Nora Malaj: MAS i bashkohet nismës “Të pastrojmë Shqipërinë”

    377
    Sigal

    TIRANË– Ministria e Arsimit dhe Sportit, nëpërmjet një njoftimi për mediat, bën me dije se zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, prezantoi sot fushatën “Të Pastrojmë Shqipërinë”, e cila ka për qëllim të mobilizojë qytetarët që  të bashkohen në një aksion vullnetar për pastrimin e vendit nga mbeturinat.“Në kuadër të këtij aksionit  kemi filluar përgatitjet për organizimin e një fushate sensibilizuese të quajtur ‘Green Tour 3’, e  cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe adresimin e problemeve të ambientit përmes 12  Konferencave Rajonale me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë si, Drejtoritë Rajonale Arsimore, Institucionet  dhe Agjencitë Rajonale, Organizata të Shoqërisë Civile, përfaqësues të mediave, komuniteti i biznesit, vullnetarë, etj”, tha Malaj.

    “Green Tour 3” do të nisë në datë 3 nëntor me qytetin e Durrësit dhe do të vazhdojë në Berat, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër, Kukës për të përfunduar me Konferencën Kombëtare në Tiranë, më 19 nëntor.

    Konferencat që do të zhvillohen  do të jenë në formën e  takimeve të hapura dhe tryezave të rrumbullakëta, ku do të prezantohet aksioni, si edhe do të ketë bisedime lidhur me mjedisin.

    “Ministria e Arsimit dhe Sportit do të angazhojë gjithë stafin e saj dhe do të verë në dispozicion infrastrukturën e saj për promovimin e fushatës  “Të Pastrojmë Shqipërinë”.  Aksioni mbështetet nga Ministria e Arsimit dhe  Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, thuhet në njoftimin për mediat. /ATSH/