Mr.Bedri Zyberaj/ Pozita e femrës në të drejtën zakonore dhe traditat shqiptare

    854
    Sigal

    Përvoja jetësore e njeriut kushedi sa herë ka dëshmuar se ndryshimet jo gjithmonë paraqesin zhvillim

    Në të drejtën zakonore dhe traditën shqiptare pozita e femrës nuk ka qenë e tillë çfarë, në të shumtën e rasteve, kemi dëgjuar nga ,,analizat” dhe vlerësimet e bëra nën ndikimin e politikave të ditës gjatë kohës së monizmit, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

    Pavarësisht nga motivet e ndryshme që i kanë karakterizuar këto qasje (kanë qenë të tilla sidomos për shkak të qëllimit), gjykimet dhe vlerësimet që janë bërë mbi bazën e këtyre politikave kanë rezultuar me efekte përafërsisht të njëjta.

    Ato, në rend të parë i janë shmangur dukshëm të vërtetës shkencore që ka të bëjë me këtë çështje dhe përherë kanë qenë të njëanshme, paragjykuese dhe në të shumtën e herave edhe qëllimkëqija. Pikërisht për shkak të këtij qëndrimi ka mbizotëruar mendimi se kjo traditë dhe kjo e drejtë janë jo vetëm pa ndonjë vlerë, por për më tepër janë pengesë kryesore e zhvillimit tonë të përgjithshëm. Gjykuar mbi bazën e këtyre ,,analizave” dhe ,,rezultateve””, shqiptarët dalin të jenë një popull i egër malesh.

    Pjesa më sintetizuese e kësaj tradite dhe më me vlerë për mendimin tim – Kanuni (fjala është për të gjitha motërzimet e Kanunit pa përjashtuar këtu edhe baladat e hershme), nën trysninë e kësaj qasjeje të njëanshme vjen e bëhet shënjues metonimik i anakronikes, i pabarazisë, i konservatorizmit, i prapambeturisë, i egërsisë njerëzore dhe pengesë kryesore për depërtimin e të resë – zhvillimit.

    E reja, s’do mend se përpiqet të imponohet si ndryshim. Mirëpo, përvoja jetësore e njeriut kushedi sa herë ka dëshmuar se ndryshimet jo gjithmonë paraqesin zhvillim. Kjo më së miri mund të dëshmohet me të drejtën zakonore shqiptare e cila ka zënë të ngjizet shumë më herët, që në antikitet, por si e tillë është konsoliduar vetëm në mesjetë, saktësish në kohën e Principatës së Arbrit, dhe kulmin e pjekurisë së vet do ta arrijë në kohën që sivëllezërit tanë arbëreshë e quajnë ,,Moti i madh”. Këtej e tutje ka filluar të sfidohet nga ndikimi i gjatë oriental, për të arritur në kohën tonë shumë e rrëgjuar dhe vetëm në formë reminishencash të asaj që ka qenë dikur.

    Mund të thuhet kështu sepse, pikërisht nga kjo kohë na rezultojnë kodet e të drejtës zakonore shqiptare të emërtuara me emra të veçantë si Kanuni i Lekë Dukagjinit, apo Kanuni i Skënderbeut.

    Për ta parë se cili ka qenë tretmani i femrës në këtë kohë në traditën shqiptare mund t’i referohemi këngës së lashtë arbëreshe “Konstandini dhe Garentina”.

    Kur i vëllai, pasi ishte ,,ngritur” nga varri dhe shkon për ta marrë motrën, ajo e pyet se si duhej të vishej:

    Në ke ardhë për të mirë

    Të vishem si gjeraqinë;

    Në ke ardhe për të keq

    te vishem si kallogre”

    “Eja, moter , si me je[1]  i thot Kostandini.

    Nga këto vargje kuptojmë dhe mësojmë se sipas traditës dhe zakoneve shqiptare, në atë kohë për femrën kanë qenë të rezervuara tri palë rroba (për dasmë tjera, për mort tjera dhe ato të përditshmet). Kjo ndodh për shkak se femra është simbol i bukurisë dhe me natyrë më komplekse. Prandaj, kompleksitetit të botës femërore nuk i shkojnë për shtati një palë rroba të vetme për të gjitha rastet siç ngjet rëndom me mashkullin. Për mashkullin tradita zakonore shqiptare nuk i ka rezervuar lloje të veçanta rrobash për dasmë dhe për mort. Të njëjtat, mjafton të jetë të pastra, i shkojnë shtatit të një burri si në dekë ashtu edhe në dasëm, gjë që nuk lejohet për femrën.

    Këtë duhet trajtuar jo vetëm si privilegj, por si një fakt që bie ndesh me ato vlerësimet e shumta të deritanishme se gjoja kjo traditë është e padrejtë dhe përbuzëse për femrën.

