Orges Bakalli, regjizori shqiptar që po fiton Hollivudin me punën e tij

    481
    Sigal

    INTERVISTA/ Regjisori i ri dhe i mirënjohur shqiptaro-amerikan, Orges Bakalli, premton për famë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

    Orges Bakalli është një regjizor, skenarist dhe aktor shqiptaro-amerikan në Nju Jork.  Vetëm në moshën 20 vjeçare ka arritur famën në Hollivud si regjizor i ri, shumë i talentuar mes yjeve të Hollivudit dhe kompani famoze në Nju Jork. Tani regjizori Orges Bakalli sapo prodhoi filmin e ri shqiptaro-amerikan me metrazh të shkurtër “Made in Amerika”, bazur në temën e rolit gjinor në familje. Filmi tregon historinë e një çifti të ri, që largohet nga Shqipëria dhe vështirësitë që hasin në Amerikë, duke u theksuar në aspektin psikologjik të rolit të mashkullit në familje dhe mbështjen që i ofron gruaja në pikët më kulminante për të ruajtur shtyllën familjare. Filmi “Made in Amerika” ka dy protagonistë të talentuar, Artan Telqiu dhe Emira Berisha, me producent Richard Di Mattia, skenar dhe regjizor Orges Bakalli dhe prodhim të kompanisë Reel Works, fituese e çmimit Emmy Awards. Roland Uruci dhe Alexandër Richard janë dy personazhet e tjerë kryesorë.

    Orges Bakalli është me origjinë nga Shkodra, ku dhe ka lindur. Në moshën 8-vjeçare është larguar në Amerikë me familjen, ku jeton dhe tani prej 13 vjetësh në Nju Jork. Familja e tij (prindërit Behadir dhe Majlinda Bakalli) ka luajtur një rol kryesor në kultivimin e artit dhe kulturës për Orgesin si dhe në ruajtjen e traditave shqiptare. Babai i Orgesit ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e parë në vitin 1992, ndërsa mamaja ka punuar me Sigurinë Shoqërore në Shkodër. Si promovues të kulturës dhe traditave shqiptare kanë nxitur tek Orgesi dashurinë për atdheun dhe dëshirën për të vazhduar ëndrrën e tij – produksionin e filmave.

    Piktori i njohur Gazmend Bakalli, daja e Orgesit, ka qenë inspirimi pas krijimit të dokumentarit të pare, që ka realizuar Orges Bakalli me titull “Liri”. Orges Bakalli u nominua me çmimin “Outstanding Filmmaker” si regjizori më i mirë në Nju Jork dhe “Liri” u zgjodh nga filmat më të mirë nga Zyra e Teatrit dhe Filmit të Kreybashkiakut të New Yorkut, Michael Bloomberg. Dokumentari flet për lirinë dhe çfarë kuptimi merr fjala kur i mohohen të drejtat e njeriut, duke pasqyruar periudhën e komunizmit gjatë konfliktit serbo-kroat. Gazmend Bakalli është marrë me pikturë që 18 vjeç dhe ka qenë nxënës në shkollën Ismail Lulani në Shkodër. Piktori i shquar Bakalli ka marrë pjesë në shumë ekspozita në Tiranë dhe ka fituar çmimin “Artisti i Ri më i Mirë”.

    Filmi i ri i regjizorit Orges Bakallit “Made in Amerika” pati premierën private më 11 tetor 2012 në Nju Jork mes kritikëve dhe regjizorëve të tjerë të kompanisë Reel Works. Filmi ‘Made in Amerika’ u prit shumë mirë dhe regjizori Bakalli planifikon ta dërgojë në festivale në Amerikë dhe në Europë.

     –Orges ju jeni një personazh i njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe Hollivud. A mund të na flisni shkurt për jetën tuaj deri tani, për t’ju prezantuar tek publiku në Shqipëri?

