(Mos)kompensimi i energjisë elektrike, 4 muaj tallje dhe lodhje për 203 mijë hallexhinjve

    452
    Ministri i të papunëve dhe varfërisë Erjon Veliaj, tashmë i “desantuar” në misionin për t’u bërë kryetar bashkie i Tiranës, deklaroi dy ditë më parë në Këshillin Kombëtar të Punës, se po ikën nga posti i ministrit me 1 “peng” dhe 1 “amanet”. Pengu është se nuk arriti dot t’u jap kompensimin e energjisë elektrike familjeve të varfra, ndërsa amaneti është që ky kompensim t’u jepet… brenda vitit! Ky “peng” i (ish)ministrit Veliaj, ka nisur 4 muaj më parë, konkretisht në 22 dhjetor 2014, kur Veliaj deklaroi me bujë, se kompensimi financiar i energjisë elektrike për familjet e varfra që preken nga rritja e çmimit, do të nis në pagesat e para të muajit janar 2015, kur pensionistët, asistencialistët, të papunët, invalidët dhe gjithë kategoritë që përfshiheshin në udhëzimin e lëshuar prej treshes ministrore Gjiknuri-Cani-Veliaj, do të merrnin lekët e kompensimit të energjisë elektrike. Në muajin janar 2015, kur nisi pagesa e pensioneve dhe pagesave të ndihmës ekonomike, lekët e kompensimit nuk u dhanë, ndërkohë që Ministri Veliaj tha se do të jepeshin në datën 1 shkurt 2015, së bashku me kompensimin e janarit. Nuk u dhanë as në shkurt, as në mars, as në 1 prill e as tani në fund të prillit. Nuk do t’i marrin as në muajin maj, mbasi qeveria ka njoftuar se do të jepen në muajin qershor 2015, sepse sipas qeverisë… do të dalë një një ligj, një VKM, një udhëzim, një urdhër, skemë dhe një formular i ri! Në fakt VKM Nr. 8/2015 ka dalë por nuk po zbatohet, që përfituesit të marrin lekët e kompensimit. Sipas skemës, kompensim përfitojnë ata individë e ato familje që jetojnë në varfëri, të papunët, invalidët, ata që trajtohen me ndihëm ekonomike dhe pensionistët kryefamiljarë. Lista e të trajtuarve me pensione të çdo lloji, të cilët përfitojnë kompensim energjie, do të hartohet nga drejtoria e sigurimeve shoqërore e cila, sipas informacionit nuk e ka bërë akoma gati listën e përfituesve edhe pse kanë kaluar 4 muaj!
    Zvarritja 4 mujore, 203 mijë familje 
    po lodhen e tallen me procedura fiktive
    Janë 203 mijë e 928 familje dhe individë në gjithë vendin, të cilët sipas dokumenteve aplikuese që janë të konfirmuara edhe zyrtarisht si të rregullta, presin të marrin kompensimin e energjisë elektrike, pas rritjes së çmimit të saj, që u tha se nuk u rrit, por u ul dhe siç duket, qeveria ka premtuar se do ta jap kompensim jo për rritjen, por për uljen e çmimit të energjisë. Tashmë në fund të prillit, mbushen 4 muaj që nga dita kur duhej të ishte bërë pagesa e parë e kompensimit në vlerën 650 lekë në muaj për çdo përfitues, por nuk po bëhet. Për të përballuar këtë kompensim, qeverisë i duhen 16 milionë dollarë! Qytetarëve të futur në listat e përfitimit do t’u jepen nga 650 lekë në muaj, por edhe këto po kalojnë nëpër një lodhje e tallje pa fund, duke lodhur hallexhinjtë që presin lëmoshën që në energji është e barabartë me 60 KË! Që pas daljes së VKM Nr. 8/2015 për skemën e kompensimit të energjisë elektrike, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore Shtetërore, në këto 4 muaj “procedura” kanë nxjerr 184 udhëzime, urdhëresa, rekomandime, sqarime, njoftime, formularë dhe metodika për plotësimin e dokumenteve të përfitimit të kompensimit. Prej 4 muajsh, ata që presin të marrin kompensimin “ëndërr”, po shikojnë “ëndrra me sy hapur me kompensim energjie” dhe shkojnë çdo ditë nëpër zyrat e shtetit, duke bërë për çdo 3 muaj, 34 dokumente me vlerë 4800 lekë të reja, për të përfituar… 650 lekë të reja kompensim në muaj! Por kompensimi nuk po u jepet. Aq lodhje, aq tallje e aq shpenzime kohe dhe financa po krijon procedura “odise” e kompensimit të energjisë, sa tashmë qytetarët e kanë lënë dhënien e kompensimit në mëshirë të qeverisë, nëse e jep ose jo. Deri tani, nuk është dhënë asnjë qindarkë. Deri në qershor, sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore, kompensimi nuk do të jepet as në muajin qershor. Pastaj, do hidhet në qarkullim “karta” e krijimit të pushtetit të ri lokal dhe kalimi i të drejtës së kompensimit të energjisë, në kompetencë të bashkive. Këto, nuk mund ta japin dot kompensimin as në korrik, as në gusht e as në dhjetor, mbasi do të jenë pushtet pa buxhet e kështu, kompensimi do të mbetet një demagogji e radhës, për të vazhduar në janar 2016, të njëjtën metodë zvarritjeje si në vitin 2015! 
