Ndahet nga jeta Prof. Dr Viron Kola, patriarku i Kimisë -Fizike shqiptare

    688
    Sigal

    Vlerësime dhe nderime nga kolegët për kontributin e Prof. Dr. Viron Kolës

    Në datë 18 dhjetor 2012 është ndarë nga jeta në moshën 81- vjeçare Prof. Dr. Viron Kola, një ndër profesorët më të nderuar të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Prof. Prof. Dr Viron Kola, u nda nga jeta në Itali, edhe nderimet e fundit do i bëhen në Itali ditën e sotme nga të afërmit dhe miqtë e tij. Prof. Kola do të mbetet në memorien e atyre miqve dhe kolegëve që kanë pasur fatin të punojnë me të dhe e kanë njohur nga afër. Po ashtu profesori do të mbetet edhe në memorien e studentëve të tij që kanë marrë mësime nga ai, por jo vetëm kaq ai do mbetet edhe në memorien e brezave të ardhshëm. Ai do mbetet edhe në memorien e atyre që nuk patën mundësinë ta njihnin nga afër. Por brezat që do të vijnë do të kenë fatin që ta “njohin”  profesorin nëpërmjet librave dhe studimeve të shumta që ai ka bërë ndër vite dhe që janë një pasuri që do të mbetet dhe trashëgohen ndër breza.

    Puna dhe kontributi i vyer i Prof. Dr Viron Kolës ndër vite

    Veprimtaria mësimore shkencore e prof. Vironit ka qenë e gjerë dhe e shtrirë në vite.

    Në fillimet e degës së Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore nuk kishte kuadër të përgatitur për zhvillimin e kësaj disipline si përsa i përket leksioneve ashtu edhe praktikave laboratorike. Për këtë arsye erdhi në vendin tonë nga ish Bashkimi Sovjetik, nga universiteti Lomonosov i Moskës prof. Lebedjev, që ishte një autoritet shkencor në fushën e Kimisë Fizike. Pranë tij u atashua prof. Vironi, i cili pak kohë më parë kishte mbaruar studimet e larta për kimi në Hungari. Për një vit arsimor ai asistoi në leksionet e prof. Lebedjevit dhe realizoi ngritjen e laboratorit të Kimisë Fizike. Mbas këtij viti mësimor prof. Lebedjevi u largua dhe Viron Kola me përgjegjësi të plotë dhe kompetencë profesionale, mori mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të disiplinës së Kimisë Fizike. Mbi këtë bazë u krijua dhe ekipi përkatës brenda katedrës së Kimisë së Përgjithshme në përbërjen e të cilit ishin fillimisht Zotërinj të Hasan Karagjozi, Semiramis Alia, Hajdar Dangëllia dhe Alqi Çullaj. Është meritë e veçantë e prof. Vironit që krahas mësimdhënies dhe kompletimit me planet mësimore dhe programet u përcaktua si fushë kryesore e kërkimit shkencor të katedrës së Kimisë Fizike absorbimi dhe kataliza. Në këtë kuadër u drejtua vëmendja për studimin e gjithanshëm të vetive fizike dhe kimike të një pasurie shumë të rëndësishme kombëtare, mineraleve argjilore. Pothuajse për të gjithë vendburimet e argjilave të vendit u bënë përcaktime të vetive fizike dhe të përbërjes kimike të tyre, në gjendje natyrale. Më tej këto studime u thelluan me aktivizimin kimik për të përmirësuar vetitë ekzistuese dhe për të përfituar veti të reja. Kështu u arritën rezultate shumë të rëndësishme në optimizmin e kushteve të trajtimit të argjilave për ti përdorur ato si absorbentë, katalizatorë dhe mbushës. U studiuan kështu vetitë e tyre absportive për t’u përdorur si absorbentë në industrinë ushqimore për pastrimin e vajrave bimorë dhe verërave. Më tej deri në nivel impianti pilot u përdorën argjilat e aktivizuara për rigjenerimin e vajrave mineralë të përdorur dhe konsumuar nga automobilat dhe transformatorët e energjisë elektrike.

    Bashkëpunimi me universitetin e Prishtinës

    Shumë i respektuari Prof. Dr. Viron Kola, kishte mbaruar studimet në Hungari, ndërsa specializimin në Kinë, (Shangaj) në lëmin e Katalizës kimike. Profesor Vironi përpos ligjërimit, ka dhënë kontribut të çmuar edhe në ngritjen e kuadrit në shkallë magjistrature. Jo rrallë ka qenë edhe recensent për avancim të kuadrit në Departamentin e Kimisë në Prishtinë. Për vite të tëra studentët e UP kanë përgatitur këtë lëndë nga tekstet e prof. Vironit sikurse edhe lëndën Kimia Analitike nga tekstet e prof. F. Zazanit. Për profesor Vironin është biseduar gjatë qysh e ka zënë belaja kur në një fo¬rum zyrtar, në diskutimin e tij, e ka përdorur një frazë kosovare. Është folur shumë që në atë forum prof Vironi të ketë deklaruar: “E vëllezërit kosovar këtë problem e cilësojnë se ashtë çështje me shumë ransi”. Rezultat i kësaj deklarate ka qenë nxjerrja e profesorit nga UT-ja, internimi në një uzinë plastike, ku i është dëmtuar rëndë shëndeti, dhe falë mëshirës së zonjës Semi Rami Alija (bashkëshortes së Ramiz Alisë).

