Mjekët e dypunësuar, denoncojnë: “Pronarët na detyrojnë t’i furnizojmë me pacientë nga spitalet shtetërorë”

    381
    Shëndetësia shqiptare po shkon drejt degradimit si shërbim, zhytur në korrupsion e abuzime me mohimin, pazaret dhe cënimin e të drejtës për shërbim shëndetësor të garantuar në sistemin mjekësor shtetëror. Një denoncim konkret i bërë nga një mjek, tregon fytyrën e vërtetë të shërbimit shëndetësor publik në Shqipëri, i cili jo vetëm nuk u bë falas siç u premtua prej “Rilindjes”, por i po trajton pacientët si objekt “biznesi” të pisët, lejuar e bërë në favor të shërbimit mjekësor privat, duke prnuar e miratuar me heshtje, një maskaradë që nuk po ndalet. Pa bërë komente, po publikojmë denoncimin që bëri dje në redaksinë e Gazetës “Telegraf” një mjek specialist, i dy-punësuar në QSUT dhe në një spital privat në Tiranë: “Unë jam mjek specialist prej 25 vitesh, punësuar në një nga shërbimet spitalore të QSU në Tiranë, por i vetë-punësuar gjithashtu edhe në një spital privat, po në Tiranë. Më njohjet e mia, pra me “miqësi e shoqëri” siç bëhen punët në Shqipëri, arrita që të punësohem edhe në spitalin privat, me orar të alternuar paradite e pasdite. Prej 3 vjetësh, së bashku me 12 kolegë mjekë shqiptarë që punojmë edhe në shtet, po punojmë edhe në spitalin privat, ku afro 2 muaj më parë u përballëm me një ultimatum absurd, që sipas vlerësimit timë përbën skandal. Nga drejtuesit e spitalit privat, na u transmetua një “kusht vazhdimi bashkëpunimi” i vendosur prej bosit të spitalit, të cilin nëse nuk e plotësonim na largonin nga puna, ndërsa nëse do ta plotësonim do të qëndronim në punë. Konkretisht, në mesin e muajit shtator 2015, administratori i spitalit na bëri një mbledhje “speciale”, i cili “me porosi të bosit të madh” na njoftoi këtë kusht: Të gjithë ne mjekët shqiptarë, që punojmë edhe në sektorin mjekësor shtetëror, duhej të “furnizonim me “punë” (me pacientë) shërbimet e spitalit privat. Sipas kushtit, duhej që në spitalin privat të çonim (çojmë) pacientë nga ata që paraqiten në klinikat dhe spitalet shtetërore ku ne punojmë, ndryshe nuk do të qëndronim në punë në spitalin privat. Sipas kushtit të vendosur, secili prej nesh që punojmë në shtet por edhe në spitalin privat, duhet të çonim (çojmë) një “sasi” pacientësh nga ato “lloje” shërbimesh mjekësore që na paraqiten në spitalet shtetërore ku ne punojmë. Konkretisht, na është vendosur ky “plan pune mujor” për “furnizimin” e spitalit privat me pacientë: Secili nga ne, duhet të çoj në spitalin privat 2 pacientë në muaj për operacion çfarëdo lloji qoftë, 6 pacientë për skaner, 10 pacientë për analiza të përgjithshme, 2 pacientë për kimioterapi, 10 pacientë për “Eko” dhe 1 pacient për trajtim në spitalin e huaj (qendër) jashtë Shqipërisë. Për të mos humbur vendin e punës, fillimisht e pranuam dhe arritëm të çojmë “pak punë” (pacientë), duke u thënë pacientëve, që na paraqiteshin për shërbime në spitalin shtetëror, të shkonin në spitalin privat ku punonim ne, duke i joshur me propagandë, duke u premtuar “aftësi” të profesorëve të huaj, cilësi e siguri jete dhe mjekimi me ilaçe të sigurta, operacione shpëtimtare për jetën dhe zhdukje përfundimtare të sëmundjes. Mirëpo, “norma” e vendosur nga bosi i huaj, nuk mund të realizohej përherë, mbasi këtë kusht (normë pune mujore) e kanë vendosur edhe për 310 mjekët që përveçse në sistemin mjekësor shtetëror, punojnë ilegalisht edhe në spitalet dhe klinikat e tjera private në Tiranë e në rrethe, të cilët “eksportojnë” e spitalit shtetëror, në spitalet private ku punojnë. Për më tepër, që vështirësia për të “plotësuar normën” e caktuar, qëndron në faktin se në “biznesin” me pacientët janë futur edhe mjekët që punojnë në shtet e që kanë biznes mjekësor privat. Nisur prej mos-realizimit të “planit mujor” të pacientëve, mua dhe 6 prej mjekëve të tjerë “të prapambetur”, 20 ditë më parë na paralajmëruan për largim nga puna. Këtë skandal, ia bëmë të ditur Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, prej të cilit nuk na ka ardhur ende asnjë përgjigje…”. 
