Nisja e debatit për reformën e pensioneve në komisione, Veliaj: Pro reformës, edhe disa vota të opozitës

    394
    Sigal

    Intervista/ Flet ministri Veliaj për reformën në pensione, mosnjohjen e librezës së invalidit nga transporti urban, ndihmën ekonomike dhe sistemin on-line të dhunës në familje

    Sistemi on-line i dhunës në familje, ndihma ekonomike, reforma në pensione dhe mosnjohja e librezës  së invalidit nga shoqëritë e transportit urban ishin disa nga pikat e diskutuara në intervistën e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, në një nga mediat vizive në vend.

    Zoti Veliaj, ju ishit në qytetin e Burrelit për të lançuar sistemin online të raportimit të rasteve të dhunës në familje. Pse zgjodhët pikërisht Burrelin për të prezantuar këtë nismë?

    Së pari, sepse e respektoj shumë Kryetaren e Bashkisë së Burrelit. Partia Socialiste është e vetmja parti që ka tre gra që drejtojnë bashki të rëndësishme në Shqipëri. Zakonisht, këto poste shihen për burrat, sidomos kur bëhet fjalë për një bashki në veri të Shqipërisë, ku kërkohet më shumë burrni dhe gjykoj se Adelina Farrici është një ‘burrneshë’, në kuptimin e mirë të fjalës. Ajo është një aktiviste e palodhur për interesat e asaj bashkie dhe si një nikoqire e mirë ka bërë shumë me shumë pak fonde, mundësi e taksa.

    Së dyti, për t’iu shmangur një gracke, ku bien shumë prej nesh që bëjmë media ose politikë në Tiranë, të cilën unë e quaj “gracka e 1km katror”. Sepse mund ta kalosh fare mirë javën, muajin, vitin apo mandatin tënd midis Ministrisë, Kryeministrisë, Parlamentit dhe hoteleve, ku mbahen konferenca të ndryshme, duke humbur sensin se në fakt, duhet qeverisur në të gjithë Shqipërinë.

    Projekti që lançuam sot bën fjalë për një sistem online, të cilin e kemi instaluar tashmë në 25 bashki kryesore të vendit, nëpërmjet të cilit kalojmë nga faza kur vetëm e dënonim dhunën, në një mënyrë sistematike serioze, ku çdo rast dhune regjistrohet e nga ku ne mund të ndjekim të gjithë procesin që nga denoncimi e deri në fund. Po kalojmë pra, në një sistem më të sofistikuar ku, nga 25 bashkitë e para ku po zbatohet ky projekt, kemi 531 raste të regjistruara deri tani dhe kjo na krijon mundësinë që të kontrollojmë në çdo kohë se ku ka ngecur një rast apo një tjetër. Pra, kalojmë nga shoqëria që e glorifikonte dhunën dhe thoshte se “druri ka dalë nga Xheneti”, në një shoqëri që jo vetëm e dënon, por përtej fjalëve, sigurohet që secili rast të përfundojë me dënimin e dhunuesit, urdhra mbrojtje dhe ndihmë ekonomike.

    A ka nisur zbatimi i nismës që ndihma ekonomike t’u kalojë vetëm grave?

    Po, ka nisur në tre qarqet pilot, ku ne po zbatojmë dixhitalizimin e ndihmës ekonomike. Ndërkaq, kemi nisur një proces monitorimi për të parë nëse kjo nismë ka pasur impakt me më shumë fëmijë të ushqyer dhe që shkojnë në shkollë. Gjykoj, se nëse kjo nismë ka funksionuar në të gjithë botën, ku është vërtetuar se gratë janë më të kujdesshme me administrimin e parave, atëherë nuk ka asnjë arsye që kjo të mos funksionojë edhe në Shqipëri.

    Meqë jemi tek reformat, le të flasim pak për reformën e pensioneve. Kohë më parë u tha se do të kalonte në Parlament brenda kësaj legjislature…

    Duke filluar nga java tjetër, ne komisionet parlamentare do të kemi një debat, i cili shpresoj të jetë i shëndetshëm, për ligjin bazë të skemës së pensioneve dhe më pas për skemat, si ajo për uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve. Kjo është një reformë të cilën e kam për zemër, sepse do t’u mundësojë njerëzve pensione më të larta, një skemë më të ndershme, një pension social për ata që nuk i kanë plotësuar vitet për arsye të ndryshme dhe sepse besoj se kjo reformë do të shëndoshë financat e shtetit dhe do të na mundësonte që paratë e kursyera të shkojnë për ndërtimin e shkollave dhe në infrastrukturë.