    ————————————— 
    box
    Udhëzimi qesharak: Që të përfitosh kompensimin në 1 janar 2015, deklarimi duhet bërë më 27 prill 2015!
    Qeveria, në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore Shtetërore, kanë nxjerr një udhëzim sipas VKM nr. 8/2015, duke i sqaruar qytetarët që kanë të drejtë ligjore të përfitojnë kompensim energjie elektrike. Në këtë udhëzim, ka një gallatë, që ndodh vetëm me shtetin shqiptar dhe pranohet vetëm prej popullit shqiptar! Ja çfarë thotë udhëzimi kujtues e sqarues i bërë prej ISSH: “… Kompensimi i diferencës së çmimit të energjisë elektrike, ka filluar nga data 01. 02. 2015 dhe i përgjigjet energjisë elektrike të shpenzuar nga data 01. 01. 2015. Me qëllim, që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve, të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH-ja, si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit janë të vlefshme ato dokumente të cilat shërbejnë për dhënien e kompensimit sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 565, datë 9.8.2006 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”. Ju kujtojmë, që e drejta e përfitimit të kompensimit, fillon nga data 01. 02. 2015, por me kushtin, që deklarimi për përfitim të jetë bërë brenda datës 27. 04. 2015”. Mjafton të lexosh këtë udhëzim dhe sqarim zyrtar dhe kupton se çfarë shteti kemi, se sa e vërtetë është që do bëhet kompensim energjie! Kjo është absurde, madje tallje që tregon qartazi se lekët e kompensimit të energjisë elektrike po shtyhen me VKM, udhëzime, urdhra, kujtesa, formularë e lloj-lloj praktikash false që hidhen në qarkullim çdo javë, për faktin se sipas informacioneve tona, këto lekë nuk do të jepen, mbasi shteti nuk ka as 16 milionë dollarët që duhen për kompensimin e ligjëruar, por me sa duket nuk ka as vullnetin për t’i dhënë! 
    ————————————————————
    box
    Ja 34 dokumente me vlerë 4800 lekë, që duhen bërë për të marrë
    1. Pagesa 250 lekë, vërtetim tek noteri, fotokopjes së firmosur të kartës së identitetit.
    2. Pagesa 250 lekë, vërtetim tek noteri, fotokopjes së librezës të energjisë elektrike.
    3. Pagesa 500 lekë,vërtetim nga OSHE, që nuk ka detyrime të papaguara.
    4. Pagesa 200 lekë, vërtetim nga Shërbimi Social Shtetëror.
    5. Pagesa 200 lekë, vërtetim vendimi prej KMCAP-KMPV.
    6. Pagesë 50 lekë, certifikatë personale.
    7. Pagesë 50 lekë, certifikatë familjare.
    8. Pagesë 100 lekë, vërtetim banor i lagjes. 
    9. Pagesë 100 lekë, vërtetim si i pa punë. 
    10. Pagesë 100 lekë, vërtetim shkolle fëmijët.
    11. Pagesë 200 lekë, vërtetim prone hipoteke.
    12. Pagesë 200 lekë, vërtetim pagese taksash.
    13. Pagesë 100 lekë, vërtetim pagese energjie. 
    14. Pagesë 200 lekë, vërtetim pagese telefoni. 
    15. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk ke prona. 
    16. Pagesë 200 lekë, vërtetim biznesi bashkie.
    17. Pagesë 100 lekë, vërtetim tatimesh biznes. 
    18. Pagesë 100 lekë, vërtetim për makinë. 
    19. Pagesë 100 lekë, vërtetim pune bashkëshortja. 
    20. Pagesë 100 lekë, vërtetim papunësie fëmijët.
    21. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’je i punësuar ilegal. 