    Mjekja nga Tirana: Kolegët më mjekuan familjarin tim, me ilaç vdekjeprurës të blerë në Indi
    Po bëjmë publik edhe një denoncim tjetër, të bërë në gazetën “Telegraf” prej një mjekeje specialiste në QSU Tiranë, denoncim që tregon se krimi shëndetësor ndaj pacientëve, ka arritur deri në atë lloj “xhungle”, sa bëhet edhe ndaj familjarëve të mjekëve e jo më ndaj qytetarëve të thjeshtë. Mjekja tregon: Një nga familjarët e mi, pas sëmundjes që u shfaq, nisi të kurohej me një ilaç për diagnozë tumorale. Në vijim të mjekimit, mjeku specialist i fushës, rekomandoi të përdorej një flakon për trajtim kimiotrapik. Duke qenë mjeke specialiste brenda sistemit të shëndetësisë dhe brenda qendrës spitalore, dyshova se mjekimi ishte i gabuar, paçka se kushtonte mbi 50 mijë lekë të reja një mjekim, ilaçe që shpesh sipas nivelit të sëmundjes, kushtojnë edhe deri në 100 mijë lekë të reja. Duke konstatuar faktin, që mjekimi nuk po bënte efekt, pra nuk po sillte ndryshim, vendosa ta çoj për kontroll mjekësor në Austri, duke marrë me vete edhe ilaçin që kolegët më kishin dhënë për mjekim, me qëllim që të informoja mjekët në Austri, për llojin e mjekimit. Pas ekzaminimit të bërë, mjekët më thanë: Ilaçi që iu kanë dhënë për mjekim mjekët në Shqipëri është ilaç vdekje-prurës dhe çuditemi se si pacienti nuk ka humbur jetën nga përdorimi i tij. Pas konsultës me mjekët austriak, mësova se ishte ilaç i rrezikshëm, që prodhohej në Indi dhe që futej në mjekësinë shqiptare nëpërmjet blerjeve me tenderët korruptiv që ministria “Beqja” u jep firmave klienteliste të prodhimit dhe tregut të ilaçeve. Sipas denoncimit të mjekes, ilaçi kimioterapik tumoral “Made in India” që jepet në spitalet shqiptare nuk i shpëton, por i vdes pacientët duke u dhënë vetëm 6 muaj jetë pas përdorimit, ndërsa ilaçi që bleva në Austri, dha këtë efekt për të afërmin tim: prej 3 vitesh që vazhdon kurohet me të, ka 100% ndryshim, madje normalitet në ecje, fjetje, komunikim, ushqim, energji fizike…
    Mjekësia është kthyer në “moçal” pasigurie, shpërfilljeje, korrupsioni e zhvatje të qytetarëve
    Denoncimi i bërë prej mjekut nga Tirana, provon realitetin mijëra rasteve skandaloze e deri kriminale të disa segmenteve të shërbimit shëndetësor shqiptare, të denoncuar prej qytetarëve që nevoja jetike për shërbime mjekësore i çon përditë në spitale, klinika, ambulanca e qendra shëndetësore të sistemit shëndetësor shtetëror shqiptar. Në spitalet dhe urgjencat e shëndetësisë shqiptare mbizotëron një kaos i plotë me mungesë ilaçesh, mungesë pajisjesh, mungesë mjedisesh, mungesë orendish spitalore, mungesë higjiene, mungesë përgjegjësie nga mjekët, panik prej mjekimeve të pasigurta deri me rrezik jetën, dy ditë më parë, për mungesë uji edhe përzënien nga spitali të pacientëve të shtruar, pa llogaritur korrupsionin që bëhet me tenderët e investimeve, pajisjeve e ilaçeve, të cilët prej 2 vitesh u janë hequr si kompetencë drejtorive të spitaleve dhe janë përqendruar në formë e procedurë korruptive, në dorën e kupolës së ministrisë “Beqja”e cila bën prokurimet edhe për blerjen e fshesave të ambulancave të fshatrave. 
    ——————————————————–
    Në janar 2016, shkurtohet 20% e personelit mjekësor 
    Sikur të mos mjaftonte fakti që shërbimi mjekësor shqiptar është në krizë menaxhimi e cilësi shërbimesh, burime të gazetës “Telegraf” nga brenda kupolës së ministrisë “Beqja”, bëjnë me dije, se janari i vitit 2016 në sektorin e shëndetësisë, do të nis e do të mbyllet me shkurtimin e 20% të personelit mjekësor të mjekëve në shkallë vendi. Kjo “fshesë” ka lidhje me pakësimin e buxhetit 2016 të sektorit të shëndetësisë. Kjo masë largimi e 20% të mjekëve, infermierëve e specialistëve në shëndetësi, do të thotë pakësim shërbimesh. Në vend që numri i mjekëve të shtohet, do të pakësohet, ndërkohë që edhe numri aktualë i tyre, mbulon me shërbim mjekësor vetëm 60% të zonave dhe popullatës, sidomos në zonat rurale ku mjekët dhe punonjësit ndihmës të këtij sektori mungojnë në 80% të zonave. 
    Sigal