    Shpresoni që të keni edhe konsensusin e opozitës për reformën e pensioneve?

    Nuk e di nëse opozita do të bashkohet me një vendim politik, por gjykoj se disa vota të saj, pra njerëz që janë investuar edhe më parë me çështjet e pensioneve, do të na bashkohen dhe kam sinjale pozitive se kjo do të ndodhë. Ka nga ata deputetë që do të donin që reforma të ishte më e thellë, si për shembull për çështjen e rritjes së moshës, por gjykoj se kemi marrë një vendim të arsyeshëm, i cili respekton parametrat e vendosura nga ne, por nga ana tjetër nuk dëmton qytetarët me një rritje të menjëhershme të moshës. Rritja graduale me vetëm dy muaj në vit për gratë dhe mos rritja e moshës për burrat deri në vitin 2032, është një sjellje njerëzore ndaj një reforme që është vonuar prej 23 vitesh.

    box

    Veliaj: Kompanitë rrezikojnë licencën

    Zoti Veliaj, nga sot invalidëve u është dashur të paguajnë biletën e autobusit në të gjitha linjat urbane të qytetit. Ata e dinë se kjo është një kompetencë e Bashkisë së Tiranës, por ju si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, a keni bërë hapa konkrete që kjo shtresë të mos paguajë?

    Së pari, Bashkia e Tiranës duhet të kuptojë se çdo privilegj ka edhe përgjegjësi. Prej shumë kohësh, ajo kërkoi të merrte në administrim linjat e autobusëve dhe tani ka gjithë fuqinë që të caktojë çmimin e biletave. Por, sot po shkel një të drejtë kushtetuese, të cilën ligji ua njeh invalidëve si të drejtë për të udhëtuar falas. Ajo që po bën Bashkia, duke zbritur invalidët nga autobusi, së pari është çnjerëzore, dhe së dyti është edhe e paligjshme. Ne nuk mund ta bëjmë Bashkinë më njerëzore, por problemi ynë është pjesa e paligjshmërisë. Çdo licencë e dhënë për autobusët është firmosur nga kompanitë e autobusëve duke parë edhe një pikë, e cila thotë se kjo licencë jepet me njohjen e ligjit që invalidët të udhëtojnë falas. Kjo do të thotë se nëse i zbret nga autobusi, je duke shkelur licencën.

    Po cilit urdhër duhet t’i binden operatorët?

    Operatorët dhe Bashkia kanë bërë qartazi një marrëveshje, që duke i bërë presion qeverisë me zbritjen e invalidëve nga autobusi, të kenë mundësi të fitojnë më shumë para. Ata duan të marrin grante nga qeveria, si rimbursim për këta njerëz. Por, këtu ka një problem: Bileta e autobusit në Berat kushton 100 lek, ndërsa në Tiranë 300 lek. Pra, qeveria qendrore nuk mund të rregullojë çmimin e biletave për çdo bashki, sepse kjo është kompetencë e këshillave bashkiakë.

    Pra, këta njerëz duhet të kuptojnë se kur e do një lodër, duhet të përpiqesh edhe ta mirëmbash atë. Për sa kohë që nuk dinë ta bëjnë këtë, kanë dy mundësi: Ose t’ia kthejnë qeverisë qendrore administrimin e transportit urban, ose nëse duan ta mbajnë, atëherë ne do të veprojmë. I kam kërkuar Inspektoriatit të Punës që të kontrollojë të gjitha linjat e autobusëve dhe në ato linja që do ta vërejmë këtë anomali, kompanitë do të rrezikojnë licencën.

