Musine Kokalari

    460
    Sigal

    Profil

    Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

    Mos qofshin vjehrrat e zeza

    (Gjirokastritçe)  Fragment

    Eh! që më hangri, që s’i pushoi birbili. Nuk durohet dhe kjo, s’kam parë asnjë ditë të bardhë, që kur kam kallur këmbët në këtë të zezë gërmadhë – qahej Durijeja për vjehrën e saj Fatimenë. Ama! nuk dilet dhe kështu, më mori shpirtin, më hangri me gërnjë.  Dhe unë s’jam e pakë, e do, e kërkon si breshka tek nallbani. I hanë hundët zonjës, s’i kam ndonjë fal, me burrë zihet, mua ma kren. Jo, jo xhiko, i thashë dhe këtij, ja të bieç në udhë, ja nuk di se ç’kam për të bërë. Nuk shkohet dhe kështu, dua të bëj edhe unë si dua, jam dhe unë nikoqire në shtëpinë t’ime, vajta katër vjet martuar. S’lë gjë pa mbillur, s’lë zahar e kafe në shesh; pse i mban hapset në mes, e pse më turpëron në si të shoqeve? –Kokën dhe ti, se më plase buzën, që kur linde, më hangre me shëndet, gjithënjë sëmurë, më more shpirtin. Ç’ke? Për të pirë të dhaçë, hë!, mbilli sitë! hë! vuvosu, se i fola gogolit.

    – Ç’ka, do të më vijë dhe motër Neslija, të flasim di fjalë radha, do t’ja them të tëra, të më dalë kjo xhumbë, që më ka zënë në grikë. Sa të mbaroj dhe punët e të ndreq xhurapet, se më janë bërë juk. Sot do të prëhemi se jemi dhe vetëm, se e theu qafën, ka vajtur tek vajza, që mos u-ktheftë dhëntë Zoti! –Një këmbë tek djepi, një këmbë tek puna, sa i mbaroi të gjitha. Ishte në shesh, kur i erdhi motra me gjak të ngrirë. Erdha moj të keqen, i thotë, më ngrite mënden, thaçë se do të gjeja të sëmurë. Kam bërë punët si e marrë, ca prapa e ca përpara. Ç’ke, ç’të gjeti, pse më thirre? Të të pjes për vehten t’ënde, je shëndosh’ e mirë? Ke njeri të sëmurë apo jo? Si u gdhitë, të gjithë mirë? Muharemi erdhi nga dhëntë, se pashë shollët përposh, Seferin e zuri gjë barku? Teto Fatimenë si e ke, se nuk e shoh nëpër këmbë? –Kurrë mos e paç, e ka thier, ka vatur tek Neslija. Tha që do të kthehet për darkë, po s’e besoj, se kur vete atje mbetet s’kujtohet të vijë këtej, më një e ha në golë, q’e hangërtë pjekur. – Ja për këtë të thira. Dua të ta thom bram në si. Dua t’i ndaj lakrat një herë e për gjithënjë. Të kisha thënë, moj motër, që pas një jave të martesës, që kjo shtëpi s’është për mua, që këto mure nuk më mbajnë brenda. I njoha ç’njerëz ishin, që ditët e para. Mos t’i zëmë në golë të shkuarat, se më hipën gjaku në kokë dhe bëhem tërë e marrë, po kur nuk i thahet gjuha, unë s’kam se ç’t’i bëj. Ta kam thënë e ta thom, ja ajo, ja unë në këtë shtëpi, i thaçë dhe këtij që t’ja mbledhë frënë, po më tha mos ja vur re, re se është plakë, pastaj nënë, nuk ndrohet. Vërtet nënë, po jo dhe kështu, unë nuk i kam ndonjë borxh t’ja duroj vickat. Një herë, di herë, dhjetë herë po më tepër nuk vete. Thuaj-më, moj motër, janë të mira këto, të dëgjohemi gjithnjë, u bëmë me gjisht. Ajo e ka ngrënë turpen me bukë, po unë s’e bëj atë gjë. Shtriga, i djegtë Zoti zëmrën, ashtu si më dogji mua nusërinë. Nuk më la një herë të bënja si shoqet, të dilnja si ato….

    …U grimë, fol ajo e fol unë, një ajo e dhjetë unë. Erdhi vjehrri, hiri në mes, na foli me të mirë, me të keq, uluriti, tha se do të merrte drurin dhe do të na nxirrte jashtë së dijave. Unë si më e vogël u hoqa më nj’anë, u futa n’oda. Dridhesha e tëra, thaçë se do të më binte ndonjë gjë. Më kërcente zëmra si pulë, më pushuan navzet, dhe një të shtrirë bëra. Nuk dëgjova prapë se ç’u bë. Dhanë e muarnë nuk më përmendën dot, ki po nuk afrohesh, se nuk iu dilte përpara. Erdhi teto Nefiseja me kokë zbuluar, më hodhi një gjim me ujë, më bëri gllëç. Me zi mora frimë. Për atë kohë që hapa sitë e pashë Seferin që karkallosej, një të ngritur bëra dhe e rëmbeva në krahëror, i dhashë të pinte. Si të duken, e kush e kish falin? Ç’i bëra, pse më prishi gjakun, pse më bëri gjismë njeri? Si s’i gjen gjë, u bënë reçka nga një qint vjeç dhe s’mund të vdesin. Mbeten për bark të kalbët. U damllostë, dhëntë Zoti, e zëntë qoshenë, i martë dorën dhe golën, pa qeveritë ja bëj, po t’i pushojë një herë gola. U përmbisçin e mos qofshin vjehrat e zeza!