Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, transport publik falas në linjat e Tiranës

    360
    Në 1 Tetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, të gjithë personat që kanë mbushur moshën e pensionit do t’u ofrohet transport publik falas në linjat e Tiranës qytet. Nesër, gjyshet dhe gjyshërit tanë do të jenë në vëmendje të Bashkisë së Tiranës me një sërë shërbimesh, ku përveç transportit publik falas, përfshihet edhe vendosja e stolave të rinj në parqet e frekuentuara prej tyre. Këshilltarja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erka Mato, njoftoi sot disa nga nismat konkrete të bashkisë për 1 Tetorin, duke e vënë theksin te nevojat që kanë gjyshet dhe gjyshërit e Tiranës.
    Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve çdo person që është i pajisur me një librezë pensioni mund të udhëtojë falas në linjat e autobusëve të Tiranës qytet. “Një ndër nismat e tjera të bashkisë është edhe sigurimi i transportit publik falas në të gjitha linjat e transportit publik të Tiranës qytet, për të gjithë personat që kanë mbushur moshën e pensionit, duke pasur parasysh se duhet të mbajnë me vete edhe librezën e pensionit”, sqaroi ajo.
    Mandej, Bashkia e Tiranës fton të gjitha lokalet e qytetit që t’i bashkohen nismës së saj për të ofruar kafe falas për gjyshet dhe gjyshërit e Tiranës në orët e paradites. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të saj që sipas mundësive të kontribuojnë duke dhuruar kohë ose ndihmë në Shtëpinë e të Moshuarve të Tiranës, si mënyra më e mirë për të treguar se gjyshet dhe gjyshërit tanë janë pjesë e rëndësishme e jona.
    Sigal