    Këto kompani e kanë marrë licencën duke nënshkruar se në Republikën e Shqipërisë invalidët udhëtojnë falas. Tani po mundohen të bëjnë presion me Bashkinë, për të marrë para të pamerituara nga qeveria. Çdo njeri e kupton se kjo është një mënyrë për të zhvatur para nga buxheti i shtetit. Por, dua t’ju kujtoj se paratë nuk janë të shtetit, por të vetë qytetarëve që paguajnë taksa. Të kërkosh të ndash paratë mes Bashkisë dhe shoqatave të autobusëve është të predikosh një lloj Ungjilli që thotë se fitimet janë mbi njerëzit. Ndërsa, unë besoj tek Ungjilli që thotë se njerëzit janë mbi fitimin.

    box

    Abdulla Omuri: Qeveria të mbrojë të drejtat legjitime të invalidëve

    Invalidët jo vetëm që po paguajnë lekë për biletë, por në rast se kanë refuzuar, janë fyer nga fatorinot. Shqetësimin, Shoqata e Invalidëve të Punës ia bën të ditur Shoqërive të Transportit qytetas, por edhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Kreu i Shoqatës, Abdulla Omuri, tha se situata e krijuar ndodh për shkak se shoqëritë e transportit qytetas nuk zbatojnë ligjin. Situata është e njëjtë në Tiranë dhe në Shkodër, më pak e dukshme në qytete të tjera ku përdoret autobusi urban. “Shoqata e Invalidëve të Punës e Shqipërisë reagoi në rrugë institucionale për shkeljen e këtyre të drejtave nga operatorët privatë që kryejnë shërbimin e transportit urban, ku në disa raste është përdorur edhe dhunë psikologjike dhe fizike tek invalidët e punës duke i zbritur nga autobusët me forcë. Diskriminim i hapur njerëzor dhe mbi të gjitha edhe penal. Duke u ballafaquar me një fakt të tillë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe konkretisht Ministri Veliaj, bëri një udhëtim vetë në urban për të parë gjendjen konkrete. Ne e falenderojmë Ministrin, i cili krahas verifikimit të gjendjes reale iu drejtua edhe me një shkresë zyrtare njësive të Qeverisjes Vendore për dijeni edhe Prefektëve, për zbatimin e ligjit për shtresat në nevojë. Me keqardhje, dua të pohoj se në bazë të verifikimeve tona në terren, aktualisht vetëm Tirana dhe Shkodra nuk e zbatojnë ligjin për transportin e shtresave në nevojë falas. Me këtë rast iu bëj apel të gjitha njësive të qeverisjes vendore, të cilët janë përgjegjësit kryesor për zbatimin e ligjit për shtresat në nevojë, duke ditur se të gjithë operatorët që kryejnë transportin publik lidhin kontratë me njësitë e qeverisjes vendore”, tha ai. Shoqata i bën apel Qeverisë të mbrojë të drejtat legjitime të invalidëve dhe të marrë masa ndaj cilitdo shkelës të ligjeve në fuqi. “U bëj apel të gjithë atyre individëve të zgjedhur apo jo, që kryejnë funksione publike, të mos i politizojnë të drejtat tona dhe aq më keq të mos tallen me gjendjen tonë shëndetësore duke na ofenduar, duke na diskriminuar psikologjikisht e fizikisht. I bëjmë apel Qeverisë të mbrojë të drejtat tona legjitime dhe të marrë masa ndaj cilit do shkelës të ligjeve në fuqi. Shoqata e Invalidëve të Punës e Shqipërisë si përfaqësuesja legjitime e mbi 70 mijë invalidëve të punës në vend, do të marrë të gjitha nismat demokratike në lidhje me mbrojtjen e të drejtave ligjore të invalidëve të punës”.

    Sugjerimet e specialistëve për reformën e pensioneve

    Nonda Buxhuku: Ja formula ideale për pensionin

    Tabela e llogaritjes së pensioneve

    Mirë do të ishte që reforma në pensione të fillonte nga përcaktimi i minimumit jetik, i kërkuar shpesh nga shoqatat dhe sindikatat e pensionistëve. Kjo do të thotë që pasi të caktohet minimumi jetik, baza (minimalja) që të sigurojë të paktën një standard jetese minimal, mbi këtë bazë të jepet shtesa për kontributet e dhëna gjatë viteve të siguruara të punës, duke e kombinuar këtë, që kush ka kontribuar më shumë të marrë më shumë.

