk i bindeshin policisë, të cilët nuk i lejonin që të vendosnin kurora tek Varrezat e Dëshmorëve. Regjimi i Berishës shkoi më tutje, duke u marrë me ç’varrime e rivarrime, e duke nderuar figura balliste-zogiste eshtrat e të cilave i solli nga jashtë shtetit. U puth dhe u përqafua me kriminelët e të gjitha llojeve, të cilëve, po ky Berishë u vuri në gjoks dekoratat e i shpalli “heronj” për krimet që ata kishin bërë ndaj popullit të tyre. Arriti deri atje, sa të nxirrte para ekranit të televizionit shtetëror shqiptar kriminelë dhe tradhtarë me damkë, të cilët ata me mburrje tregonin, se si i kishin vrarë “Heronjtë e Popullit”, si Pal Mëlushi me shokë dhe heroinat e Mirditës. Me këto veprime në shkallë kombëtare u bashkuan me ekstremistët dhe nuk lanë gjë pa bërë, vetëm e vetëm që të godisnin LANÇ-in dhe ata që e bënë këtë luftë, veteranët, duke mos i lejuar të organizonin përkujtimin e ngjarjeve dhe datave të luftës, si dhe për të përkujtuar jetën dhe veprën e dëshmorëve. Këto veprime të koordinuara në shkallë kombëtare u përfshinë, pa dyshim në të gjitha rrethet e vendit. Para këtyre akteve barbare dhe ekstremiste para Komitetit Kombëtar dhe Kryesisë së tij dhe çdo veterani dilnin, lufta që duhet t’i bëhet denigruesve falsifikatorë të historisë, nga forcat e djathta të caktuara politike e sidomos ato të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, që shkojnë deri atje sa ta quanin këtë luftë, luftë atdhetare e çlirimtare si “luftë civile”, “luftë sllavo-komuniste” dhe të tjera profka antihistorike, që në fakt orientoheshin të përligjin kolaboracionalizmin e Ballit e të Legalitetit dhe krimet e kriminelët e luftës. Kjo çka ka ndodhur e po ndodh në vendin tonë nuk ka bërë vaki në asnjë vend të Europës. 
    Veteranët të bashkuar kundër revanshit
    Sigurisht ne veteranët e LANҪ-it këtij revanshi i jemi përgjigjur me aksione konkrete ndaj edhe nuk kanë arritur të na mposhtin. Kemi pasur një rritje të fuqishme e cilësore të veprimtarisë përkujtimore të ngjarjeve dhe të datave të LANÇ-it, të forcës e të cilësisë së shkrimeve në gazetë dhe një rritje të ndjeshme të botimeve të librave me temë nga Luftës që i janë përgjigjur zjarr për zjarr këtyre akteve të turpshme dhe për demaskimin e shpartallimin e sulmeve denigruese të forcave të djathta në pushtet dhe të atyre ballisto-zogiste agresive ndaj LANÇ-it. Me dhjetëra e dhjetëra janë deklaratat, peticionet, protestat shkrimet demaskuese e replikuese të veteranëve botuar në gazetën “Kushtrim Brezash”. Në atë kohë e më pas ky organ është quajtur me shumë të drejtë “flamuri i shpalosur i mbrojtjes së vlerave të LANÇ-it”. Që nga vendosja e sistemit pluralist demokratik e deri më tani në vitet e tranzicionit ka patur një fushatë të pandërprerë, për të mohuar Historinë e LANÇ me pikësynim që të vihet në vend nderi i humbur i kolaboracionalistëve ballist-zogist në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ku ata u bashkuan me nazifashistët dhe luftuan kundër partizanëve dhe popullit shqiptar. Ata mundohen të ngrenë lart figurat e Ballit e Legalitetit, duke i paraqitur si nacionalist të flaktë. Pinjollët e ballistëve e zogistëve bëjnë çmos, me pa të drejtë, të ngrenë lart veprimtarinë e pandërprerë të tyre si gjatë Luftës. Në këtë betejë për të rehabilituar tradhtarët, ata që iu bashkuan nazifashistëve, janë përfshirë disa gjoja intelektualë, si Uran Butka, Beqir Meta, Romeo Gurakuqi, Çelo Hoxha, Adriatik Alimadhi etj. Të cilët me shkrimet e tyre vjellin vrer kundër luftës dhe marrin në mbrojtje bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashist. Tashmë dihet si drita