Nesër testi i Matematikës, ç’duhet të dinë 46 mijë maturantët nga i gjithë vendi

    419
    Rreth 46.070 maturantë në mbarë vendin i nënshtrohen nesër provimit të tretë të Maturës Shtetërore për këtë vit, konkretisht provimit matematikës me detyrim. Provimi fillon në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë plot 2 orë e 30 minuta. Pyetjet e provimit janë bazuar në programet e matematikës së gjimnazit sipas klasave të ndryshme, përfshin njohuritë dhe aftësitë më të rëndësishme të këtyre programeve. Modelimi matematik, aftësia për të zgjidhur problema, aftësia për të përdorur njohuritë matematike në situata nga jeta reale dhe në problema me përmbajtje nga shkencat e tjera, aftësia e të menduarit kritik, aftësia për të argumentuar, për të gjykuar, për të vërtetuar, si dhe aftësitë ndërkurrikulare të kurrikulës së gjimnazit duhet të jenë në vëmendje të nxënësve përgjatë provimit të matematikës. Testi i matematikës, ashtu si edhe dy testet e kaluara përmbajnë 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim, ndërsa totali i pikëve është 50 pikë. Ndërkohë me rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, është përcaktuar që maturantët të cilët i nënshtrohen provimeve, duhet minimalisht tw grumbullojnë 20% të totalit të pikëve, që të quhet kalues. Të gjithë maturantët të cilët i nënshtrohen provimeve me detyrim, përfshirë edhe dy testet e gjuhës së huaj dhe të gjuhës shqipe e letërsisë, gjithashtu edhe testit të matematikës i cili zhvillohet nesër, duhet të grumbullojnë jo më pak se 10 pikë në secilin prej provimeve që të konsiderohen kalues. Ky është testi i parafundit për Maturën 2015, pasi me 19 qershor maturantët do t’i nënshtrohen edhe testit të fundit, atij të lëndëve me zgjedhje, provim i cili luan rolin kryesor në përcaktimin e degës për të cilën do vazhdojnë studimet e larta. 
    Tabela e peshave sipas linjave në përqindje
    Nr   Linjat     Përqindja
    1 Numri dhe veprimet me numra   7%
    2 Matja                                         10%
    3 Algjebra                                     10%
    4 Funksioni                                   15%
    5 Gjeometria                                  25%
    6 Njehsimi diferencial e integral     20%
    7 Statistikë, probabilitet dhe kombinatorikë 13%
    Nxënës kujdes, masa ndëshkuese nga kopjimi
    Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sporti (MAS) në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Arsimore (DAR) në të gjithë vendin, mësohet të ketë caktuar persona të veshur civil për monitorimin e provimit, të cilët do të shpërndahen në të gjitha shkollat në mbarë vendin për të evidentimin e rasteve ku teza zgjidhet nga jashtë, me qëllim marrjen e masave ndëshkuese dhe ndalimin e një fenomeni të tillë. Marrja e masave për mbarëvajtje është njoftuar edhe vitet e kaluar, por nuk ka rezultuar e tillë, pasi shumë shkolla janë përfolur se kanë abuzuar duke shkelur rregullat dhe studentët janë ndihmuar nga jashtë ambienteve të klasave. Një numër i konsiderueshëm i maturantëve (kryesisht në zonat rurale) vitet e kaluara kanë qenë të pajisur me telefona celularë dhe testet nuk i kanë zgjidhur vetë por janë ndihmuar nga persona të tjerë nga jashtë, çka ka ndikuar në prishjen e mbarëvajtjes së provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore.
    Ja datat e provime të Maturës Shtetërore 
    1. 23 Maj, Gjuha e huaj
    2. 29 Maj, Gjuha shqipe dhe letërsi
    3. 9 Qershor, Matematika
    4. 19 Qershor, Provimet me zgjedhje 
    Sigal