Mungojnë ilaçet në spitale, pacientët detyrohen që të bëjnë analizat tek privati

    445
    Sigal

    VËZHGIM/Të sëmurët me reumatizëm nuk blejnë dot ilaçet, një kurë kushton 500 mijë lekë

     Situata në spitalet tona sa vjen dhe rëndohet nga dita më ditë. Arsyet që ua rëndojnë jetën pacientëve janë të ndryshme, si: mungesa e ilaçeve, mungesa e higjienës, lagështia në ambientet e brendshme, dhe fenomeni më i çuditshëm, i cili sa vjen edhe nxirret më në pah është ai i bashkëpunimit të mjekëve me klinikat e veçanta private. Këto janë disa mënyra që në një formë apo në një tjetër ua bëjnë më të vështirë dhe më të mundimshëm shërimin pacientëve që u drejtohen dyerve të spitaleve nga halli sot. Tek vëzhgon situatën në ambientet e spitaleve tona të lindin pyetjet natyrshëm. Pse është katandisur në këtë mënyrë sistemi ynë shëndetësor, ku janë standardet europiane që ne pretendojmë dhe duam të arrijmë të nderuar qeveritarë? Njerëzve u dridhen këmbët kur u drejtohen dyerve të spitaleve, pasi kanë frikë se shkojnë për t’u shëruar dhe marrin ndonjë sëmundje tjetër nga papastërtia. Kanë frikë të shkojnë pasi duhet ti kenë xhepat të mbushur me para, pasi mënyrat e “grabitjes” së parave janë nga më të ndryshmet. Dhe për këtë asnjë nuk merr asnjë përgjigje.

    Mënyrat e “grabitjes” së parave nëpërmjet klinikave private

     Një fenomen jo pak i përhapur është dhe futja në “lojë” e klinikave private për të “grabitur” sa më shumë paratë e pacientëve që shkojnë në dyert e spitaleve në ditët e sotme. Çdo ditë e më shumë shtohen klinikat private që kanë lidhje me doktorët që punojnë në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Dhe nëse paraqitesh për të marrë një shërbim në spitalin shtetëror është e pamundur që të mbarosh punë dhe të kryesh analizat në këtë institucion. Për bërjen e analizave pacientët dërgohen me rekomandim në klinika private të përcaktuara. Rasti që është prononcuar për “Telegraf” tregon rrugën që duhet ndjekur për të bërë analizat. “Unë kam për të bërë analizat për reumatizmën dhe për këtë më ka rekomanduar doktori që të shkoj në X klinikë private afër Stacionit të trenit për të bërë një analizë, sepse këtu nuk bëhet ajo analizë më kanë thënë”kështu tregon A.Sh nga Lushnja. Por padrejtësitë nuk mbarojnë me kaq. Pacientja e cila ndodhet e shtruar në repartin e Infektivit shton më tej se: “Nëse nuk e bëj analizën e rekomanduar nga mjeku në klinikën që ai më ka thënë dhe unë zgjedh një klinikë tjetër nuk e marrin përsipër që t’i shikojnë fare analizat që kam bërë. Kjo është një turp i madh që të paguash 155 mijë lekë për të bërë një analizë në klinikat private, edhe pse kemi një spital shtetëror. Por vetëm emrin ka të tillë sot, pasi ilaçet duhet ti blejmë nëpër farmaci, analizat nuk i bëjnë, se thonë që nuk realizohen dot”. Ky është realiteti sot në spitalet shqiptare. Por kush mban përgjegjësi sot për situatën në të cilën janë katandisur sot spitalet në Shqipëri?. Ku të gjejnë zgjidhje njerëzit që kanë nevojë, për këtë askush nuk do t’ja dijë dhe njerëzit po lihen në mëshirë të fatit, që të japin edhe ato pak lekë që u kanë mbetur, apo edhe në shumë raste detyrohen ti marrin para borxh për të blerë ilaçe të cilat duhet ti ofrojë një spital normal. E pra nuk është e tepërt që të thuash se sistemi jonë shëndetësor është në mëshirë të fatit dhe se qytetarët sot i lënë lekët nëpër klinikat private për shkak të lidhjeve klienteliste që kanë krijuar sot mjekët me klinikat private.

    Spitali nuk ka ilaçe, pacientët: Si blejnë dot

     Një fakt tjetër i dhimbshëm është se spitali nuk ka ilaçe dhe se pacientët e kanë të pamundur që të sigurojnë ilaçet për shkak të kushteve të vështira ekonomike. “Jam e shtruar prej disa ditësh në ambientet e Infektivit dhe më nevojitet që të marr plazmë gjaku sipas rekomandimit që më kanë dhënë mjekët. Më duhet pesë masa plazmë gjaku. Një masë kushton dhjetë mijë lekë të reja, pesë masa kushtojnë pesëdhjetë mijë lekë të reja. Por ajo që mua më shqetëson më shumë është se këtë nuk e ka spitali dhe më thanë që ta blija. Por është e pamundur unë nuk e përballoj dot blerjen e saj. Nuk kam para për të mbuluar shpenzimet e tjera që më duhen, spitali nuk më ndihmon dot” kështu e fillon prononcimin mes lotësh për “Telegraf”, pacientja nga Fieri, E.A. Kjo është një tjetër tablo e trishtueshme që ka në sfond pacientët e sëmurë që nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve, për shkak të kushteve të këqija ekonomike dhe për më tepër që spitali nuk u jep asnjë zgjidhje për të përballuar sëmundjet. Kjo e rëndon edhe më tepër situatën. Por ky është realiteti në të cilin është katandisur sistemi ynë shëndetësor sot në Shqipëri. E ndërsa politikanët mjaftohen me deklaratat e tyre boshe që i bëjnë në çdo moment që u jepet mundësia.