e diellit se kolaboracionalistët ballisto-zogistët, si forca të organizuara, u rreshtuan përkrah okupatorëve. Bota, siç edhe dihet, i ka dënuar bashkëpunëtorët me fashizmin. Me këtë rast dëshiroj t’u kujtoj të ashtuquajturve historianë se në Angli janë shqyrtuar më shumë se dy milion raste, në Belgjikë 634 mijë çështje penale dhe 77 mijë u dënuan si bashkëpunëtor të pushtuesit. Në Holandë 150-200 mijë burra e gra u hetuan si bashkëpunëtor. Në Francë u dënuan 120 mijë vetë, duke përfshirë 4785 dënime me vdekje. Në këto vende nuk guxon kush t’u heq veteranëve dekoratat e marra si luftëtarë në Luftën e Dytë Botërore. Përkundrazi, ata ndjehen shumë të nderuar e respektuar, si elita e shoqërisë. Pra tek ne ballisto-zogistët jo vetëm nuk janë dënuar, por janë ngritur komisione të veçanta për t’ia hequr dekoratat veteranëve. Duke fryrë tej mase ngjarjen për heqjen e dekoratave, sikurse pretendohet, arrihet në përfundim se ky është një skenar ogurzi i përgatitur në mënyrë të qëllimshme për t’u goditur jo një apo disa veteran të LANÇ, por gjithë organizatën, skeme e hartuar nga forca të errëta që urrejnë LANÇ dhe luftërat e saj, këtë epope të lavdishme që sigurojë pavarësinë e Shqipërisë, të cilën gëzojmë sot. Organizata e veteranëve të LANÇ në vite në përshtatshmëri me kushtet konkrete, duke ruajtur traditat e hedhjes së LANÇ të Popullit Shqiptar me atë të popujve të tjerë të Aleancës Botërore Antifashiste, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të krijuar e zgjeruar lidhjet si me Federatën Ndërkombëtare të Luftëtarëve të vjetër (FMAC), ashtu edhe me organizatat homologe të vendeve të tjera në Evropë dhe në botë. Është fakt i pakundërshtueshëm që drejtuesit e Komitetit Kombëtar janë ftuar dhe kanë marrë pjesë në disa Kongrese, siç është ai në Kongresin e veteranëve të Luftës së Rusisë; në vitin 2002 një delegacion ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të FMAC-it në Korenë e Jugut; në vitin 2003 në Zagreb të Kroacisë në Konferencën Ndërkombëtare të vendeve të Evropës Jugore. 
    Zonat martire në Shqipëri
    Ne ndjehemi të nderuar dhe të respektuar që Shoqata e Zonave Malore të Luftës së Dytë Botërore, me në krye shokun Dante Krucka, shpallën Zona Martire të Luftës së Dytë Botërore Pezën, Kuçin dhe Vlorës, zonën e Vermoshit e të Borovës, të Mallakastrës e të Përmetit. Dua të sjell në vëmendjen e lexuesit edhe këtë fakt. Në vitin 1998 qeveria jonë dërgoi një delegacion në Itali, i ftuar nga shoqata e ANNPI-t dhe familjeve të ish – partizanëve italianë të rënë në Shqipëri. Me këtë rast delegacioni i veteranëve përgatiti dhe mori me vete dokumentet për shpalljen dëshmorë të 71 – partizanëve antifashistë italianë, përfshi ata të Batalionit “Antonio Gramshi”. Ndërkohë iu propozua Presidentit Skalfaro që 15 nga këta luftëtarë të dekoroheshim me “Medaljen e Artë”. Fiks pas një muaji nga kërkesa jonë, ata u dekoruan të gjithë. Kryetari i Shoqatës së Luftëtarëve të Rezistencës Antifashiste Itali, Arturio Fosa Lecenza, thoshte: “Unë jam italian, por jam dhe partizan shqiptar”! Kjo figurë e lartë e një shteti të huaj u vu në mbrojtje të “Heronjve të Popullit”, Shefqet Peçi e Haxhi Lleshi, të cilët, jo pa qëllim i quajti “Garibaldët shqiptarë”. Të mos harrojmë që dhjetëra ish – luftëtarë shqiptarë, që janë vlerësuar me urdhra e medalje nga presidentë të ndryshëm të botës. Pyetja që unë u bëj ligjvënësve shqiptarë është: A nuk kini turp që merrni guximin të diskutoni, të merrni nëpër gojë meritat tona, si pjesëmarrës në LANҪ, të gjykoni, nëse i meritojmë apo jo dekoratat për kontributin që dhamë në këtë Luftë?! 
    Sigal