Orges Bakalli: “Dëshira për të filmuar në Shqipëri, në të ardhmen, është shumë e madhe”

    401
    Sigal

    INTERVISTA/ Regjisori i ri dhe i talentuar shqiptaro-amerikan vazhdon rrëfimin për punën e tij në Hollivud

     (Vijon nga numri i kaluar)

    Po vazhdojmë në këtë numër intervistën me regjisorin Orges Bakalli. Në këtë pjesë do të lexoni se si Orgesi ka punuar me emra të mëdhenj amerikanë për të realizuar projektet e tij artistike dhe sa flet ai për Shqipërinë në ambientin e tij personal dhe profesional. Vetëm në moshën 20 vjeçare ka arritur famën në Hollivud si regjisor i ri shumë i talentuar mes yjeve të Hollivudit dhe kompani famoze në New York. Familja e tij ka luajtur një rol kryesor në kultivimin e artit dhe kulturës për Orgesin si dhe në ruajtjen e traditave shqiptare. Orges Bakalli u nominua me çmimin “Outstanding Filmmaker” si regjisori më i mirë në New York dhe “Liri” u zgjodh nga filmat më të mirë nga Zyra e Teatrit dhe Filmit të Kreybashkiakut të New Yorkut, Michael Bloomberg. Filmi i ri i regjisorit Orges Bakallit “Made in Amerika” pati premierën private me 11 tetor 2012 në New York mes kritikëve dhe regjisorëve të tjerë të kompanisë Reel Works. Filmi Made in Amerika u prit shumë mirë dhe regjisori Bakalli planifikon ta dërgojë në festivale në Amerikë dhe në Europë.

     -Si besoni se do të jenë kritikat në përfundim të këtij filmi?

    Me 11 tetor patëm shfaqen private të filmit “Made in Amerika” në New York midis kritikëve dhe regjisorëve të tjerë. Filmi u pëlqye shumë sepse përfundimi ishte surprizë, gjë që është më mirë të shihet se sa të tregohet. Por zgjodha që filmi të ketë në mbyllje të veçantë, krejt ndryshe nga si janë mësuar publiku dhe audiencat. Shpresoj të pëlqehet dhe nga publiku kur të shfaqet në nëntor në New York. Filmi ka pasur interes për t’u shfaqur në festivale në Hollivud, New York dhe Kosovë. Me këto plane po merremi tani.

     – Reel Works është një kompani që mbart me vete vetëm suksese duke fituar pesë herë çmimin prestigjioz Emmy Awards. A mendoni se ju, si pjesë e një gjenerate të re, do i shtoni edhe çmime të tjera kësaj kompanie?

    Në vitin 2012 kompania Reel Works më nominoi për çmimin si regjisorin më të mirë, “Outstanding Filmmaker”, për filmin që bëra “Liri”. Në natën e tapetit të kuq gala ishin të ftuar shumë yje të Hollivudit ku fituan çmime aktorë të shquar si Emily Mortimer (fituese Aktorja më e mirë) dhe Jeffrey Wright, fitues i Golden Globe dhe Emmy Awards. Falënderoj jurinë për nominimin që më dhanë në këtë kategori të rangut të lartë dhe i jam mirënjohës për vlerësimin e tyre. Kompania Reel Works është bashkëpunimi im kryesor gjatë filmave të mi që më kanë mbështetur që në hapat e parë të mi drejt filmit dhe kemi arritur të krijojmë filma me sukses së bashku. Dokumentari i imi i dytë me titull “American Drop Out”, që prodhova në bashkëpunim me kompaninë Reel Works pati një sukses të madh. Filmi u shfaq në kanalin 13 në New York dhe PBS me miliona shikues.

     -Të punosh pranë një kompanie prestigjioze, që prodhon filma me aktorë të famshëm, është vlerë jo vetëm profesionale, por edhe sukses i garantuar. A keni menduar se një ditë do të ofroni aktorë edhe nga trojet shqiptare dhe të xhironi në Shqipëri?

    Krenohem me prejardhjen time shqiptare dhe dua të ofroj sa më shumë talente shqiptare dhe amerikane të marrin pjesë në filmat e mi. Kam shumë dëshirë të filmoj në Shqipëri. Nëse do kisha mundësitë financiare do e kisha xhiruar një pjesë të filmit “Made in Amerika” në Shqipëri. Kam shumë ide për të xhiruar në Shqipëri dhe të përfshi figura të teatrit të Shkodrës dhe Tiranës. Shpresoj ta realizoj në të ardhmen.

