Mjekë me diploma false, farmacistë  e dentistë  pa licencë

    531
    Sigal

    Durrës, përveç ndotjes dhe tatimeve, vijojnë skandalet edhe në fushën e mjekësisë

    Drejtoria e Shëndetit Publik ka nisur fushatën e spastrimeve të bluzave të bardha  duke “zbuluar” gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të befasishme skandalin e  mjekëve me diploma false, apo  dhe klinika dentare pa licencë prej vitesh. Në kuadër të kësaj pune, në qytetin e Durrësit aktualisht  janë 34 klinika që ushtrojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me ligjin. Nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik, është marrë me seriozitet puna e sektorit privat. Klinikat e kanë të përhapur aktivitetin e tyre në shërbime të ndryshme mjekësore si, stomatologji, gjinekologji, laborator kirurgjie, biokimist etj. Kohët e fundit është rritur ndjeshëm numri i klinikave private, ku nuk ka munguar edhe abuzimi nga ana e mjekëve, duke i’u shmangur çdo detyrimi  ligjor. “Këto mjekë duhet të mbyllin klinikat e tyre private ose t’i nënshtrohen rregullave dhe ligjit për licencimin e tyre”, deklaroi për “Telegraf” një burim i  Shërbimit  Publik  Shëndetësor. Masa urgjente do të merren edhe në repartin e Urgjencës ku janë denoncuar edhe raste të korrupsionit nga mjekët dhe infermierët.

    Mjekët pa diplomë

    Problem serioz mbetet punësimi mjekëve, kurse zbulimi dy mjekëve me diploma të falsifikuara përbën skandal për Ministrinë e Shëndetësisë. Aktualisht janë hequr nga puna dy mjekë që nuk dispononin diplomë dhe është bërë denoncimi për  abuzime  për 11 mjekë të tjerë. Nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik, po punohet për evidentimin e të gjitha problematikave që ka shëndetësia sot, ku  si parësore janë parë licencimi i klinikave private dhe evidentimi i mjekëve me diploma të falsifikuara. Urdhrin e ministrit Beqja, pak ditë më parë duket se, Drejtoria e Shëndetit Publik Durrës, e ka vënë në zbatim. Kjo duket tek masat ndëshkuese për të gjithë mjekët që nuk janë të specializuar apo të kualifikuar për fushën e mjekësisë. Në këtë mënyrë, shëndeti dhe puna e bërë nga mjekët për pacientët do të jetë më e kualifikuar dhe e sigurt. Por, ISKSH ka zbuluar dhe penalizuar vetëm ditët e fundit 10 farmaci dhe klinika dentare në qendër dhe lagjet periferike të cilat kanë patur mangësi në dokumentacion dhe punonin pa licencë prej 2 vitesh.

     Ndotja, problemi i Durrësit

    Drejtoria e Shëndetit Publik e Durrësit në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Parësor dhe në veçanti me Drejtorinë e Higjienës Epidemiologjisë, ka nisur monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në 18 lagje qytetit, në Shkozet dhe Kënetë. Kjo për arsye se uji i pijshëm shtrihet nën skarpatet dhe në brendësinë e kanalizimeve të ujërave të zeza që derdhen të hapura në ish-Kënetë dhe përfundojnë në det. Në sistematikë po ndiqet  problem ndotjes pasi ndërtimet e shumta në të gjithë vijën bregdetare të pashoqëruara me infrastrukturën adekuate, kanë rënduar shumë situatën higjienike të zonës. Një pjesë e madhe e njësive publike dhe hotelerisë janë me gropa skeptike, gjë që ka sjellë mjaft shqetësime për higjienën me rritjen e ndërtimeve dhe me shtimin e rritjes së popullsisë të tejkaluar në zonën e plazhit.

    A.A