    Formula: Pension minimal + 1 % për çdo vit pune të siguruar mbi pagën mesatare mujore = Përfitim (pension)

    Paga mesatare mujore

    Llogaritja e pensionit të plotë të pleqërisë

    Pensioni

    bazë

    Shtesa 1% për çdo vit pune të siguruar

    Për 35 vjet Shuma në lekë Për 40 vjet Shuma në lekë Raporti pagë/pension
    22 000 12 024 7 700 19 724 8 800 20 824 94,6
    30 000 12 024 10 500 22 524 12 000 24 024 80,1
    40 000 12 024 14 000 26 024 16 000 28 024 70,0
    50 000 12 024 17 500 29 524 20 000 32 024 64,0
    60 000 12 024 21 000 33 024 24 000 36 024 60.0
    70 000 12 024 24 500 36 524 28 000 40 024 57,2
    80 000 12 024 28 000 40 240 32 000 44 024 55,0
    90 000 12 024 31 500 43 524 36 000 48 024 53,4
    100 000 12 024 35 000 47 024 40 000 52 024 52,0
    110 000 12 024 38 500 50 524 44 000 56 024 50,9
    120 000 12 024 42 000 54 024 48 000 60 024 50,0
    130 000 12 024 45 500 57 524 52 000 64 024 49,2
    140 000 12 024 49 000 61 024 56 000 68 024 48,6
    150 000 12 024 52 500 64 524 60 000 72 024 48,0

    Interpretimi i tabelës

    -Llogaritja e përfitimit të pensionit, paraqitur si më sipër, bazohet në formulën bazë të përcaktuar në pikat 1, 2 dhe 3 të Nenit 32 të Ligjit në fuqi të Sigurimeve Shoqërore, ku përcaktohet se pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Pensioni bazë përfaqëson pensionin minimal, ndërsa shtesa llogaritet 1 % mbi pagën mesatare mujore për çdo vit pune të siguruar. Kjo llogaritje nuk kushtëzohet me pikën 4 të Nenit 32 që nuk lejon që shuma e llogaritur si më sipër të jetë sa dyfishi i pensionit bazë ose 75 % e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 viteve të fundit të punës, cila të jetë më e vogël.

    – Sipas kësaj formule llogaritjeje, çdo pension është 6 871 lekë më shumë nga pensioni i llogaritur sipas skemës së re të prezantuar, ku si pension bazë merret pensioni social prej 5 153 lekë.

    – Pensioni i llogaritur mbi pagën mesatare minimale prej 22 000 lekë (që fillon në vitin 2015) rezulton të jetë me 35 vjet punë, 19 724 lekë dhe me 40 vjet vjetërsi 20 824 lekë ose sa 94,6 % e pagës, pension ky i arsyeshëm.

    – Pensioni me pagë mesatare mujore 30 000 lekë dhe me vjetërsi pune 40 vjet arrin shumën 24 024 lekë apo sa është pensioni maksimal, që me Ligjin në fuqi të Sigurimeve Shoqërore nuk siguron dot.

    – Me pagë mesatare mujore 50 000 lekë, me 35 vjet punë, sipas formulës që rekomandoj, pensioni rezulton 29 524 lekë ose 5 476 lekë më shumë se pensioni maksimal sot prej 24 047 lekë; ndërsa në 40 vjet punë, pensioni rezulton 32 024 lekë ose 7 975 lekë më shumë se pensioni maksimal sot.

    – Me pagë mesatare mujore 100 000 lekë dhe 40 vjet vjetërsi pune, pensioni rezulton 52 024 lekë, pra më shumë se dyfishi i pensionit maksimal sot ose 27 976 lekë më shumë. Pra, ndihet rritja e pensioneve me pagat e larta.

    – Dhe me pagën mesatare mujore 150 000 lekë e 40 vjet vjetërsi pune pensioni rezulton të jetë 72 024 lekë ose sa trefishi i pagës maksimale sot.

    Llogaritja e pensionit të pleqërisë sipas formulës së mësipërme me rritjen e vjetërsisë në punë nga 35 në 40 vjet dhe me pagesat e kontributeve në masën 21,6 % (për pensionet e pleqërisë) mbi të gjithë pagën që merr më të ardhurat mbulohen shpenzimet dhe shteti nga viti në vit lehtësohet nga subvencionet për pjesën e pensioneve të pleqërisë.