    -Jam regjizor, shkruaj skenare filmash dhe aktroj. Kam studiuar për produksion filmi dhe aktrim në Universitetin CUNY në Nju Jork.  Kam prodhuar tre filma deri tani, dy dokumentare: “Liri” dhe “American Drop Out” dhe një film me metrazh të shkurtër me titull “Made in Amerika”.

    Kam lindur në Shkodër, ku kam jetuar deri sa kam qenë 8 vjeç. Në vitin 2001 familja ka emiguar në Amerikë dhe jetojmë në Nju Jork. Prindërit e mi, Behadir dhe Majlinda Bakalli, më kanë rritur dhe edukuar me kulturën shqiptare e atë amerikane dhe i respektoj të dyja vendet. Kam pasur një përkrahje të jashtëzakonshme nga prindërit e mi të dashur si dhe nga vëllai, Elson, që më kanë mbështetur në çdo hap timin në jetë dhe karrierë.

    Nju Jorku për mua është vendi ku realizoj ëndrrën time, regjizor filmi, dhe më ka dhënë kulturën dhe etiketën e duhur të punës dhe jetës. Ndërsa Shqipëria për mua do të mbetet gjithmonë vendi im, që kurrë nuk e harroj. Jam krenar që jam shqiptar! Shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë të Ballkanit dhe respektohen për tolerancën, kulturën, historinë dhe traditat e tyre në mbarë botën. Pavarësisht se na ndau mërgimi, e kemi zakon që gjuhën dhe traditat t’i ruajmë. Falenderoj familjen time që më ka rritur me krenari për vendëlindjen time. Edhe pse isha vetëm 8 vjeç, kur u largova, ruaj kujtimet më të mira nga fëmijëria për Shkodrën time.

    Vlerësoj shumë kontributin e Teatrit Migjeni në Shkodër dhe figurat e dashura për publikun shqiptar si, Rosa Anagnosti, Rikard Ljarja, Lec Bushati, Tinka Kurti, Ndoc Deda, Ndriçim Xhepa, Timo Flloko, Margarita Xhepa, etj., që kanë kultivuar një skenë të paharruar të humorit dhe artit shqiptar.

     – Si jeni gjendur në Amerikë dhe si shkon jeta juaj deri tani aty?

    Me familjen kemi jetuar për 13 vjet në Nju Jork, Amerikë. Jeta këtu na shkon shumë mirë. Natyrisht na merr malli shumë për Shqipërinë dhe shkojmë shpesh ta vizitojmë. Nuk harroj herën e parë kur jam kthyer në vendilindje, në vitin 2009. Kisha shumë emocione dhe u takova me të afërmit dhe miqtë e mi. Më pëlqen të vizitoj Shqipërinë sepse më ndihmon të njoh nga afër identitetin tim shqiptar dhe historinë e popullit tim, që unë kam shumë dëshirë ta paraqes në projektet e mia në filma ose dokumentare. Kam dëshirë të rikthehem në Shqipëri, së shpejti, në Festivalin e Filmit në Tiranë me projektet e mia e të ardhmes.

    – Pasioni juaj është produksioni i dokumentarëve dhe filmave. Mund të na tregoni si nisi ky pasion dhe me kë keni bashkëpunuar për realizimin e tyre?

    Pasioni im për të shkruar skenare filmash dhe të prodhoj filma filloi gjatë gjimnazit, kur fillova të shikoj shumë filma dhe të lexoj romane të shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore. Në këtë kohë më erdhi ideja të provoj t’i bëj vetë filmat. Hapat e mia të para në produksionin e filmit nisën me bashkëpunimin me kompaninë e famshme “Reel Works” një kompani filmike që ka fituar pesë herë çmimin Emmy Awards për projektet e tyre. Kjo kompani është kompania prodhuese e filmave të mi, të tre që kam bërë dhe bashkëpunoj shumë afër me to. Nëpërmjet kësaj kompanie kam njohur nga afër yjet e Hollivudit, regjizorë dhe aktorë të famshëm. Kam patur rastin të takohem me disa figura të shquara të kinematografisë amerikane si Fisher Stevens (fitues i Academy Awards), Richard Linklater (regjizor i filmit ‘Dazed and Confused’), Emily Mortimer (fituese Aktorja më e Mirë), Jeffrey Wright (fitues i Golden Globes), etj.

