Ministri Veliaj ‘kërcënon’ kompanitë ‘Paguani siguracionet e punonjësve’

    475
    Sigal

    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka paralajmëruar kompanitë se Inspektorati i Punës do të tregohet i rreptë me ato që nuk paguajnë sigurimet shoqërore për punëtorët e tyre, si dhe u bëri thirrje punonjësve të raportojnë raste të tilla pranë inspektoratit apo ministrisë.

    “Detyra e shtetit është që të kemi një legjislacion të fortë. Kjo është arsyeja pse vetëm këtë vit kemi kaluar katër paketa të tjera ligjore që forcojnë legjislacionin, çka do të thotë se kemi instrumenta për të inspektuar edhe aty ku kompanitë nuk kanë sensin e etikës”- tha ai.
     
    Sipas tij, këto ndryshime në legjislacion i mundësojnë inspektoratit të punës që të ketë akses në vendet e punës dhe të sigurohet se të drejtat e punëtorëve respektohen, si dhe aty ku nuk respektohen të gjobiten.

    Këtë deklaratë, Veliaj, e bëri gjatë aktivitetit të kompanisë ANTEA Cement “1000 ditë pa aksidente në punë”, ku u shoqërua edhe nga Drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli.  
     
    Ndërkohë që ky i fundit  nënvizoi se “ajo që ne po mundohemi çdo ditë është të rrisim ndërgjegjësimin e krijimit të një mjedisi të shëndetshëm në punë për punonjësit”.

    Gjithashtu një tjetër pikë që ministri Veliaj, u ndal ka qenë mosdeklarimi i pagës së plotë apo mospagesa e sigurimeve shoqërore është vrastare për punonjësit sepse kjo përkthehet në një pension të ulët në të ardhmen.
     
    Për këtë arsye ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje punëtorëve dhe kompanive, të ndërgjegjësohen për të deklaruar pagën reale dhe të paguajnë sigurimet në mënyrë që të përfitojnë pensione më të larta pas 1 janarit 2015.
     
    “Sot kemi shumë raste kur punonjësit punojnë ose në të zezë, ose nuk i deklarojnë sigurimet shoqërore, ose deklarojnë vetëm pagën minimale. Kjo është vrastare për jetën e një punëtori sepse do të thotë se në të ardhmen ai do të marrë një pension qesharak. Nëse dikush punon në të zezë, mund të mbijetojë për pak kohë, por nuk do të ketë se me çfarë të jetojë kur të dalë në pension”,- u shpreh në fjalën e tij ministri Veliaj.
     
     
    Ai theksoi se sigurimet e papaguara sot, do të rezultojnë në pension më të ulët nesër dhe se skema e re e pensioneve, që do të zbatohet nga janari 2015, vlerëson ato kompani dhe punonjës që paguajnë sigurimet shoqërore. “Sa më shumë vite pune dhe sa më e vërtetë rroga, aq më i lartë del pensioni”, shtoi ai. – See more at: http://shqiptarja.com/Sociale/2750/ministri-veliaj-kercenon-kompanite—39-paguani-siguracionet-e-punonjesve–39–254088.html#sthash.urjZqfcU.dpuf