Ministria e Mjedisit hesht për masakrimin e perlës së bregdetit dhe turizmit kulturor

    367
    Sigal

    Ambientalistët  japin alarmin: Tonelata me mbeturina po ndotin bregdetin duke nxjerrë jashtë funksionit Gjirin e Lalzit

    Pas liqenit të Fierzës, duket se radha e ndotjes i ka ardhur bregdetit të Durrësit. Tonelata me mbeturina po derdhen në Erzen dhe gjithë zonat bregdetare të Durrësit. Makina të tonazheve të rënda, madje, karroca me kuaj derdhin në lumin Erzen çdo ditë mbeturina inerte dhe organike, të cilat prej andej përfundojnë në det. Banorët e fshatrave përgjatë Erzenit,  shprehen të shqetësuar për situatën, e cila i është përcjellë edhe ARM. Inspektorët e saj u shprehën se, “në bregdetin  e Durrësit  po depozitohen  mbeturina lloj-lloj duke  nisur nga inertet, si pasojë edhe e ndërtimeve  pa kriter buzë tij, apo edhe mbeturina të firmave prodhuese nga Shijaku”. Por ambientalistët shprehen të shqetësuar edhe për faktin se prerja e pemëve ka shkaktuar përmbytjen e një pjese të mirë të vijës bregdetare. Janë më shumë se 6 km vijë bregdetare, të cilat shumë vite më parë kanë qenë ranishte dhe zona të gjelbëruara e që sot ekzistojnë janë përmbytur nga ujët e detit. Në ARM  deklaruan për “Telegraf” se, “pas një fotografimi  satelitor i vijës bregdetare gjë, e cila përsëritet çdo vit, i cili shtrihet nga Gjiu i Lalësit deri te Porti detar i realizuar nga specialistët italianë edhe për vitin 2014 tregoi se një pjesë e mirë e bregut të detit është përfshirë nga erozioni dhe është përmbytur nga ujët e detit në më shumë se 6 km gjatësi dhe mbi 350 m gjerësi në hapësira të ndryshme përgjatë bregdetit”. Specialistët e mjedisit në Durrës,  kanë konstatuar se ky fenomen është shkaktuar nga dora e njeriut gjatë gjithë këtyre viteve. Shkak për këtë janë bërë depozitimet e mbeturinave inerte brenda në det në disa zona kryesisht në afërsi të Durrësit, prerja e sipërfaqeve të tëra me pemë si dhe ndërtimet pa kriter në det dhe në breg të tij. Territoret të përmbytura janë ato të Rrushkullit. Në vend të pyllit me pisha ku dikur gjallonin kafshë dhe shpendë të rrallë, sot ka vetëm ujë deti. Ajo pjesë ka qenë rezervat pyjor ku gjuanin për fazanë të artë udhëheqja politike e kohës së diktaturës. Pas viteve ’90 individë dhe subjekte private kanë prerë pisha dhe kanë zhdukur  një pjesë të mirë të pyllit. Është një vijë rreth 3 km e pushtuar nga uji. Po ky fenomen ka ndodhur në bregdetin pranë fshatit Rinia në të cilin një pjesë e bregut është transformuar në moçalishte. Më pas fenomeni shfaqet në zonën e Porto Romanos, ku fare mirë tendencën e futjes së detit në tokë e tregojnë bunkerët e kohës së diktaturës komuniste,  të cilët dikur ndodheshin në breg të detit dhe sot janë mbi 250 metra  brenda në det ku thellësia e ujit arrin deri në 150 cm. E njëjta gjë po ndodh në Durrës për shkak të depozitimit të mbeturinave inerte në mënyrë masive sidomos ngjitur me murin rrethues të portit si dhe ndërtimi i disa pistave detare të cilat kanë shkaktuar tragjikisht  përmbytjen e një sipërfaqeje të mirë bregdeti në zonën e Currilave dhe të Bërrylit. Deti ka kompensuar atë që i kanë marrë padrejtësisht  banorët e atyre anëve. Për këtë  tragjedi  në ekosistemin e kësaj pjese të bregdetit askush nuk ka është përballur ndonjëherë me ligjin. ARM  ka dhënë alarmin tek bashkitë dhe komunat, të ndërhyjnë me forcën e ligjit sa nuk është vonë.