Mirësevjen i Madhërueshmi Ramazan!…

    487
    Sigal

    Me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, muajit të adhurimit, gëzimit dhe besimit

    Ramazani vjen me rrjedha kuptimesh dhe emocionesh, që ujisin zemrat e thara dhe të etura duke e favorizuar botën e brendshme të njerëzve për kuptime dhe koncepte të reja. Në ditët, orët dhe minutat e këtij muaji të bekuar, zemrat arrijnë kaq thellësi shpirtërore dhe bëhen aq të kthjella, sa që njerëzit kurrë nuk dëshirojnë të largohen nga atmosfera e kësaj paqeje. Në këtë mënyrë, këta njerëz të përkohshëm arrijnë në gradën e qenieve të përjetshme, ndërsa çdo sjellje e tyre e programuar sipas shpirtit të tyre të adhurimit, arrin vlera ceremonish parajsore. Për të vëmendshmit e këtij muaji, iftaret përmbushen me ndjenjën e adhurimit dhe thuajse bashkëngjiten me teravitë; syfyret ndërthuren me namazin e natës dhe marrin pjesë prej afrimit me Mëshirëplotin. Rrugët mbushen me udhëtarët e xhamive, faltoret oshtijnë si Qabja me tekbirë; rrugët, pazaret sikur kthehen në faltore dhe faltorja vetë shndërrohet në Qabe. Çdo zë, çdo lëvizje, çdo hap dhe çdo veprimtari në këtë muaj, na kujton Ramazanin në mënyrën e vet. Ndërsa ne mundohemi ta përjetojmë atë thellë në gjoksin tonë, ai, me momentet më të zjarrta na dhuron dashuri, përkushtim dhe emocion… duke i ofruar shpresë e vullnet etjes së zemrës sonë, ai i rikthen gëzimin syve të përlotur dhe buzëqeshjen fytyrave të brengosura.

    Agjërimi

    Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiston në privimin me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit. Myslimani e agjëron këtë muaj sepse është urdhër i Zotit dhe vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij, gjithsesi në këtë adhurim, si në çdo adhurim tjetër ka një sërë urtësish e dobish, shpirtërore, psikologjike, sociologjike, shëndetësore etj. të njohura deri tani dhe të panjohura akoma. Ky adhurim që e ngre njeriun në nivelin e engjëjve, duke e bërë të ndjejë nevojën e ushqimeve, i kujton atij vlerën e mirësive dhe Pronarin e vërtetë të tyre; duke i vënë fre egos e maturon atë; duke e bërë bashkëvuajtës me shtresat në nevojë i mëson atij durimin dhe e bën të përgatitur të përballojë vështirësitë e mundshme të jetës. Si datë, agjërimi në Ramazan është bërë obligim në muajin Shaban të vitit të dytë të hixhretit me ajetin 183 të sures Bekare ku thuhet: “O ju që besuat! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. Agjërimi në fenë Islame dhe aplikimi i tij në praktikë, mbi të gjitha është një adhurim që bëhet vetëm për hir të Zotit, e cila kupton nënshtrimin ndaj Allahut dhe respektimin e ligjeve të Tij, duke hequr dorë në një pjesë të kohës së dhuruar nga Zoti, nga ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet intime….Kur njeriu largohet nga ushqimi gjatë gjithë ditës, nga lindja në perëndim të diellit, derisa uria ta ketë lodhur dhe etja ta ketë ngacmuar, me mbërritjen e kohës së iftarit ai arrin të ndiejë rëndësinë dhe vlerën e mirësisë së Allahut ndaj tij. Këtu njeriu ndjen një gëzim të natyrshëm kur sheh se, ajo që ishte e ndaluar për të gjatë gjithë ditës, u bë e lejuar siç thotë edhe Profeti ynë i nderuar: “Agjëruesi ka dy gëzime; kur çel iftarin, gëzohet për të dhe kur të takohet me Zotin e tij, do të gëzohet me agjërimin”.

    Pse duhet të agjërojmë?…

    • Agjërimi i kujton njeriut takimin me Zotin

    • Agjërimi i lartëson njeriun në nivelin engjëllor

    • Agjërimi ia mëson njeriut vlerën e të mirave

    • Agjërimi e mëson njeriun të bëjë ekonomi

    • Agjërimi maturon shpirtin

    • Agjërimi i vë fre egos

    • Agjërimi e mbron njeriun nga mëkatet

    • Agjërimi ia mëson njeriut respektin ndaj amanetit

    • Agjërimi ia mëson njeriut besnikërinë ndaj fjalës së dhënë

    • Agjërimi ia mëson njeriut të jetë i ngopur e i kënaqur

    • Agjërimi ia mëson njeriut durimin

    • Agjërimi ia mëson njeriut të përballojë shqetësimet

    • Agjërimi ia mëson njeriut rregullin dhe rregullsinë

    • Agjërimi i siguron shoqërisë bashkimin dhe unitetin

    • Agjërimi ia kujton njeriut gjendjen e të varfrit

    • Agjërimi parandalon lypjen

    • Agjërimi i jep pushim trupit

    • Agjërimi rinovon trupin

    • Agjërimi e mbron trupin nga sëmundjet

    Nata e Kadrit

    Nata e Kadrit është një prej netëve të muajit të begatë të Ramazanit. Ajetet Kur’anore dhe fjalët e të dërguarit Muhamed (alejhi selam), që flasin për të, janë të shumta. Për rëndësinë dhe pozitën që kjo natë gëzon tek zemrat e njerëzve, e tregon dhe fakti që, pothuajse i madh e i vogël, ditën që i paraprin natës së Kadrit e agjërojnë. Allahu në Kur’an thotë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) Natën e Kadrit. E ku di ti ç’është Nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e dobishme se njëmijë muaj. Atë natë zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili) me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit” (Kadr, 1-5). Fjala “kadr” do të thotë “fuqi, sundim, nder, vlerë”. Ky përgëzim hyjnor është aq i qartë dhe i fortë në Kur’an, sa nuk lë vend për asnjë koment tjetër. Si rrjedhojë, ky është edhe një argument tepër i fuqishëm për vlerën e lartë të kësaj nate. Kjo natë e madhe ka mirësitë e pakrahasueshme me asnjë natë tjetër të zakonshme, ngase vetë Zoti (xh.sh.) nëpërmjet ajetit Kur’anor ka pohuar se kjo natë është më e mirë se njëmijë muaj (rreth 83 vjet). Në një ajet tjetër Zoti Fuqiplotë përmend natën në të cilën është zbritur Kur’ani, natën e bekuar të Kadrit duke thënë: “Ne ta zbritëm atë në një natë të bekuar. Ne deshëm t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm” (Duhan, 3). Nata e mirë e Kadrit Kur Allahu me madhërinë e Tij i ka dhënë një rëndësi kaq të madhe kësaj nate, ne duhet medoemos të përgatitemi dhe ta presim atë me nderimet e merituara. Profeti (s.a.s.) në një hadith të tijin ka thënë: “Ai që e kalon Natën e Kadrit me adhurim duke besuar me zemër për vlerën e saj, i falen të gjitha gjynahet e mëparshme”.