Natyralizimi i shpërfytyrimit të njeriut

    420
    Sigal

    Duhet t’i bashkohemi një nisme për të shpëtuar shoqërinë që po përjeton krizën e identitetit dhe moralit familjar

    Shqiptarët po tmerrohen çdo ditë! O Zot, ç’po ngjet me shqiptarët?! Po rritet numri i  atyre që shpërfytyrohen, ndërkohë që, psikologët dhe sociologët japin alarmin e nevojës  urgjente, të kthimit të shqiptarëve në rrugën normale të natyralizimit. Krime, krime makabre… Babai vret djalin, burri vret gruan, vëllai vret vëllain, djali babin apo nënën dhe më e tmerrshmja, mamaja vret vajzat e saj. Pa asnjë shkak, pa asnjë arsye njerëzore, pa asnjë justifikim moral, shpirtëror, psikik e momental. Një grua, mama e tre vajzave  të pafajshme, që sapo kishin nisur rrugën e jetës, i bën ato viktimat e saj. Nuk ka qenie të gjallë, njerëzore dhe kafshore, të gjejë justifikimin për këtë makabritet. Arusha në mal, të bën copë-copë po qe se, i afrohesh qoftë edhe pa dashje këlyshëve të saj, por edhe një kafshë shtëpiake qoftë. Krimi makabër i ndodhur fundjavën e kaluar në një qytezë të Italisë, me autoren e vetme mamanë e tre viktimave të saj, ka shokuar gjithë opinionin publik në shtetin fqinj dhe qeverinë e tij. Analistët e psikikës dhe sociologët, mendojnë se, shoqëria shqiptare vitet e fundit po përjeton një krizë të thellë familjare, e cila lidhet me krizën e identitetit dhe moralit. E thënë shqip, ka marrë tatëpjetën, si  një rrugë pa kthim. Të tilla shpërthime, faktikisht njihen në vendet me tranzicion politik, të gjatë dhe të vështirë, që kanë dalë pas një izolimi të gjatë hermetik, siç ishim edhe ne, ku problemet sociale, shoqërohen me shpërfytyrimin e njeriut në momente të caktuara. Ky proces nuk njeh moshë, seks dhe grupe shoqërore. Mjafton të përmendim se, autorë të krimeve makabre në SHBA, janë mbi 25 për qind njerëz që vijnë nga shtresat e mesme apo edhe të larta të shoqërisë, si aktorë, profesorë, mjekët, madje edhe shkencëtarë, si rasti i vitit 2007, kur në Ohaoi, një kimist i njohur vrau 2 kolegët e tij vetëm pas një zënke. Ata nën efektet e drogave dhe ngarkesave emocionale, janë kryer krime nga më monstruozet, deri  tek vrasja e prindërve, apo edhe fëmijët e vegjël. Të tilla raste nuk mungojnë edhe në vende të tjera të zhvilluara, por edhe të atyre që janë në zhvillim. Madje tek këta të fundit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, problemet e mprehta sociale si, papunësia, rritja e kontingjentit të personave të pastrehë, të varfër, e atyre që jetojnë me ndihma sociale, e të divorcuarve, apo edhe drogmenëve, shoqërohet me krime, të cilat deri para 20 viteve nuk njiheshin ose ishin shumë të rralla. Çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare, pse ky shpërfytyrim kaq i shpejtë i vlerave tona? Pse kemi humbur çdo ndjenjë njerëzore, familjare, vëllazërore, prindërore, miqësore e shoqërore? Çdo njëri nga ne, që është i përgjegjshëm, duhet të ngrejë zërin dhe shqetësimin e tij dhe t’i bashkohet një nisme qytetare për të natyralizuar dhe shpëtuar, atë pjesë të shoqërisë që po përjeton krizën e identitetit dhe moralit familjar. Por çfarë ndodh me njerëz të tillë, pasi ata kanë kryer krimin makabër? Nëse një njeri i tillë që akuzohet ose e ka pranuar krimin, shpesh  paraqet në gjykatë një raport mjekësor, i cili vërteton ligjërisht se: “I akuzuari vuan nga një sëmundje e pashërueshme mendore”, gjyqtari nuk ka rrugë tjetër veç ta lirojë, pasi në të kundërtën do të shkelte ligjet e vendit dhe të drejtat e njeriut. Këto të drejta  përcaktohen në Kodin Penal, për personat në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor, jashtë burgut. Por opinion publik tek ne, e percepton ndryshe faktin kur i akuzuari del dhe jeton i lirë, pasi mendon se, gjyqtari  e ka liruar autorin nga frika, ose ka marrë para. Një gjë është e sigurt, shoqëria shqiptare çdo ditë po thellon krizën e saj dhe kjo duhet të përgjegjësojë pikësëpari shtetin, shoqërinë civile dhe krejt kapacitetet tona intelektuale për të ndalur shpërfytyrimin dhe për të rikthyer në normalitet natyralizimin e jetës.