Në 5 prill mbyllet afati për paraqitjen e kandidaturave për punësim në Itali, ja dokumentet

    435
    Sigal

    Kandidatët e përzgjedhur do të kenë mundësinë për të marrë pjesë në kurset e formimit

    Në datën 5 prill mbyllet afati për paraqitjen e kandidaturave që duan të punësohen në Itali për punë të ndryshme. Aplikimi për punësim bëhet në kuadër të Memorandumit të mirëkuptimit, të nënshkruar në datën 19 korrik 2011 ndërmjet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale të Republikës Italiane, që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e migracionit për arsye punësimi.

    Përzgjedhjen e kandidaturave që do të pasohet nga përzgjedhja e 200 shtetasve shqiptarë, që do të bëhet nga Shoqëria Adeço SPA (në vijim “enti i autorizuar”). Kandidatët e përzgjedhur do të kenë mundësinë për të marrë pjesë në kurset e formimit që do të realizohen në kuadër të projekteve të zbatuara nga enti i autorizuar.

    Kategoritë që pranohen

    Paraqitjen e kandidaturave mund ta bëjnë personat:

    -kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç,

    -janë të interesuar të zhvillojnë një aktivitet punësimi në Itali në sektorët e renditur në pikën 4 në vijim,

    -nuk kanë qenë të dënuar nga organet gjyqësore ose në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale,

    -nuk janë të shënuar në sistemin SIS (Schengen Information System) si të papranueshëm në territorin e vendeve të zonës Schengen (në bazë të nenit 32, Titulli III i kodit komunitar të vizave),

    -nuk zotërojnë leje qëndrimi për arsye pune në Itali apo leje qëndrimi afatgjatë.

    Sektorët e punësimit

    Sektorët e punësimit për të cilët mund të paraqiten kandidaturat janë si më poshtë:

    1. Hoteleri – Turizëm

    2. Punonjës metalesh dhe mekanikë

    3. Fizioterapi dhe Teknikë Ortopedike

    4. Pastrim dhe mirëmbajtje e thjeshtë

    Mënyrat e regjistrimit të kandidaturave

    Kandidaturat do të mund të paraqiten deri më 5 prill 2013 (në oraret e funksionimit të zyrave), duke plotësuar një formular të posaçëm regjistrimi, i cili mund të gjendet në faqen e internetit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (vvvvvv.mpcs.gov.al) si edhe pranë të gjitha Sporteleve të Migracionit. Formulari i plotësuar i regjistrimit duhet dorëzuar personalisht, së bashku me një dokument identifikimi, në Sportelet e Migracionit pranë Zyrave Rajonale dhe Vendore të Punësimit, ku do të merret një kod personal për kryerjen e regjistrimit.

    Regjistrimi është i mundur në Sportelet e Migracionit në qytetet e treguara në vijim:

    Berat, Bulqizë, Burrel, Delvinë, Devoll, Durrës, Elbasan, Ersekë, Fier, Gjirokastër, Gramsh, Has, Kavajë, Korçë, Krujë, Kuçovë, Kukës, Laç, Lezhë, Librazhd, Lushnje, Mallakastër, Malësi e Madhe, Mirditë, Peqin, Peshkopi, Pogradec, Pukë, Përmet, Sarandë, Shkodër, Skrapar, Tepelenë, Tiranë, Tropojë, Vlorë.

    Kandidatët mund të regjistrohen vetëm në Sportelin e Migracionit të rajonit të tyre administrativ. Nuk do të merren parasysh kandidaturat që do të mbërrijnë mbas orës 14:00 të datës 5 prill 2013. Kandidatëve duhet të specifikojnë, në formularin e regjistrimit, çdo vërtetim apo certifikatë të marrë, veçanërisht për sa i përket njohjes së gjuhës italiane. Për shembull, këshillohet të tregohet kryerja e kurseve të gjuhës italiane pranë Institutit Italian të Kulturës apo qendrave të tjera të formimit, shkollat dygjuhëshe, shkollat që janë pjesë e programit Iliria, përvoja studimi në Itali, etj.

