Një shekull pavarësi, harrohet përkujtimi i 92-vjetorit të Luftës së Vlorës në vitin 1920

    486
    Sigal

    Historikisht Vlora ka qenë epiqendra e ngjarjeve kulmore me ndikim kombëtar

    Në 3 shtator të këtij viti, ishte 92 vjetori i Luftës së Vlorës së vitit 1920. Askush në Vlorë nuk u kujtua për ta përkujtuar këtë ngjarje të madhe për historinë e Shqipërisë. Për herë të parë, që pas Skënderbeut, shqiptarët u bashkuan nga të gjitha trevat shqiptare për të luftuar për çlirimin e Vlorës, që do të ishte edhe çlirimi i Shqipërisë. Por, edhe pse jemi në 100- vjetorin e lindjes së shtetit shqiptar, kjo ngjarje e madhe u harrua. Më shumë sesa me harresën, sepse ne shqiptarët na ndodh që harrojmë shpesh ndaj edhe na përsëriten të këqijat, do të ndalem tek një konstatim, përkatësisht për lidhjen që ka patur Vlora me të gjitha zhvillimet e ngjarjet e armatosura në Shqipëri. Thjesht të kenë qenë koiçidenca historike, apo mos vallë për shkak të pozitës gjeo-strategjike në rajon, Vlora ka qenë gjithmonë në qendër të konflikteve rajonale dhe më gjerë? Apo ta kenë përdorur gjatë gjithë historisë sonë për shkak të karakterit luftarak? Dilemat janë të shumta. Dhe nuk ishin pa shkak, sepse ka shumë ngjarje, që po ti renditësh, krijojnë një lidhje dhe ngjashmëri të habitshme, që të krijojnë bindjen se nuk janë thjesht koincidenca të përsëritura. Le ti rendisim. 1-Shpallja e Pavarësisë në Vlorë. Më mirë se kushdo tjetër më parë, iniciativën për pavarësinë e Shqipërisë, mund ta merrte vetëm Ismail Qemal Vlora, pinjoll i një familje të madhe bejlerësh në Vlorë. Të mos harrojmë se në Vlorë, atë kohë numëroheshin 7 konsullata të huaja, që nga ajo ruse e vitit 1806, e ku hynin e dilnin nga skela e vogël, konsuj e admiralë nga e gjithë Europa. Por jo vetëm kaq. Është edhe një fakt tjetër historik që të bën të besosh se vetëm Ismail Qemal Vlora mund të kishte iniciativën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo se edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Vlora, kishin tentuar më parë të kryenin një veprim të tillë,(si Syrja bej Vlora) por pa rezultat. Rivaliteti mes dy kushërinjve Vlora ka qenë i madh edhe në vetë qytetin e tyre. Pas atyre, në Vlorën e asaj kohe qëndronin njerëz me influence në qytet, që nga më i pasuri e deri te vlonjati më I thjeshtë. Këto dhe të tjera veçori e vendosën Ismail Qemal Vlorën në qendër të lëvizjes patriotike dhe patriotëve të kohës. Mbledhja e Bukureshtit e 5 nëntorit 1912, ishte zyrtarizmi i Ismail Qemalit në krye të kësaj lëvizje. 2.Lufta e Vlorës-1920: Shpesh në mjedise të ndryshme, në kohë dhe njerëz të ndryshëm, sa herë që ka rënë fjala për Luftën e Vlorës e vitit 1920(atë që kemi mësuar në librat e historisë), ndodhte që bënin habi me faktin se si “Shqiptarët po luftojnë,/ Me një mbret dyzet milionë/ Po me se luftojnë vallë?/ Me sëpatë me hanxharë,/ Dyfeqet lidhur me gjalmë,/ Fishekët në xhep i mbajnë…” Janë këto vargje të shkëputura nga një këngë e shkruar për atë ngjarje të vitit 1920, e cila na shkaktonte habi. Të ketë qenë vërtet kështu? Ne me “sëpatë me hanxharë” e italianët me “topa e pamporë” dhe t’i kemi hedhur në det? Mu kujtuan këto vargje por edhe episode të tjera nga historia që kemi mësuar në shkollë për Luftën e Vlorës e vitit 1920, tani në kohët e sotme, kur lexojmë edhe shkrime të tjera, burime të tjera informacioni apo këndvështrime të tjera për historinë e atyre viteve, konjukturat, zhvillimet gjeo-politike, marrëveshjet midis Fuqive të Mëdha të kohës dhe të tjera si këto. Nuk e mbaj mend por kam lexuar në një shkrim të një historiani, emri i të cilit nuk më kujtohet, pak a shumë se ushtria italiane iku nga Vlora në Qershor të vitit 1920, sepse nuk gjeti mbështetjen e Fuqive të tjera të Mëdha, të cilat ashtu si rëndom në ato vite por edhe deri në ditët e sotme, e kishin lënë Shqipërinë dhe Vlorën, nën ndikimin e fqinjëve të saj ballkanas, Serbisë dhe Greqisë. Nuk dua të vë aspak në dyshim trimërinë e atyre burrave që luftuan me “një mbret dyzet milionë”, sepse nuk marr përsipër të rishkruaj historinë sepse nuk e kam as në zanat, por edhe nuk dua të mbetem “skllav”i një historie të shkruar në pjesën më të madhe të saj “me porosi”, me qëllimin për ti shërbyer propagandës komuniste. E di që ka edhe nga ata “historianë”, me