Naim Balluku/ Pagesa sociale për emigrantët shqiptarë në Itali për 2015

    497
    INPS, me qarkore nr. 1, të datës 9 janar 2015, njoftoi se shuma vjetore e pagesës sociale është rivlerësuar për 2015. Shuma e re është e barabartë me 5,830.63 euro në vit (448,51 euro në muaj për 13 muaj). Shuma e pagesës sociale është fondamentale për shtetasit e huaj, sepse ajo përcakton parametrat e të ardhurave minimale (minimumin jetik) të parashikuar në kërkesat për bashkim familjar apo leje qëndrimi për banorët me leje qendrimi afatgjatë në BE. Pagesa sociale, rivlerësohet çdo vit me koeficientin e inflacionit dhe si rezultat i rivlerësimit nga ISTAT (Instituti i Statistikave Italiane) për vitin 2015 mbi pensionet minimale dhe pagesa sociale, do të jetë më i lartë 0 0.3%, që nga 1 janari 2015. Vlen të theksohet se mosha e përfitimit ka ardhur duke u rritur krahasuar me vitet e mëparshme. Aktualisht këtë vit, ky përfitim jepet për personat që kanë plotësuar 65 vjet dhe 3 muaj deri më 31.12.2015. Në vitet 2016 dhe 2017, mosha për këtë përfitimin e Pagesës Sociale do të jetë deri në 65 vjeç e 7 muaj, ndërsa në 2018 dhe të bëhet 66 vjeç e 7 muaj.

    Çështë pagesa sociale?
    Pagesa sociale është një përfitim ekonomik, që jepet sipas aplikimit të bërë në favor të qytetarëve në gjendje ekonomike jo të favorshme, me të ardhura jo më të mëdha se kufiri i përcaktuar vjetor nga ligji. Kjo pagesë ka zëvendësuar Pensionin Social. E drejta për këtë përfitim përcaktohet në bazë të të ardhurave personale për qytetarët e pamartuar, në bazë të të ardhurave totale dhe me atë të bashkëshortit për qytetarët e martuar. Pagesa sociale jepet me karakter të përkohshëm dhe verifikimi i të ardhurave dhe banimi i përfituesit, konfirmohen çdo vit. Kjo pagesë nuk shërben për familiarët mbas humbjes së jetës të mbajtësit dhe nuk jepet jashtë vendit. Qëndrimi jashtë shtetit i titullarit mbajtës të kësaj pagese me një kohëzgjatje më shumë se 30 ditë, sjell pezullimin e pagesës. Duhet patur parasysh se një vit pas pezullimit, përfitimi anullohet.
    Cilat janë kushtet për përfitim?
    Për të përfituar pagesën për vitin 2015, është e domosdoshme të plotësohen këto kërkesa:
    • mosha 65 vite e 3 muaj.
    • statusi në nevojë ekonomike.
    • shtetësia italiane.
    • për qytetarët e huaj anëtarë të BE, të jenë rregjistruar në komunën e zonës së banimit.
    • për qytetarët ekstrakomunitarë të jenë pajisur me leje qëndrimi në BE për qëndrim për një kohë të gjatë (ish karta e qëndrimit).
    • banim efektiv të qëndrueshëm, që të ketë vazhduar jo më pak se 10 vite në territorin shtetëror italian.
    Sa paguhet?
    Pagesa e përfitimit fillon nga dita e parë e muajit të ardhshëm mbas paraqitjes së kërkesës në rast se janë plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara me ligj. Shuma maksimale e pagesës është e barabartë më 448.52 euro në muaj për 13 muaj dhe për vitin 2015 kufiri i të ardhurave është baraz me 5830.76 euro në vit.
    Cilët emigrantë përfitojnë?
    Kanë të drejtë për këtë pagesë në masë të plotë:
    • personat e pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur.
    • personat e martuar që kanë të ardhura familiar më të vogla se shuma vjetore e kësaj pagese.
    Kanë të drejtë për këtë pagesë në masë të reduktuar:
    • personat e pamartuar që kanë një të ardhur më të vogël se shuma vjetore e kësaj pagese.
    • personat e martuar që kanë të ardhura familiare më të vogla se dyfishi i shumës vjetore e kësaj pagese. Në këtë kuptim në rast se një çift të maruarish kanë të ardhura më të vogla se 897.04 euro dhe plotësojnë kushtet e mësipërme, kjo shumë i kompesohet për diferencën që marrin më pak.
    Cilat të ardhura përfshihen në llogaritjen e pagesës sociale? 
    Për dhënien e Pagesës Sociale, konsiderohen të ardhura të kërkuesit dhe bashkëshortit si më poshtë:
    • të ardhurat neto të vlerësuara për detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore.
    • të ardhurat e përjashtuara nga taksat.
    • të ardhurat që janë subjekt i mbajtjes së tatimit në burim, (fitimet në lojërat e fatit, në lotari, nga konkurset dhe premie, pagesa nga shteti, nga personat juridikë publike dhe private).
    • të ardhura subjekt i tatimit zëvendësues (interesa postare e bankare, interesa nga çdo titull tjetër shtetëror, bono dhe letra me vlerë të lëshuara nga bankat dhe shoqëritë aksionere.
    • të ardhura nga toka dhe ndërtesa.
    • pensione të luftës.
    • pension të dhënë nga INAIL (Instituti Nacional i Invalidëve të Punës). 
    • pensione direkte të dhëna nga shtete jasht Italisë (përfshihen të gjithë llojet e pensioneve të marra në Shqipëri).
    • pensione të dhëna si invalid civil, të verbër, të shurdhër.
    • Pagesa ushqimore e bazuar në normat e kodit civil. 
    Cilat të ardhura nuk përfshihen në llogaritje?
    Për dhënien e Pagesës Sociale nuk përfshihen si të ardhura:
    • trajtimet në përfundim të marrëdhënieve dhe paradhëniet për të tilla trajtime
    • e ardhura nga shtëpia e banimit të tyre.
    • pagesat e vonuara që, i nënshtrohen tatimit të veçantë.
    • të ardhurat për shoqërimin e invalidëve civilë, të verbërve dhe pagesat për komunikimin me të shurdhët.
    • pagesat e jetesës për ish luftëtarët e luftës 1915/1918.
    • të prapambetura nga puna si i punësuar jasht vendit.
    Si bëhet aplikimi?
    Kërkesa mund të paraqitet vetëm në mënyrë elektronike nëpërmjet kanaleve të mëposhtme:
    • web – duke aplikuar shërbimin telematik të arritshëm direkt nga qytetarët nëpërmjet PIN dhe portalit të INPS, www.inps.it.
    • telefonit, duke telefonuar në numrin 803164 në rrjetin fiksfalas, ose numrit 06164164 duke paguar sipas tarifave telefonike.
    • nëpërmjet patronateve, si ndërmjetës të INPS – duke përdorur shërbimin telematik të ofruar nga këto institucione.
    Pagesa Sociale në Itali është e lidhur me residencën dhe qëndrimin brenda shtetit italian. Kjo do të thotë se në rast se largohesh nga Italia, automatikisht humb e drejta për ta përfituar pagesën. Theksojmë se shërbimi në zyrat e Patronatit INAS CISL që ka shtrirje në çdo zone të Italisë shërbimi ofrohet falas, pa asnjë pagesë.
    Sigal