    Tani punoj për kompaninë e njohur filmike “Washington Square Films” my zyra në Nju Jork dhe Hollivud, fituese e çmimit Oscar. Jam producent dhe regjizor filmash ku prodhoj filma vetë, në bashkëpunim me kompaninë Reel Works. Gjithashtu punoj si producent në kompaninë Washington Square Films. Disa nga projektet e njohura që ka nxjerrë kompania këtë vit janë: “Margin Call” me Kevin Spacey, Simon Baker dhe ’All is Lost” me Robert Redford.

     

    – Kush ju pëlqen më shumë si produksion, realizimi i një filmi apo dokumentari?

    Më pëlqen më shumë realizimi i filmit sepse ke më shumë liri të shkruash skenarin dhe si të xhirosh filmin. Dokumentaret janë të kufizuara tek subjekti që e mbart projektin ndërsa në  film është regjizori është ai që e mbart filmin dhe interpretimi i aktorëve.

    -Me sa dimë dokumentari juaj i parë titullohet “Liri”. Ishte rastësi ky titull apo një nxitje për lirinë kudo në botë dhe në veçanti për lirinë e munguar të Kombit të shqiponjave në Shqipëri, Kosovë  dhe trojet e tjera shqiptare.

     Dokumentari “Liri” tregon për periudhën e konfliktit serbo-kroat dhe të drejtat e mohuara nga diktatura. Filmi rrëfen historinë e xhaxhait tim, Gazmend Bakalli, që largohet nga Shqipëria për të ndjekur pasionin  tij, artin dhe pikturën. Gjatë kësaj kohe i ishin mohuar shumë të drejta si, edukimi dhe dokumentari tregon se si nocioni liri i jep kuptim jetës dhe e shtyn njeriun të ndjeki pasionin e tij.

    Populli shqiptar njihet si popull liridashës dhe paqësor. Dëshiroj që trojeve shqiptare t’i njihet drejtësia që i takon dhe i uroj të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, suksese në arritjet e tyre.

     Kryetari i Bashkisë Michael Bloomberg përmes iniciativave novatore si “Global Media lidhor”, “Life NYC” ka mundësuar krijimin e “Zyrës së Filmit, Teatri dhe Transmetim”. A keni përfituar edhe Ju nga kjo inisiativë pasi jeni parë të takoheni dhe të bisedoni së bashku? Cili është vlerësimi juaj për Michael Bloomberg?

    Dokumentari “Liri” u zgjodh si një nga më të mirët në përzgjedhjen e Zyrës së Teatrit dhe Filmit të Kryebashkiakut në Nju Jork. Dokumentari u pëlqye shumë dhe u shfaq në kanalin e programit të zyrës së Kryebashkiakut Bloomberg, në kanalin 25 (NYC Life). Në 2011 në një nga takimet me NYC Life pata rastin të takohem me z. Bloomberg. Ai shprehu përkrahjen e tij ndaj artit dhe kulturës si një iniciativë për të rinovuar ekonominë e Nju Jorkut dhe Amerikës. Takimi ishte një moment i paharruar për mua dhe kam plan ta takoj sërish këtë vit. Jam pjesë e programit NYC Life dhe i jam shumë mirënjohës komunitetit artistik të Nju Jorkut, Kryebashkiakut Bloomberg për hapjen e mundësive ndaj regjizorëve të ri, si unë. Më vjen mirë që, dokumentari mori një vlerësim të madh nga publiku dhe zyra NYC Life në Nju Jork.

