Naim BALLUKU/ Emigracioni shqiptar  dhe problemet sociale të tij

    500
    Sigal

    Emigracionit shqiptar në Itali filloi në vitet ’90 dhe përkon me fundin e sundimit të gjatë komunist gjatë të cilit ai ishte mohuar.  Me shpërbërjen e ndërmarrjeve shtetërore e kooperativave bujqësore, emigracioni shërbeu si një valvul, për të amortizuar në mënyrë të ndjeshme problemet e mëdha social-ekonomike të vendit. Aktualisht, emigracioni shqiptar është sa 1/3 e popullsisë së regjistruar në regjistrin kombëtar, ku peshën kryesore e zëne Greqia dhe Italia

    Edhe mbas viteve 2000, ky emigracion ka vazhduar, por pa ato dyndjet e viteve të mëparshme. Mbas këtyre viteve ka ekzistuar emigracioni klandestin, por pjesa më e madhe e emigrantëve kanë shkuar si rezultat i lëvizjeve të rregullta, si bashkim familjar, punësim, përfitim shtetësie etj.

    Aktualisht, në Itali, ky emigracion është i dyti ndër komunitetet e tjera emigratore. Me shtesën e numrit të bashkimeve familjare është rritur dhe procesi i stabilizimit, që  e bën atë nga një emigracion të përkohshëm, në emigracion stabël.

    Veçoritë  social demografike të komunitetit shqiptar në Itali janë:

    –          Shqiptarët përfaqësojnë komunitetin e dytë  ndër qytetarët ekstrakomunitarë me qëndrim të rregullt në Itali.

    –          Emigrantët shqiptarë duke filluar nga data 1.1.2013, janë në një numër 497.761, e barabartë  me 13.2% të totalit të emigracionit nga qytetarët jokomunitare me qëndrim të rregullt në Itali. Aktualisht ky numër i ka kaluar 500 mijë.

    –          52.6 për qind të qytetarëve me origjinë shqiptare janë burra, ndërsa prania e femrave është në 47.4 për qind.

    –          Zonat ku kemi një përqendrim më të madh të emigracionit shqiptarë është Italia e veriut, ku ndodhen rreth 61.8 për qind të komunitetit, 27.2 për qind në zonat qendrore, 9.7 në jug të Italisë dhe 1.3 në ishuj.

    –          Kanë një moshë mesatare të re prej 30.5 vite që është moshë më e ulët se mesatarja e emigracionit në përgjithësi, e cila është 31.7 për qind. Emigracioni shqiptar karakterizohet me një moshë më të lartë të minorenëve  dhe të rinjve deri në moshën 29 vjeç. Kështu 27.5 për qind e qytetarëve shqiptarë, nuk janë më shumë se 17 vjeç (mesatarja e komuniteteve tjerë këtë moshë në kanë është në masën 24.1 për qind), 11.5 për qind është ndërmjet moshës 17 deri 24 vjeç (mesatarja e komuniteteve të tjerë është 9.3 për qind) dhe 11.4 për qind është ndërmjet moshës ndërmjet moshës 25 deri 29 vjeç.

    –          Nxënës e studentë me origjinë shqiptare të regjistruar në vitin shkollor 2012/2013 kanë qenë 104.710.

    –          Familja paraqitet si motivi kryesor i prezencës ne Itali; 53 % e qytetarëve shqiptarë me leje qëndrimi të rregullt janë mbajtës të një leje për motive familjare. Lejet e qëndrimit për pune përfaqësojnë 43 %.

    –          Numri i qytetarëve shqiptarë që kanë një leje qëndrimi afatgjatë është mbi 10 % më e madhe se e totalit të qytetarëve jokomunitarë.

    Pjesëmarrja në tregun e punës

    –          Në Itali popullsia me shtetësi shqiptare, me një moshë mbi 15 vjeç, pra në një moshë për punësim është 465.075 qytetarë. Nga kjo masë popullsie janë të punësuar vetëm 50 për qind e saj, krahasuar me 57.6 për qind të mesatares së komuniteteve të tjera, mbi 15 vjeç. Nga këto rreth 11.5 për qind përbëhet nga ata që janë punëkërkues, ndërsa 38.5 për qind është një kuotë inaktive, të cilët nuk kanë zhvilluar asnjë orë punë në javë.

    –          Papunësia për shqiptarët ka arritur në një shifër të konsiderueshme prej 18.8 për qind, duke e tejkaluar atë të mesatares së komuniteteve të tjerë jokomunitarë, që është në masën 14.5 për qind.

    –          Fushat kryesore të punësimit për punonjësit me origjinë shqiptare janë industria 27.4 për qind, ku ndërtimi zë 20.4 për qind, agrikultura 23.3 për qind dhe shërbimet 49.3 për qind. Duhet evidentuar se janë pjesëmarrës në tregun e punës punonjës autonomë   ( të vetëpunësuar ), ku një pjesë e tyre janë punëdhënës, të cilët kapin një numër prej  30.477 personash.

    –          Më shumë se gjysma e punonjësve shqiptarë merr një të ardhur mujore më të madhe se 1000 euro, vlerë më e madhe se kuota mesatare e qytetarëve të tjerë të Europës.

    box

    Cili është problemi kryesor për pensionet e emigrantëve?

    Kriza ekonomike e pranishme në Europë dhe mjaft e thellë si në Itali dhe sidomos në Greqi, ka bërë që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë të humbin vendet e punës. Këtë e tregon fakti se ndërsa niveli i papunësisë në Itali është aktualisht 12.8 për qind, niveli i papunësisë për emigrantët shqiptarë është mbi 18.8 për qind. Më i lartë është ky nivel për gratë, në një masë prej 19.7 për qind. Për të rinjtë  në moshë 15 deri 24 vjeç, niveli i papunësisë është tepër i lartë dhe kap shifrën prej  43 për qind.

    Po kështu niveli i papunësisë në Greqi është tepër më i lartë se në Itali,  arrin në një masë  prej 27.6 %, duke qenë më i larti në Europë.

    Padyshim, pasojat e krizës ekonomike dhe të papunesisë, kanë një kosto jo të lehtë për emigrantët tanë. Sikurse u theksua, në kushtet e një krize ekonomike në të gjithë sektorët, pa dyshim më të prekurit dhe më të rrezikuar janë emigrantët. Pasojat e krizës për emigracionin shqiptar ndihen;

    Së pari, duke humbur vendet e punës, përkeqësohen së tepërmi problemet sociale të tyre, duke i përballur ata me pamundësinë e jetesës.

    Së dyti, duke mos përballuar jetesën në vendet ku janë rezidentë, një nga drejtimet e mbijetesës është kthimi në Shqipëri, ku përballen me vështirësi shumë të mëdha. Ne këto kushte, ku dhe në Shqipëri ndjehen dukshëm efektet e krizës, tregu i punës nuk mundet të absorbojë një numër të madh forca pune .

    Së treti, në këtë kuadër në vështirësi të mëdha janë dhe për fëmijët e tyre, që kane frekuentuar shkolla në vendet ku kanë qenë, dhe nuk janë familjarizuar me sistemin tonë arsimor, ose nuk e dinë mirë gjuhën shqipe.

    Së katërti, problem është strehimi, duke patur parasysh se një pjesë e mirë e emigrantëve i kanë shitur banesat

    Së pesti, papunësia ka pasoja sociale për të sotmen dhe të nesërmen. Themi për të nesërmen, mbasi duke mos qenë në marrëdhënie pune, rritet pamundësia për të plotësuar vjetërsinë e punës që kërkohet për të përfituar pension.