Naim Balluku*/ Trajtimi me pension italian, i emigrantëve të riatdhesuar nga Italia. Ja dokumentet

    424
    Sigal

    Në kuadrin e reformave “Monti”, në Itali, ka ndryshime thelbësore në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, që kryesisht lidhen me zgjatjen e moshës së përfitimit të pensionit, duke e korrektuar me koeficientin e jetëgjatësisë (speranza di vita) si dhe mënyrën e llogaritjes së pensionit, të cilat prekin sigurisht dhe emigrantët shqiptarë në Itali.

    Mosha e daljes në pension

    Për punonjëset femra të punësuara në sektorin privat, nga 60 vjeç që plotësonin moshën për pension, deri më 31.12.2011, filloi një rritje graduale e moshës, në 62 vjeç në vitin 2012. Deri më 31.12.2015 kjo moshë është rritur në 63 vite e 9 muaj, për të shkuar 66 vite e 3 muaj nga 2018 në 2020.

    Po kështu mosha e daljes në pension të burrave, nga 65 vjeç që ishte deri më 31.12.2011, u bë 66 vjeç më 1.1.2012, u rrit me 66 vite e 3 muaj nga 1 janar 2013, ku në vitin 2020, do barazohet mosha e daljes në pension të burrave dhe grave me 66 vite e 3 muaj.

    Vitet kontributeve për pension

    Nisur sa më lart, për përfitimin e pensionit, aktualisht janë dy mënyra llogaritjesh.

    Punonjësit të siguruar deri në datën 31.12.1995, të cilët kanë të drejtë të daljes në pension, në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute (1040 kontributet javore) dhe punonjësit e siguruar pas datës 31.12.1995, të cilët kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se ata mund të kenë jo më pak se 5 vjet kontribute (260 javë), të cilët e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç;

    Po kështu pensionin e invaliditetit, e përfitojnë punonjësit që rezultojnë me paaftësi të përhershme për të kryer ndonjë punë për shkak të një sëmundjeje apo defekt fizik o mendor me humbje e mbi 74 % të aftësisë për punë, të cilët duhet të kenë jo më pak se 260 javë (pesë vjet kontribute) nga të cilat 156 javë (tre vite kontribute) në pesë vitet që i paraprinë datës së paraqitjes së aplikimit.

     

    EMIGRANTËT E RIATDHESUAR

    Përsa u përket punonjësve ekstrakomunitar të riatdhesuar, ata kanë disa favore dhe lehtësira, krahasuar me përfitimet e punonjësve rezidentë në Itali, duke reduktuar moshën për përfitime. Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi ekstrakomunitar me kontratë të ndryshme nga ajo sezonale, gëzon të drejtën për përfitimin nga sigurimet shoqërore, të maturuar në Itali dhe përfiton të tilla të drejta, edhe kur nuk ekziston një marrëveshje reciproke me vendin e origjinës (bazuar në Ligjin Bossi – Fini, 18 paragrafi 13 i Ligjit 30 korrik 2002).

     

    Për pensionet e pleqërisë

    Për përfitimin e pensioneve të pleqërisë, duhet të dallojmë dy raste, sipas së cilëve, pensioni llogaritet me sistemin kontributiv, apo me sistemin retributiv (me pagat).

    1. Në rastin e parë, punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar mbas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në rast riatdhesimi, të llogaritura me sistemin kontributiv, me plotësimin e 66 viteve e 3 muaj (është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë), edhe nëse nuk kanë plotësuar kërkesat e parashikuara, pra edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite kontribute.

    2. Në rastin e dytë, punonjësit ekstrakomunitarë, punësuar para periudhës 01.01. 1996, mund të përfshihen, në rast riatdhesimi, me pension pleqërie, të llogaritur me sistemin retributiv, ose të përbërë, vetëm kur plotësojnë 66 vjeç e 3 muaj, (është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë) si për burrat, ashtu dhe për gratë, vetëm kur plotësojnë jo më pak se 20 vite kontribute.

    I njëjti fond gjithashtu siguron riatdhesimin e eshtrave të punëtorëve të vdekur në Itali për ekstrakomunitarët.

     

    Kush përfiton?

    Kushti kryesor nga ana e punonjësve ekstrakomunitarë për të kërkuar përfitime nga fondi për riatdhesim, në vendin ku kanë shtetësinë janë :

    • Rezidenca në Itali

    • Leje qëndrimi e rregullt, edhe e skaduar, por skadenca nuk duhet të kalojë më shumë se 6 muaj.

    • Një raport punësimi të vlefshëm, për të cilin të ketë derdhur kontributet e detyrueshme.

