Monitorimi dixhital i cilësisë së ujrave detarë, 2015 më pak ndotje

    464
    Monitorimi dixhital i cilësisë së ujërave larës përgjatë gjithë vijës bregdetare në vend për vitin 2015 është prezantuar sot nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Julian Beqiri. Nga monitorimi dixhital i kryer në 78 pika të ndryshme, në 12 plazhe të vendit rezulton se janë ulur plazhet me ndotje të lartë, krahasuar kjo me të njëjtën përiudhë të një viti më parë.
    Në fjalën e tij Ministri Koka vlerësoi punën e shkëlqyer të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në monitorimin e mjedisit të sjellë tashmë në standarte europiane. Më tej ministri Koka u shpreh i kënaqur që nga rezultatet vihet re një rritje e cilësisë së ujërave bregdetare me 20 për qind krahasuar me një vit më parë. Ministri i Mjedisit i bëri thirrje drejtuesve të pushtetit vendor që të marrin masat e nevojshme dhe të punojnë deri në ditën e fundit të mandatit për të siguruar një mjedis të pastër.
    “Gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen disa prej komunave apo bashkive që kanë punuar mirë në këtë drejtim si në plazhin e Kavajës, Durrësit, Sarandës, Qeparoit, Shëngjinit apo Velipojës, të cilët me të vërtetë kanë një situatë relativisht shumë pozitive. U bëj thirrje edhe njëherë të gjithë kryetarëve të komunave dhe bashkive që të marrin masat e nevojshme. Detyrimet vazhdojnë deri në ditën e dorëzimit të detyrës. Është një mision, një detyrë funksionale e tyre për të përmirësuar gjendjen në ato zona ku është e nevojshme.”- tha ministri Koka.
    Ministri theksoi se në bazë të monitorimit gjendja është pozitive edhe në liqenet kryesore në vend, ndërsa në lidhje me 6 basenet e lumenjve ai u shpreh: “Kemi të mirëevidentuar edhe gjendjen e 6 baseneve që gjenden në Shqipëri ku një pjesë e tyre ka një situatë jo fort të këndshme. Ministria e Mjedisit do të marrë masat për të pezulluar ato kompani që janë ndotës së lumenjve”.
    Më tej, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri prezantoi në detaje monitorimin e kryer në 78 pika të ndryshme ne 12 plazhe të vendit duke theksuar se për herë të parë Agjencia po kryen monitorimin dixhital të mjedisit.
    Agjensia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka kryer monitorimin per plazhet: Velipojë, Shëngjin, Durrës, Gjiri i Lalzit, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Ksamil, Dhërmi, Himarë, Qeparo dhe Borsh.
    Nga analizat mikrobiologjike për cilësinë e ujrave të larjes në plazhet e mësipërme, për serinë e parë të monitorimit para fillimit të sezonit turistik të larjes rezulton se janë ulur plazhet me ndotje të lartë, e krahasuar kjo me të njëjtën përiudhë të një viti më parë. Ky përmirësim është ndjerë më shumë sidomos për plazhin e Kavajës dhe të Durrësit, pas futjes së shkarkimeve urbane në sistem kanalizimesh dhe dërgimi i tyre në Impiantet e Trajtimit të Ujrave urbane të Durrësit dhe të Kavajës. 
    Aktualisht është realizuar seria e parë monitorimit, para fillimit të sezonit në datat 11-25 Maj 2015. Deri në 30 Shtator 2015, do të zhvillohen dhe dy seri monitorimi që përkojnë me kohën gjatë sezonit dhe në fund të sezonit veror.
    Monitorimi i AKM-së është pjesë përbërëse kryesore e Planit të Veprimit për Mesdheun. Qëllimi i këtij studimi është vlerësimi dhe njohja e cilësisë mikrobiologjike të ujërave bregdetare të larjes në vendin tone. 
    Sigal