Ngërçi i Reformës Zgjedhore/ Prishja e Marrëveshjes së 5 qershorit, nuk është faji i të të gjithëve, por vetëm i Ramës dhe i Yuri Kim

292
Sigal

 

“Ne i kujtojmë kryeministrit Edi Rama, Lulzim Bashës dhe të gjithë udhëheqësve të tjerë të gjitha angazhimet që ata kanë bërë në lidhje me Marrëveshjen e 5 qershorit dhe çdo masë përtej kësaj. Angazhimi, propozimet dhe kundër-propozimet duhet të jenë me mirëbesim. Gjithmonë do t’ju mbështes, por JU – udhëheqësit – jeni pala përgjegjëse”, – shkruan Yuri Kim. Zonja ambasadore foli pas ditësh të tëra, madje të nesërmen që “Rilindja” e bëri fakt, që për herë të parë do bëjë ndryshimet zgjedhore pa pyetur të tjerët, përveç Myslym Murrizit, Kujtim Gjuzit dhe kanakaren e ambasadores, Rudina Hajdarin. Por, heshtja e Rrugës së Elbasanit kishte kohë që bënte përshtypje. Pati zëra që ju drejtuan asaj dhe prisnin që garantja e Marrëveshjes së 5 qershorit të mbrojë besën që ju dha në shtëpi, si mikpritëse. Ajo gjeti zgjidhjen më mediokre, duke i futur të gjithë në një thes dhe duke ua ndarë fajin të gjithëve, me peshore farmacisti. Po përse duhet të mbajë përgjegjësi Lulzim Basha, apo dikush tjetër në opozitë se marrëveshjen e sajuar në shtëpinë e zonjës Kim e shkel “divi” i saj, Edi Rama? Dhe, kjo u duk sheshit që Marrëveshja mori udhën e qoftëlargut, qysh kur Edi Rama me karavidhet e “opozitës parlamentare” bëri ndryshimet kushtetuese duke u betuar se nuk do e prekte Marrëveshjen e 5 qershorit. Tani, me atë që po gatuan këto ditë kjo marrëveshje është krejt e pavlerë. Ekziston vetëm në kujtimet romantike të zonjës Yuri Kim, kur kërcënonte Luli Bashën, që topin ia kishte lënë atij. Prandaj, kërcënimet qesharake të zonjës Kim dhe futja në një thes e të tërëve, në mënyrë që të pakësojë me sa të mundë fajet e të sponsorizuarit të saj, Edi Rama, janë krejt të kota. Përgjegjësi i parë është padyshim Edi Rama, se ai po prish Marrëveshjen dhe po përmbys rregullat e lojës. Përgjegjësja e dytë është vetë Yuri Kim që mori përsipër të bëjë garanten, por sot del se nuk ia vë më njeri në pullë prej qeverisë. “Rilindasit”, jo vetëm nuk kanë frikë prej saj, por po e bëjnë qesharake, duke mos ia fërshëllyer. Yuri Kim ka përgjegjësi ndaj shefit të saj zotit Mike Pompeo që si kurrë ndonjëherë përshëndeti një marrëveshje partiake të një vendi të vogël, të cilin me gjasë Presidenti Trump rrezik e di në kufi me Palestinën, ose ndonjë xhep arabik. Mike Pompeo ishte vula e garancisë. Grisja e marrëveshjes nga Edi Rama, është fyerje për zotin Pompeo dhe qeverinë amerikane. Për këtë fajtore është veç zonja Yuri Kim, prandaj në 1 tetor votat e Rilindjes janë ndëshkim shumë i rëndë për ambasadoren. Shqiptarët nga ana e tyre do kenë sërish fatin e keq të bien sërish në diktaturë, prapë nën hundën e aleatëve të tyre miopë që aq shumë i duan.