    • Mungesa e muajve ekonomikë, për të përballuar shpenzimet e domosdoshme e cila duhet të jetë e certifikuar nëpërmjet një deklarate, me përgjegjësi, të lëshuar nga punonjësi në momentin e kërkesës për ndërhyrjen e fondit.

    • Për mungesën e muajve ekonomikë, duhet të kuptohet posedimi nga ana e punonjësit ekstrakomunitar të një të ardhure, ku shuma e së cilës në vijim të vitit, nuk do të jetë më e madhe se ajo e domosdoshme për përfitimin e pagesës sociale ( theksojmë se pagesa sociale aktualisht për vitin 2015 është 5.830,76 euro në vit për 13 muaj, ose 448,52 euro në muaj).

    • Punëtorët ekstrakomunitarë, pasi ligji nuk e pengon, mund të përfitojnë më shumë se një herë në përfitime nga Fondi për riatdhesim, me kusht që raporti i ri i punësimit, është i rregullt, nuk është sezonale dhe të kenë kaluar të paktën dy vjet që prej riatdhesimi i mëparshëm.

    Kush nuk përfiton?

    Nuk përfitojnë nga fondi për riatdhesim:

    1. Punëtorët kufitarë;

    2. Punëtorët e huaj të ftuar për motive studimi ose trajnimit;

    3. Të huajt e punësuar nga organizatat apo kompanitë që operojnë në territorin e Republikës Italiane, të cilat janë pranuar përkohësisht, me kërkesë të punëdhënësit, për të përmbushur funksionet dhe detyra të veçanta, për një periudhë të caktuar, të cilët janë të detyruar të largohen nga vendi kur këto funksione ose detyra janë plotësuar;

    4. Të huajt e punësuar në institucione të së drejtës ndërkombëtare;

    5. Artistët dhe punëtorët e shfaqjeve, përveç atëherë kur janë të paracaktuar në paragrafin 2 të ligjit të lartpërmendur;

    6. Detarët;

    7. Gjithë qytetarët e shteteve anëtare të BE-së;

    8. Punonjësit jo komunitarë, për të cilët ka rregulla të veçanta më të favorshme edhe në implementim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Pensionet familjare

    Në rast vdekje, pasi të kenë plotësuar 66 vjeç, lind e drejta për pensione familjare, nëse kanë kushtet e përcaktuara me gjeneralitetet e punëtorit.

    Kjo nuk zbatohet në rastin kur vdekja ndodh para moshës 66 vjeçare. Kërkesa e aplikimit mund të kryhet nëpërmjet përdorimit të modulit AP 50, në faqen e internetit të ‘INPS në adresë “Sezione Moduli” dhe i drejtohet “Direzione Provinciale Inps Perugia”.

    Moduli mund të transmetohet në internet, ose të shkarkohet në formatin PDF dhe dërgohet drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet një prej patronateve.

    Fondi për të riatdhesuarit, është krijuar pranë INPS, me qëllim të sigurimit të burimeve të nevojshme financiare për riatdhesimin e punonjësve ekstrakomunitarë.

    INPS, mund të përballojë dhe koston e riatdhesimit, mbështetur koston e biletës për transportin të cilat punëtori do të përdorë (aeroplan, tren, anije ose mjete të tjera të transportit publik).

     Të interesuarit duhet të dorëzojë aplikimin përmes kanaleve të mëposhtme:

    • Web – duke e bërë përdorimin e shërbimeve telematike të arritshme direkt nga qytetari përmes pin pajisjes, nëpërmjet portalit të Institutit, www.inps.it servizi On-line – Servizi per il cittadino –

    • Telefon – duke kërkuar Qendrën e Kontaktit të integruar në numrin 803164 falas, ose nga një numër celular nga 06.164.164, i autorizuar për të marrë pretendimet për përfitime dhe shërbime dhe për të përmbushur nevojat e atyre që nuk kanë aftësitë e nevojshme apo mundësi për ndërveprim me INPS nëpërmjet kompjuterit;

    • Institucionet dhe ndërmjetësuesit e autorizuar, si Patronatet, të cilat ofrojnë për qytetarëve shërbimet e nevojshme telematike, falas.

    *Përfaqësuesi i Patronatit INAS-CISL në Tiranë

    Dokumentacioni

    Për dhënien e këtyre përfitimeve, i riatdhesuari duhet të paraqesë disa dokumente si;

    – Kopje të një dokumenti identiteti, të legalizuar nga Autoritetet Konsullore italiane të vendit.

    – Moduli i delegimit të patronatit

    – Certifikatë për rezidencën. Kjo duhet të ketë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe, lëshuar nga organet kompetente, përkthyer dhe e legalizuar nga Autoritetet Konsullore italiane.

    – Vërtetim për ndërprerjen e punës, përkthyer dhe legalizuar nga Autoritetet Konsullore italiane.