shkollë dhe pa shkollë që do të nxitojnë të më shajnë për këto që shkruaj, por i qëndroj bindjes dhe atyre që kam lexuar për historianë të vërtet, se historia duhet shkruar, me të mirat dhe “të këqijat” e saj, pavarësisht sistemeve që vijnë e shkojnë, në jetëgjatësinë e një shteti. Ashtu si edhe shumë ngjarje e ndodhi të tjera të ndodhura në Shqipëri, e të cilat kanë kaluar në “filtrin”e historisë komuniste, mendoj se edhe Lufta e Vlorës e vitit 1920, duhet të ketë vend për ta shtuar me argumente dhe detaje reale të saj kohe. Sepse në fund të fundit, a nuk i minimizoi apo i hoqi fare nga historia e kësaj lufte, historiografia komuniste, shumë emra patriotësh dhe nacionalistësh të asaj kohe, kurse sot ata janë rivendosur në historinë e asaj lufte, me nderin dhe kontributin që ju takon? 3.Revolucioni Demokratik-Borgjez i qershorit 1924. Një tjetër ngjarje me rëndësi, në të cilin Vlora pati jo pak ndikim ishte edhe ajo që në histori(gjithmonë atë histori të shkruar në sistemin komunist) njihet si Revolucioni Demokratik-Borgjez i qershorit 1924. Në librat e historisë, filmat, dokumentarët e sistemit para viteve 1990, kemi mësuar se ishte një lëvizje e vegjëlisë, që ishte kundër bejlerëve, që ishte një lëvizje përparimtare dhe shumë të tjera si këto. Përse filloi nga Vlora i ashtuquajturi Revolucion i qershorit i vitit 1924? Përse Avni Rustemi u varros në Vlorë dhe jo në vendlindjen e tij në Libohovë? Përse popullsia e Vlorës e asaj kohe e braktisi marshimin e forcave ushtarake drejt Tiranës? Ishte revolucion apo ishte grusht shteti? Vlora evidentohet dhe bëhet zanafilla e një zhvillimi të armatosur për të gjithë Shqipërinë edhe në ngjarjet e vitit 1924, që njihet si Revolucioni i Qershorit. Ka mjaftuar një varrim, ai i Avni Rustemit, pretenduar se ishte vrarë nga forcat qeveritare, që të nis Revolucioni, që më pas përfshiu pjesën më të madhe të vendit. Zhvendosemi në kohë dhe afrohemi në kohët e sotme. E njëjta situatë përsëritet edhe në ngjarjet e vitit 1997, kur një varrim, ai i Artur Rustemit, pretenduar edhe ky se ishte vrarë nga forcat qeveritare, (koiçidencë është mbiemri i njëjtë me atë të Avniut në 1924), shërbeu si përshkallëzim i një trazire të madhe, që përfshiu jo vetëm Vlorën, por të gjithë vendin. Kthehemi përsëri mbrapa në vite dhe shkojmë në vitin 1960 dhe pikërisht në bazën e Pashalimanit. Thjesht sepse kishte detin dhe baza ndodhej aty, u përzgjodh Vlora për të provokuar një konflikt të mundshëm me Bashkimin sovjetik, të atyre viteve? Fjala është për historinë e nëndetëseve. Nuk kishte ndonjë vepër tjetër, në ndonjë vend tjetër qeveria komuniste asaj kohe, për ta provokuar një konflikt të mundshëm, për të gjetur sebepin për tu ndarë me BS? A nuk janë këto disa nga ngjarjet më madhore të Shqipërisë, të të gjitha kohërave të ekzistencës së saj si shtet? Nuk përmenda këtu zhvillimet e armatosura të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku Vlora me krahinat e saj shënon numrin më të madh të të vrarëve në luftë apo dhe për pjesëmarrës në të. Ka edhe zhvillime të tjera, më të vogla dhe më pak të rëndësishme sesa këto që përmenda më lart, të cilat e vendosin Vlorën, në epiqendër të gati të gjitha zhvillimeve të armatosura që janë kryer në Shqipëri. Po përse në Vlorë? Thjesht të kenë qenë koiçidenca historike? Apo të na kenë përdorur gjatë gjithë historisë sonë për shkak të karakterit luftarak? Apo mos vallë për shkak të pozitës gjeo-strategjike në rajon, kemi qenë gjithmonë në qendër të konflikteve rajonale dhe më gjerë? A mos ka qenë Vlora arenë e përplasjes dhe konflikteve midis Fuqive të Mëdha për shkak të pozitës së saj në Mesdhe, të cilën ne vlonjatët nuk e njohim apo dhe nëse e njohim, nuk i kushtojmë rëndësi, për të kuptuar dhe analizuar sadopak historinë e Vlorës? Se ja p.sh. a nuk është kështu edhe me ndërtimin e veprave me bazë nafte pikërisht në brigjet e Vlorës, të cilat do të kulmojnë me AMBO? Është një “luftë”në kohët moderne, e cila ka zëvendësuar luftërat e vërteta të kohëve të shkuara, që bëheshin për zënie territoresh dhe vendosje ushtarakisht. Është një përsëritje ndoshta e “Duçja e ka për zemër Shqipërinë” e zëvendësuar me “Dy popuj-një det-një miqësi”, por që qëllimin e kanë të njëjtë edhe pse në kohë e metoda të ndryshme.

    Ergys ALUSHI, Vlorë