    Me përjashtim të pensionit që përfitohet nga paga mesatare mujore minimale prej 22 000 lekësh, që me kontributet nuk mbulohen plotësisht përfitimet, duke filluar nga paga 300 000 lekë, me një përfitim pensioni mesatarisht për 10 vjet (kujtojmë se mosha e daljes në pension rritet, ndërsa përfitimi në vite zvogëlohet) pagesat e kontributeve mbulojnë dhe tejkalojnë shpenzimet për pagesat e pensioneve.

    Fadil Kepi: Mendime për reformën e pensioneve:

    1-Një ndër masat e rëndësishme është edhe zgjerimi i kompetencave të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të kontrolluar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për numrin e punonjësve të siguruar në shkallë vendi në çdo qendër pune, përfshi dhe bizneset e të gjitha llojeve për të arritur sa më shpejt që asnjë punonjës të mos jetë i pasiguruar. Më duket i drejtë shqetësimi i  Kryetarit të Kontrollit të Lartë i Shtetit që ky organ aktualisht nuk ka të drejtë të kontrollojë Drejtorinë e Tatimeve! Gjithashtu, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Inspektorati Shtetëror i Punës, auditet e çdo dikasteri etj. të kontrollojnë me imtësi nëse pajisen të gjithë punonjësit kur fillojnë punë me libreza pune, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, etj.

    2-Sigurimet në bujqësi nga vullnetare që janë sot të bëhen të detyrueshme deri ditën e plotësimit të moshës së pensionit.

    3-Të hiqet termi “pension social” për personat që plotësojnë moshën 70 vjeç, por të vazhdojë që kësaj kategorie t’i jepet ndihmë ekonomike, ose të dërgohen në shtëpitë e të moshuarve. Dhënia e pensioneve sociale pa punuar fare i siguruar, do të “nxisë” informalitetin, duke stimuluar ata që janë mbi moshën 55 vjeç të mos sigurohen.

    4-Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në vitin 2011 mosha mesatare e jetës ishte 78,5 vjet nga 53,5 vjet që ka qenë në vitin 1950, ose është rritur 25 vjet. Për rrjedhojë ka vend që të shtohen me shumë kujdes, në varësi të këtij treguesi, edhe moshat e daljes në pension siç kanë bërë shumë shtete. Nuk jam dakord që mbas vitit 2032 të vazhdojë rritja e moshave të pensionit për femra nga 63 vjeç deri në moshën 67 vjeç, por mosha maksimale e pensionit të femrave të mbetet 63 vjeç, edhe për faktin se rritja e moshave të pensionit do të bëjë që të futen më pak të reja e rinj në punë për të zëvendësuar personat që dalin në pension.

    5-Duke u nisur nga papunësia e lartë, krahas rritjes së moshave të pensionit, të vazhdojë dalja me dëshirë në pension të reduktuar për femra e meshkuj deri 3 vjet para plotësimit të moshës për pension të plotë.

    6-Aktualisht, sipas Kushtetutës së vendit tonë, anëtarët e Gjykatës së Lartë dalin në pension 65 vjeç dhe ato të Gjykatës Kushtetuese 70 vjeç, pavarësisht nga gjinia. Ky fakt e  bën të domosdoshme që para miratimit të Reformës së Pensioneve nga Kuvendi i Shqipërisë të ndryshohet Kushtetuta.

    7-Meqenëse paga e punonjësve mbi të cilët është llogaritur pensioni, sipas ligjit, është tatuar, mendoj që në ligjin për reformën e pensioneve të përcaktohet që pensionet, pavarësisht nga shuma, të mos tatohen. (Ledi: është tatuar një herë rroga, pse prapë pensioni?)

    8-Në draftin për reformimin e pensioneve është përcaktuar se pensione të pjesshme do të përfitojnë personat të cilat kanë gjithsej të paktën 15 vjet punë të siguruara në vendin tonë. Mbi këtë fakt u sugjeroj të gjithë shtetasve shqiptarë, përfshirë edhe ata/ato në emigracion që të sigurohen vullnetarisht në Shqipëri, sepse janë shumë të leverdisshme, pavarësisht se punojnë të siguruar ose jo në vendet ku jetojnë.