    Procesi i përzgjedhjes në 5 faza

    1. Para-përzgjedhja e bazuar mbi kandidaturat (për t’u futur në intervistë).

    2. Intervista përzgjedhëse tekniko-motivuese (për t’u futur në kurset e formimit).

    3. Frekuentimi i kursit të formimit.

    4. Provimi përfundimtar për të verifikuar aftësitë dhe shkallën e njohjes së gjuhës italiane (vetëm për personat që do të kenë ndjekur të paktën 80% të orëve të kursit formimit)

    5. Regjistrimi në listat e preferencës me qëllim punësimin në Itali, mbi bazën e rezultatit të provimit përfundimtar. Një fazë e parë e përzgjedhjes do të kryhet mbi bazën e kandidaturave të paraqitura që do të vlerësohen nga ana e Ministrisë shqiptare të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, si edhe nga enti i autorizuar, në bazë të kritereve objektive sikurse janë treguar në vijim:

    • Niveli i arsimit

    • Përvoja pune të mëparshme në sektor

    • Niveli i njohjes së gjuhës italiane

    • Përvoja pune të mundshme në Itali dhe/ose jashtë shtetit

    • Një vërtetim i mundshëm i pjesëmarrjes në kurse formimi profesional në sektor

    Ata që do të rezultojnë të përshtatshëm, do të duhet që të paraqiten në një intervistë tekniko-motivuese me entin e autorizuar. Kandidatët e përzgjedhur për intervistë do të njoftohen në rrugë telefonike në numrin e telefonit që do të depozitojnë në momentin e regjistrimit. Kandidatët që do ta kalojnë fazën përzgjedhëse të intervistës tekniko-motivuese, do të marrin pjesë në kurset e formimit të miratuara nga Ministria Italiane e Punës dhe të realizuara në kuadër të projektit të zbatuar nga enti i autorizuar. Me përfundimin e kursit të formimit pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një provimi përfundimtar, i cili ka si objektiv verifikimin e aftësive dhe nivelin e njohjen e gjuhës italiane që kanë arritur.

    Sektori 1: Hoteleri– Turizëm

    Sektori hoteleri – turizëm është pjesa e sektorit industrial dhe tregtar që merret me ofrimin e shërbimeve të pritjes përmes strukturave pritëse (hotele, pensione, fjetina, kamping) dhe shërbime të tjera që lidhen me to (për shembull shërbime ushqimi dhe zbavitjeje).

    Profilet kryesore të kërkuara:

    1. Portier hoteli/recepsionist

    2. Punonjës për rezervimet

    3. Punonjës administrate

    4. Shërbim kati: mbajtës bagazhesh, kamerier/e kati, guvernante

    5. Restorant: kamerier salle, punonjës në sallën e mëngjesit, banakier, punonjës në fast-food

    6. Kuzhinë: kuzhinier specialiteti, ndihmës kuzhinier, pjatalarës

    7. Punonjës mirëmbajtjeje të strukturës dhe pajisjeve teknike

    Sektori 2: Përpunim metalesh dhe mekanikë

    Sektori i përpunimit të metaleve dhe mekanikës është sektori industrial që, duke u nisur nga përdorimi i lëndëve të para dhe/ose produkteve gjysmë të gatshme të industrisë metalurgjike, realizon prodhimin e produkteve të gatshme të llojeve dhe kompleksiteteve të ndryshme. Sektorët shembuj mund të jenë: prodhimi i makinerive, prodhimi i veglave të punës, prodhimi i impianteve industriale, struktura metalike, ndërtim mjetesh transporti (trena, aeroplanë, makina, etj.), industria e çelikut.

    Profilet kryesore të kërkuara:

    1. Programues për kontroll numerik të kompjuterizuar / përgatitës makinerie

    2. Saldator

    3. Elektricist

    4. Montator Mekanik

    5. Operator për kontroll numerik të kompjuterizuar

    Sektori 3: Fizioterapi dhe teknikë ortopedike

    Sektori i fizioterapisë është sektori i përkujdesjes së personave që merret me ndërhyrje të parandalimit, kujdesit dhe rehabilitimit të zonave të lëvizjes, funksioneve të jashtme dhe të brendshme në vijim të ngjarjeve patologjike, nga shkaqe të ndryshme, të lindur ose të fituar.

    Profilet kryesore të kërkuara:

    1. Fizioterapist

    2. Teknik Ortopedik

    Sektori 4: Shërbime pastrimi dhe mirëmbajtje të thjeshtë

    Sektor që përmes përdorimit të teknologjive, produkteve, pajisjeve dhe makinerive ofron shërbime pastrimi dhe mirëmbajtjeje në sektorin civil, industrial, spitalor dhe hotelier.

    Shërbimi i pastrimit në përgjithësi parashikon mirëmbajtjen higjienike të zyrave, komplekseve, fabrikave, rrugëve, shesheve dhe mjeteve të transportit, higjienizimin e impianteve teknologjike dhe pastrimin e hangarëve, zgarave, presave, impianteve të lyerjes, makinerive, stampave.

    Profilet e kërkuara:

    1. Punëtor/e pastrimi

    2. Punëtor/e mirëmbajtje