“Në kopështe dhe çerdhe, ose vidhet ushqimi, ose janë të gjitha të skaduara”

    431
    Dhjetëra prindër janë ankuar në drejtoritë e kopështeve dhe çerdheve, pasi sipas tyre, prej kohësh fëmijët e tyre ankohen dhe paraqesin simptoma shqetësuese për shëndetin. Por pasi nuk janë bindur ata kanë trokitur edhe në Drejtorinë Arsimore Rajonale Elbasan, lidhur me kequshqyerjen e fëmijëve të tyre në kopështe dhe çerdhe, dhe problemet e tjera që lidhen me ambientet dhe higjenën atje. E ndërsa DAR e kalon “topin” tek Drejtoria Ekonomike, duket se ky problem ka muaj dhe vite që mbetet kronik. Prindërit e fëmijëve ankohen se fëmijët e tyre në kopështe dhe çerdhe, kanë patur dhe kanë shpesh probleme me shëndetin, pasi edhe ushqimet e gatuara në kuzhina, shpesh është bajat dhe u provokon atyre të vjella apo dhe diarre, ftohje dhe bronkopneumoni etj. Sipas një prindi që prej 2 vitesh e ka të regjistruar fëmijën e tij në një nga kopështet e Elbasanit, diku pranë qendrës së qytetit “brënda 2- muajve vajza ime ka patur probleme me shëndetin, ka ardhur me të vjella, ose me diarre, ushqimin e kanë skandaloz, ose vidhet nga personeli ose e gatuajnë me ushqime të skaduara”. Problemin e saj zonja e ka bërë present edhe në DAR, por atje i kanë thënë se “kjo nuk varet nga ne zgjidhja e këtij problemi, por nga Drejtoria Ekonomike e Arsimit, ndaj shko ankohu atje”. Ping-pongu mes dy drejtorive, shmangia e përgjegjësive dhe rastet e shumta të ndodhura me fëmijë të sëmurur nga mungesa e ushqimeve të freskëta, ka nxitur shpesh Drejtorinë e Shëndetit Publik të merret me kontrollet si me higjenën ashtu edhe me kontrollet e produkteve ushqimore që furnizojnë kopështet dhe çerdhet e Elbasanit. Por problem duhet parë edhe brënda këtyre institucioneve, që kanë detyrimin të kujdesen dhe mbikqyrin gjatë gjithë kohës klasat dhe dhomat që janë me mbingarkesa të fëmijëve. Shpesh edukatorët tregojnë mungesë kujdesi, mungesë vëmëndje ndaj fëmijëve, dhe kjo ndodh edhe nga drejtueset e kopështeve dhe çerdheve. Në Elbasan ka patur mjaft raste flagrante kur fëmijët janë aksidentuar, janë sëmurur dhe prindërit e tyre janë njoftuar vetëm në oraret e pasdrekës. Por prindërit ngrejnë edhe një shqetesim tjetër veç faktit se në kopështe ka mbingarkesë, mungesë higjene dhe ushqimi të freskët dhe të kontrolluar. Ata shprehen se “kemi parë të mbushen çantat e personelit, ndoshta me ushqime kur vjen orari që mbyllet institucioni, dhe kjo gjë është konstatuar prej kohësh, por ka patur mungesë të masave dhe kontrolleve”. Prindërit thonë se “kur marrin fëmijët, na vijnë jo vetëm pis nga rrobat dhe fytyra, por edhe me nga një pako biskote të skaduar, ose banana të prishur që e marrin nga kopështi ose çerdhja, ndërkohë që na kërkohet çdo muaj pagesa e cila nga viti në vit rritet ”. Shpesh në kopështe mungon edhe uji i pijshëm, për shkak të defekteve dhe prerjeve të paligjshme, ku Ujësjellësi nuk mungon të ndëshkojë kolektivisht bashkë me banorët e lagjeve edhe institucionet e fëmijëve. Ata kërkojnë furnizimin me produkte ushqimore të freskëta për kopështet dhe çerdhet, kontrolle të rrepta për silësinë e ushqimeve, dhe personelin, për të larguar defektet dhe dyshimet që kanë lindur me të drejtë nga shumë prindër.
    Sigal