     Sa flisni ju për Shqipërinë në rrethin tuaj shoqëror dhe profesional amerikan?

    Kjo është në pjesë shumë e madhe e jetë time. Kudo që shkoj në rrethin amerikan më njohin si “Djali Shqiptar”. Gjithmonë e prezantoj veten si shqiptar, edhe pse kam jetuar në Amerikë më shumë se në vendlindje dhe jam rritur në Amerikë. Shqipëria është pjesë shumë e madhe e identitetit im, edhe pse kam 13 vjet që jetoj në Amerikë, fakti që kam lindur në Shqipëri mban shumë vend të veçantë në zemrën time. Dhe krenohem me këtë si në nivelin shoqëror dhe atë profesional në New York dhe Hollivud.

     –Çfarë cilësish pozitive i shton ky film shqiptarëve si njerëz?

    Me këtë film desha t’i paraqes komunitetit artistik amerikan talentin shqiptar. Kjo ka qene ideja ime për krijimin e një filmi shqiptaro-amerikan, për të nxjerrë në pah yjet shqiptare në Amerikë. Ky për mua është suksesi dhe portretizimi apo forcimi i imazhit shqiptarë në botë – të dijë Amerika dhe bota për talentet shqiptare dhe që edhe shqiptarët janë shumë të aftë në krijimin e filmave me kualitet të lartë.

    Kam vënë re që, shpeshherë, njerëzit keqinterpretojnë temën e filmave me nacionalizmin. Duhet pasur shumë kujdes këtu dhe duhet treguar më shumë mbështetje për talentet shqiptare si në vend dhe në botë. Kuptohet që film pa dramë, pa probleme nuk ka. Por problemi nuk është gjithmonë kombëtar apo nacional. Prandaj me filmin tim “Made in Amerika” unë dua të parashtroj problemet e një familje dhe jo probleme të shqiptarëve. Dhe më kryesorja, se si tre aktorë shqiptarë (Artan Telqiu, Emira Berisha dhe Roland Uruçi) portretizojnë në mënyrë të fuqishme këto role që kam krijuar. Këtë kam dashur të tregoj më filmin “Made in Amerika” që një regjisor vizionar shqiptaro-amerikan dhe një ekip i përkryer shqiptaro-amerikan kanë arritur të tregojnë thelbin e një problemi që trajtoj – familjen – aq bukur që na bën të krenohemi për faktin që janë shqiptarë të talentuar. Fakti që pa dalë akoma traileri i filmit ne kemi pasur kërkesë për shfaqje në Hollivud mbështet më tepër qëllimin tim për të forcuar imazhin e mirë të shqiptarëve dhe deportimin e shqiptarëve në Hollivud.

    Deportimi në Amerikë është shumë i vështirë. Kam pasur fatin me punën time dhe aftësitë e mija të arrij të lidhem me persona kryesorë të kinematografisë dhe kompani filmash mjaft të njohura. Filmi “Made in Amerika” ka një kualitet shumë të lartë dhe krenohem me faktin që është një film shqiptar me një kualitet kaq të lartë. Pra kur e shohin filmin në Amerikë dua që njerëzit të dinë që shqiptarët bëjnë filma të kualitetit të lartë dhe kanë shumë talente. Ky ka qenë qëllimi im.

     -Shumë Faleminderit që pranuat të rrëfeheshit për “Gazetën Telegraf”. Krahas shumë miqve dhe dashamirësve kudo në botë, pa diskutim do keni me vete edhe stafin e “Gazetës Telegraf”.  Mirëardhshi në Shqipërinë tonë të dashur, në vendin e të parave tuaj.

    Falënderoj “Gazetën Telegraf”, një media shumë e respektuar si në vend dhe diasporë, z. Engjëll për mundësinë dhe stafin për punën e lodhur. Ju falënderoj për përkrahjen tuaj. I uroj miqve dhe fansave të mi gjithë të mirat dhe i falënderoj për mbështetjen e tyre.

    Blerina BRAHO

    Ermira BABMUSTA