Ministria e Veliajt, “bashkëpunëtore” në skandalin e diplomave dhe notave false

    299
    Sigal

    Kush nuk tregon krimin, quhet bashkëpunëtor në krim. Heshtja, me qëllim mbulimin e krimit, sidomos nga institucionet shtetërore (dhe për më tepër në nismën e ndërmarrë nga qeveria kundër korrupsionit) është akoma dhe më e rëndë. Rëndon së tepërmi heshtja e institucioneve shtetërore mbi skandalin e diplomave dhe listave të notave të falsifikuara. Asnjë instancë shtetërore nuk bëhet pjesë e transparencës, edhe pse është detyrim ligjor, kur bëhet fjalë për një pozicion publik, “dhuruar” një personi, i cili ndodhet aty falë diplomës dhe notave të falsifikuara. Hesht Universiteti Politeknik i Tiranës, institucioni të cilit i janë falsifikuar dokumentet bazike. Hesht Ministria e Arsimit dhe e Sportit, institucioni që komandoi drejtorin e shkollës së mesme profesionale dhe që pranoi pa vërtetuar dosjen e drejtorit me dokumente të falsifikuara. Hesht dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila ka tashmë në varësi të saj shkollat profesionale. Ky skandal dhe kjo heshtje e institucioneve shtetërore bën që “nisma antikorrupsion” e qeverisë të jetë “nul”. Si mund të funksionojë kjo nismë, nëse institucionet shtetërore janë bashkëpunëtore në krim (fshehja e krimit të bën bashkëpunëtor)? Ndërkohë, prindërit e nxënësve të shkollës së mesme profesionale presin që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të bëjë transparencë. Ata duan të dinë se kush është drejtuesi i shkollës ku po arsimohen fëmijët e tyre. Ky shqetësim, mbi falsifikimin e listës së notave dhe diplomës së Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës, i ngritur prej më shumë se një muaji nga gazeta “Telegraf”, ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet shtetërore, të përfshira në këtë skandal.

    Hesht ministria e Veliajt

    Vazhdon të heshtë Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, edhe pse zyrtarisht, është shprehur për “Telegraf” se denoncime të ngjashme për të njëjtin drejtues shkolle ka marrë dhe ky dikaster. Madje, është pranuar nga MMSR, se i kanë dërguar Universitetit Politeknik, që në dhjetor të viti që shkoi, kërkesë zyrtare në lidhje me verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve të lëshuara nga ky institucion i arsimit të lartë për drejtuesin e shkollës profesionale, por ende nuk kanë marrë një përgjigje. Personi në fjalë është drejtor i komanduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por meqenëse, ligjërisht, arsimi profesional ka kaluar, tashmë, në varësi të MMSR-së, edhe dosjet e punonjësve apo drejtuesve në institucionet e arsimit profesional po transferohen në këtë ministri. Edhe pse gjasat janë të shumta që të kemi të bëjmë me falsifikim dokumentesh të Universitetit Politeknik, ministria e Veliajt, duket se po rehatohet dhe nuk po gërmon më për të verifikuar vërtetësinë e tyre, edhe pse cenohet integriteti i një shkolle në varësi të kësaj ministrie, por për më tepër cenohet cilësia mësimore që ofron kjo shkollë dhe më të humburit, në këtë rast, janë fëmijët. A mos ndoshta janë të vërteta fjalët që qarkullojnë se drejtori i kësaj shkolle është i afërm i bashkëshortes i një prej funksionarëve të lartë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë?!