     Vlerësime dhe nderime nga miq dhe kolegë

     Rektori i UT, Prof. Dr Dhori Kule: Prof Kola ishte shkencëtari më i mirë

    Për profesor Viron Kolën ka shumë për të folur, për të vlerësuar punën dhe kontributin e tij të çmuar që ai ka lënë pas në fushën e kimisë fizike. Ky është një kontribut I vyer për shkencën shqiptare që vlerësohet nga bashkëkohësit, nga ish-studentët e tij dhe nga ata që do të vijnë më pas. Unë mendoj se Prof. Viron Kola do të mbetet një pikë reference për studiuesit e fizikës dhe shkencëtarët e të gjitha fushave për vullnetin e tij, për njohuritë që zotëronte dhe për meritat në zhvillimin e kësaj shkence. Ikja e Prof. Kolës është humbja e një shkencëtari të madh për fakultetin më të mirë të Shqipërisë, është një humbje me të vërtet e madhe. Është humbja e një shkencëtari dhe një njeriu fisnik.

     Prof. Dr. Ilo Mele: Prof. Dr. Viron Kola, ishte një njeri një heroizëm shkencor

    Unë kam pasur nderin që të punoj më Prof. Dr. Viron Kolën, përveçse ishte mjaft njerëzor ai ishte dhe shumë i aftë në punën e tij. Madje një pjesë të mirë të punëve që trashëgon sot Fakulteti i Shkencave të Natyrës, janë punë të atij profesori. Ai ishte një njeri një heroizëm shkencor do ta quaja punën e prof. Vironit për riparimin e serpentinave të dëmtuara në kolonën e sintezës së amoniakut në Azotikun e Fierit. Oksidimi i ngadaltë dhe shkarkimi nga kollona e sintezës i katalizatorit të hekurit piroforik ishte përveç të tjerave edhe një përgjegjësi e madhe, që në rast dështimi të çonte në dënim penal të rëndë duke u konsideruar si një akt sabotazhi. Me njohuritë e thella, me durim e këmbëngulje prof. Vironi e përballoi edhe këtë sfidë. Natyrisht këtu nuk po hyj në hollësitë teknike për të përshkruar vështirësitë e zgjidhjes së këtij problemi. Më vonë shpesh e kam pyetur veten, ç’i duhej prof. Vironit t’i hynte një telashi të tillë, dhe përgjigjen e kam gjetur tek një shprehje e Nolit, që thotë se: Botën e kanë shpënë përpara “kokëkrisurit”.

     Dekani i Shkencave Prof. Dr. Mynyr Koni: Prof. Dr. Viron Kola është një figurë

    Unë mund të them që Prof. Dr. Viron Kola është ideator dhe themelues për programet e studimit të kimisë fizike, kimisë Industriale. Ka qenë drejtues i katedrës për shumë vite, është laureuar me shumë çmime edhe nga Presidenti i Republikës. Është një figurë qendrore e Shkencave të Natyrës dhe është një figurë me përmasa ndërkombëtare.

    -Viron Kola lindi më 25 Tetor 1931

    – Arsimi dhe kualifikimet:

    -Universiteti i Budapestit (EOTVOS LORANT EGYETEM), Diplomë në Kimi Fizikë, 1956

    -Universiteti i Tiranës (UT), Titulli shkencor “Docent”, 25.09.1971

    -UT: Grada shkencore “Doktor i Shkencave”, 27.12.1986

    -UT: Titulli shkencor “Profesor”, 27.12.1988

    -Laureat i Çmimit të Republikës

     -Urdhri “Naim Frashëri”

    Pozicioni dhe detyrat në të kaluarën

    -1956-1957: Punonjës shkencor ne Laboratorin Qendror të Kimisë pranë Ish Institutit të Shkencave.

    -1957-1980:Pedagog i Kimisë Fizike në Fakultetin e Shkencave Natyrore.

    1980-1986: Shef i Katedrës së Kimisë së Përgjithshme në F.Sh.Natyrore.

    1986-1993: Shef i Katedrës së Kimisë Fizikë në F.Sh.Natyrore.

    Gjuhët e huaja:

    1.Hungarisht

    2.Rusisht

    3.Gjermanisht

    4.Anglisht

    5.Italisht

    Artikutj dhe punimet e botuara

    -Ka botuar 18 artikuj shkencor

    -Ka bërë 11 studime dhe projekte të zbatuara

    -Ka bërë dhe 31 studime, kumtesa dhe punime të ndryshme në bashkëpunim

    -Ka udhëhequr 12 disertacione

    – Anëtarësime në organizata profesionale

    1.Kryetar i Shoqatës së Kimistëve të Shqipërisë

    2.Anëtar i bordit të Shoqatës së Kimistëve të Ballkanit

    3.Anëtar i Komisionit te Larte të Atestimit

    4.Anëtar i Këshillit Shkencor të Fak.Shkencave Natyrore

    5.Anëtar i Këshillit Shkencor të Kërkimeve Ushqimore

    6.Anëtar i Kësh.Shk.të Institutit të Kërkimeve Kimike dhe Teknologjike

    7.Anëtar i Këshillit Shkencor të Ministrisë së Mbrojtjes

    .2- Anëtarësime në organizata jo profesionale

    1.Nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Hungari, 1986

    2.Anëtar i Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur, 1992