    22. Pagesë 100 lekë, vërtetim pensioni pleqërie.
    23. Pagesë 100 lekë, vërtetim pensioni familjar. 
    24. Pagesë 100 lekë, vërtetim nga tregu i lirë. 
    25. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk merr ndihmë.
    26. Pagesë 100 lekë, vërtetim për pension jetimësh.
    27. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’ke pension të posaçëm. 
    28. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’ke shpërblim si veteran ose invalidë lufte.
    29. Pagesë 100 lekë, vërtetim nga shërbimi social, që s’përfiton karburant, energji, libra, ilaçe dhe ujë nga shteti, si invalid, ose familje me anëtarë invalidë pune, para dhe tetraplegjikë.
    30. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’përfiton pension suplementar si ish-funksionar shteti. 
    31. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk merr pension suplementar të parakohshme si ushtarak. 
    32. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk trajtohesh me pagesë të veçantë si minator. 
    33. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk përfiton shpërblim si familje dëshmori.
    34. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk merr pension suplementar. 
    ——————————————————–
    Ja numri i 6 kategorive sociale që përfitojnë kompensim energjie
    1. Familje me ndihmë ekonomike: 88.094
    2. Kryefamiljarë, pension pleqërie-invaliditeti: 80.000
    3. Familje që kanë në përbërje PAK: 7000
    4. Të verbër (sipas VKM nr. 404): 13.016 
    5. Para e tetraplegjikë (sipas VKM nr. 404): 6818
    6. Buxhetorët me pagë nën 35 mijë lekë: 9000
    ———————————————————
    Ja 7 tregues varfërie të shqiptarëve
    1. Afro 65% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 40% të ushqimit jetik ditor me 25% të kalorive të domosdoshme, ose ushqehen vetëm 1.3 herë në ditë.
    2. Ndihma ekonomike, sa 10% e kuotës ushqimore jetike e të varfërve ekstrem në Somali
    3. Afro 65% e shqiptarëve, sigurojnë vetëm 40% të ushqimit të domosdoshëm jetik ditor.
    4. Afro 20% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 35% të ushqimit të domosdoshëm minimal ditor.
    5. Afro 15 % e shqiptarëve jetojnë me lypje dhe sigurojnë vetëm 30% të ushqimit të domosdoshëm ditor.
    6. Afro 10% e familjeve shqiptare, sigurojnë 70% të ushqimit minimal jetik ditor, duke përdorur fëmijët 1-13 vjeç për lypje e punë rruge.
    7. Afro 75% e shqiptarëve konsumojnë ushqime, të cilat kanë vetëm 25% të kalorive të domosdoshme ushqimore ditore për mbijetesë.
    —————————————-
    Ja tabela e papunësisë reale në 50 qendra banimi (Sipas pushtetit lokal)
    1. Tiranë: 98790
    2. Kamzë: 17 mijë
    3.Vorë: 8770
    4.Durrës: 38900 
    5. Shijak: 9170
    6. Sukth: 4450
    7. Lushnjë: 23500
    8. Shkodër: 34150
    9. M.Madhe: 3360
    10. Pukë: 2800
    1. Delvinë: 2140
    12. Kukës: 8400
    13. Has: 1100
    14. Memaliaj: 3700
    15. Krujë: 9660
    16. F-Krujë: 7950
    17. Lezhë: 13000
    18. Gjirok: 22500
    19. Maliq: 2750 
    20. Mirditë: 6900
    21. Laç: 6730 
    22. Selenicë: 1110
    23. Dibër: 19300
    24. Bulqizë: 5600
    25. Burrel: 5200
    26. Klos: 1960
    27. Elbasan: 32500
    28. Peqin: 3360
    29. Cërrik: 2100
    30. Gramsh: 2940
    31. Librazhd: 2280
    32. Përrenjas: 1120
    33. Pogradec: 5180
    34. Korçë: 34900
    35. Maliq: 3780
    36. Bilisht: 3200
    37. Ersekë: 4450
    38. Leskovik: 1130
    39. Fier: 31200
    40. Patos: 11500
    41. Roskovec: 1370
    42. Ballsh: 11200
    43. Berat: 21.900
    44. Kuçovë: 8780
    45. U.Vajg: 2240
    46. Çorovodë: 1330
    47. Poliçan: 1460
    48. Vlorë: 37900
    49. Tepelenë: 2310
    50. Sarandë: 7490
    Sigal