Mitrush KUTELI/ Më di a nuk më di

    448
    Sigal

    Më di a nuk më di se qaj,

    më di a nuk më di se vuaj

    në orët e thella të natës,

    kur ngrihem i çmendur të shkruaj

    me gjakun e zemrës të shkruaj.

    Më di a nuk më di se agimet

    më gjejnë pa gjumë në shtrat,

    me shpirt të shkretuar nga dhembja,

    e dhimbshëm i pres perëndimet,

    me ankth i pres perëndimet.

    Më di a nuk më di se sot

    u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën)

    që zbriste me flladet e prillit (tetorit),

    e ëmbël siç ishte qëmot,

    e hidhur siç ishte qëmot.

    Më di a nuk më di se vuaj

    në orët e thella të natës,

    kur ndjehem nga jeta i huaj,

    nga vendi i lemjes i huaj.

    Më di a nuk më di…