Ndregjoni në takim me Fylen/ Të përndjekurit politikë, një nga 5 prioritetet

    415
    Sigal

    Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, në takimin që pati me komisionerin e BE, vlerësoi dhe falënderoi Komisionerin Fyle për kontributet që jep në realizimin e aspiratave të shqiptarëve për t’u pranuar Shqipëria si vend kandidat për në Bashkimin Europian. “Ne, ish të përndjekurit politikë shqiptarë që kaluam një kalvar vuajtjesh dhe përballuam me një stoicizëm të paparë diktaturën staliniste deri në vitet ‘90, me një bilanc tragjik që nuk e kaloi asnjë vend tjetër europian, është e interesuar që sa më shpejt Shqipëria të jetë vend kandidat në BE. Më lejoni zoti Fyle, t’ ju sjell në vëmendje se bilanci i krimit komunist, ku persekutoi klasën intelektuale pronare dhe shkatërroi në mënyrë masive mijëra familje ku numërohen 5577 burra të pushkatuar me dhe pa gjygje, 450 gra të pushkatuara, 26 768 burra të burgosur për motive politike dhe 7367 gra të burgosura politike, kanë vdekur në burgjet komuniste nga torturat 998 burra e 45 gra. Tre qind e tetë burra e gra janë çmendur nga torturat, 50.000 familje janë internuar, ku në këto kampe kanë vdekur 7022 nga uria dhe torturat, 354 shtetas të huaj janë pushkatuar dhe në mes tyre dhe 95 shqiptarë të Kosovës. Këto janë realitete të diktaturës staliniste shqiptare. Asnjë grup tjetër shoqëror nuk adresohet duke krijuar idenë se pjesa më e madhe e të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë shtresat shoqërore, kulturore, pakicat me nevoja të veçanta, nuk përfshihen ish të dënuarit politikë dhe të përndjekurit politikë viktima të diktaturës 1944-1991 dhe duke mbijetuar 1991-2014. Prej 23 vitesh kemi konsistuar në përmirësimin e mekanizmave institucionale për zgjidhjen e nevojave thelbësore të shtresës së dënuar, të vrarëve dhe të zhdukurve pa gjyq e një pjese e tyre e mbetur akoma në kampet e internimit janë të harruar nga ky shtet. Gjatë këtyre 22 viteve, ka punuar dhe studiuar në mënyrë sistematike Qendra Shqiptare e Traumës dhe Torturës, e cila ka dhënë një ndihmesë të madhe në trajtimin e të përndjekurve politikë. Lidhur me çështjen e Drejtësisë Restauruese dhe integrimi i të përndjekurve politikë dhe familjet e të afërmve të tyre, mekanizmat e drejtësisë dhe institucioneve përkatëse nuk duan të angazhohen. Rasti i Shqipërisë është një demonstrim, se pa një mekanizëm kuptimplotë të drejtësisë restauruese shanset për turbullira sociale dhe ngecja e proceseve demokratike, mbeten të larta dhe 20 vite mbas ndryshimit të regjimit. Po ashtu heqja e simboleve dhe titujve të regjimit diktatorial, jo vetëm që nuk është realizuar, por në media është duke u ndërmarrë një fushatë në rritje për të rivlerësuar diktaturën. Dëmshpërblimi financiar nuk është një lëmoshë, por një detyrim ligjor, kushtetues, dhe çdo politizim e kësaj të drejte themelore ndërkombëtare të njeriut është absurditet. Të përndjekurit politikë nuk janë shtresë në nevojë, por janë ata familje intelektuale që meritojnë një vëmendje të madhe”, tha Ndregjoni. Komisioneri Fyle, theksoi se: “Shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut për BE-në është e papranueshme dhe ju të përndjekurit politikë do të jeni në vëmendje të BE-së. Ky detyrim ligjor i Kushtetutës është një ndër 5 prioritetet që ka për të përmbushur Kryeministri Rama dhe qeveria e tij. BE, është shumë e vëmendshme ndaj të drejtave të ish të përndjekurve politikë dhe do të kërkojë zbatimin e ligjit dhe të konventave ndërkombëtare për këtë shtresë sa fisnike dhe aq paqësore. Edhe njëherë ju lutem Z. Ndregjoni, u transmetoni të mbijetuarve të diktaturës vlerësimin dhe vëmendjen tonë nderuese ndaj sakrificave të tyre dhe siguroi se ndihma jonë në rehabilitim e tyre do të jetë e pakontestueshme”.