    Në Kanunin e Lekë Dukagjinit i cili një kohë të gjatë ka arritur të ruaj primatin përballë çdo kodi tjetër të pushtuesve e sunduesve të ndryshëm dhe ka rregulluar marrëdhëniet familjare dhe fisnore të shqiptarëve, e sidomos aspektin pronësoro-juridik të jetës së tyre,[2] femra zë një vend të veçantë dhe ka një peshë specifike, sado që ndokush mund të pretendojë se përkufizimi që bëhet me nenin 29 të Kanunit se ,, Gruaja âsht shakull per me bajt”[3] është përçmues.

    Nëse paragrafët e ndryshëm të këtij Kanuni që kanë të bëjnë me gruan dhe statusin e saj i marrim dhe i kombinojmë mes vete siç rëndom ngjet edhe në praktikën juridike bashkëkohore, atëherë na rezulton krejt diçka tjetër.

    Në një rast gruaja përkufizohet se është ndera e burrit dhe gjaku i prindërve. Kjo saktësohet në pikën d të paragrafit 64 të nenit 34 të Kanunit ku thuhet: Me rrahë, me plyrë a me vrá gruen e burrit dora e huej, nderen i a kërkon burri, varren a gjakun prindja[4].

    Për të arritur te thelbi i çështjes këto duhet të ndërlidhen me pjesët tjera të Kanunit.

    Paragrafi 600 saktëson: Ai të cillit i u muer ndera, xêhet i dekun kah kanûja. Pra, marrja e nderit apo cenimi i tij është i barabartë me vrasjen-vdekjen. E në paragrafin 891 thuhet: Kush të vras nierin prá, kje burrë a grue, djalë a cucë a edhe ferishte djepi, i mirë a shëmtim per dukë, kryeplak a sterplak, i pasë a i pá-pasë, fisnik a firua, ndëshkimi âsht nji doret. Gjaku s’bahet giobë thuhet në nenin 128 të Kanunit, njashtu sikur Ndera e mârrun giobë nuk ká që  thuhet në paragrafin 597. Shikuar në tërësi tani na del një e vërtetë që mund ta zbulojmë duke paramenduar një situatë hipotetike.

    Nëse ndodh që ndokush të vrasë gruan e tjetrit, ai ka cenuar nderin e burrit të saj dhe ka dëmtuar gjakun e prindërve të saj. Të dy kanë të drejtë të kërkojnë llogari dhe të vejnë të drejtën e vet në vend. Njëri, burri duke e la nderin, ndërsa prindërit duke e nxjerr gjakun. Ne baze te kësaj del se e drejta zakonore dhe traditat shqiptare femrës i sigurojnë mbrojtje te dyfishtë duke e ngritur çmimin e jetës së saj sa të jetës së dy meshkujve.

    Një aspekt tjetër që gruas i jep një vend me peshë në të drejtën zakonore është respektimi i saj si subjekt i veçantë që manifestohet në raste po ashtu të veçanta.

    Në traditën e hakmarrjes shqiptare që është njëra nga gjashtë konceptet bazë[5] të Kanunit sado që Gjaku shkon për gisht (Neni 125 sipas Kanunit të vjetër të Maleve të shypnisë) gruaja përjashtohet nga ky rregull. Neni 28 saktëson se ,,Grueja s’bjen në gjak” – Grueja lëshon më gjak prinden. Pra, gruaja përjashtohet nga ndëshkimet për “gabimin”  që mund të bëjë – vrasjen.

    Për më tepër, nga kontaktet që kam pasur me njerëz që në aspektin praktik janë marrë me këto probleme, kam mësuar se tradita e mirëfilltë shqiptare nuk e ka lejuar vrasjen (sidomos kur bëhet fjalë për gjakmarrjen) në asnjë rrethanë të bëhet në prani të femrës dhe as të fëmijëve të mitur – minoren.

    Këto janë vetëm disa aspekte të cilat kam menduar t’i vë në pah në këtë Konferencë. Ato edhe po të vlerësohen me kriteret e të sotmes, dalin se janë shumë të avancuara e le më për kohën kur janë konsoliduar si norma dhe zakone të veçanta. Dhe kjo kohë, siç e vura në dukje më lartë, për mendimin tim është mesjeta e mesme, kohë që përkon me periudhën e shekujve XII, XIII, XIV dhe XV të epokës sonë, e që për mendimin tim vulën vendimtare duhet ta kenë marrë nga zhvillimi i gjithmbarshëm që ka mundësuar krijimi i Principatës së Arbrit[6] fillimisht.

    Si të tilla ato paraqesin margaritarët e një të kaluare që dëshmojnë për një stad të lartë qytetërimi dhe zhvillimi të përgjithshëm të arbërorëve si paraardhës tanë, por që fatkeqësisht në kohën tonë na kanë arritur në formë reminishencash dhe nga vështirësitë historike nëpër të cilat kemi kaluar nuk kemi pasur mundësi që t’i ofrojmë pjesës tjetër të botës si vlera burimore dhe origjinale që kanë qenë.