    -Aktualisht ju jeni duke realizuar një film të titulluar “Made in Amerika” ku ju jeni edhe skenarist i tij.  A mund të na tregoni diçka për këtë film? Kush ju mbështet në këtë prodhim?

     I gjithë ekipi i ‘Made in Amerika’ ka dhënë një kontribut shumë të madh për realizimin e filmit. Në veçanti falenderoj z. Roland Uruçi për mbështetjen e tij. E falenderoj shumë për ndihmën dhe kohën që dha, dhe që me shtyu ta bëj këtë film më të fuqishëm dhe të një kualiteti shumë të lartë.

    Producenti i njohur Joseph Di Mattia është i mrekullueshëm. Në çdo hap më ka qëndruar pranë, kemi bashkëpunuar dhe kam mësuar nga zgjuarsia dhe eksperienca e tij.

    Filmi besoj se ndryshon shume nga prodhimet që shikohen në kinostudion amerikane. Së pari, është film shqiptaro-amerikan.

    Së dyti, është një film që të kujton periudhën e ‘70-ve (old school) kur më shumë ka rëndësi psikologjia dhe kuptimi më i thellë. Kjo ishte kryesore dhe bazë për krijimin e filmit ‘Made in Amerika’, lloj të tillë nuk para i shikon sot.

    Së treti, fundi i filmit është një metodë jotradicionale, që kam përdorur dhe ftoj audiencat ta shikojnë dhe të japin vlerësimin e tyre.

     -Kush janë protagonistët e filmit ‘Made in Amerika’?

    Dy protagonistët janë Artan Telqiu, që luan rolin e Ilir Bushatit dhe Emira Berisha, që portretizon Dritën, gruan e Ilirit. Filmi tregon historinë e një çifti shqiptar që emigron në Amerikë. Filmi është në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.

    Filmi ka qenë një përvojë shumë e mrekullueshme dhe mjaft profesionale. Artan Telqiu është aq i zoti sa, pa përdorur fjalë ai arrin të ngjalli emocione te publiku, vetëm me një shikim dhe i kupton shumë mirë ndjenjat që ka. Një portretizim i përkryer që ka ndërtuar historinë e filmit.

    Emira Berisha është një aktore e talentuar. Ajo ka jetuar dhe mishëruar rolin. Ka qenë shumë natyrale aktrimi për të dhe e ka portretizuar në mënyrë perfekte rolin e Dritës, gruas së Ilirit.

    Rolan Uruçi është një artist shumë i mirë, jashtëzakonisht shakaxhi. Na ka bërë për të qeshur gjatë të gjithë kohës me humorin e tij dhe na ka afruar më shumë me njëri-tjetrin. Filmi ka një moment ku, personazhi i Rolandit (Arban Broci) thotë një shaka në shqip. Dhe nuk e prisja që publiku amerikan do ta kapte, meqë ishte në gjuhë të huaj për ta (në shqip). Por u gëzova shumë që, gjatë shfaqjes private të së premtes salla qeshi dhe e kuptoi shakanë. Rolandi ka shumë aftësi si aktor jo vetëm nga mënyra që të bën për vete me performancën e tij, por dhe me aftësinë e improvizimit.

    Aktori amerikan Alexandër Richard luan rolin e John, (punëdhënësi i Ilirit). Alexandër ka patur një rol tepër të vështirë, sepse i është dashur të luaj disa role të ndryshme, disa herë të jetë shakaxhi, në momente të tjera personazh negativ, dhe në herë të tjera tregon anën e mirë ku mund ta simpatizosh. Në secilin rol të karakterit të tij ai ka arritur ta sjelli atë shumë bukur. E falenderoj shume atë dhe aktorët e përkryer për realizimin e filmit me kaq profesinalizm, pasion dhe dedikim.

    Pjesa e dytë e intervistës vijon ditën e nesërme