Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të japin dorëheqjen që çuan fëmijën në burg

    395
    Sigal

    Drejtuesit e Policisë së Shtetit fshehin urdhëruesin e arrestimit dhe burgosjes së fëmijës 5 vjeçar

    Një vajzë 5 vjeçare është burgosur në qelitë e policisë (jo në qelitë e burgut, ku edhe aty në  moshë 5 vjeçare – me ligj-  nuk mbahet asnjë fëmijë që të bashkëvuajë dënime të mamasë  të dhëna nga gjykata) për “krimin” që ka kryer mamaja e saj, ngaqë nuk ka paguar energjinë elektrike. Shoqëria Civile ende nuk ka reaguar, duke treguar shpërfillje të plotë ndaj vuajtjes së fëmijës dhe marrjes nëpër këmbë të së Drejtës së fëmijës që të jetojë e lirë, thua se lajmi erdhi nga …Etiopia afrikane, apo mbase drejtuesit e kësaj shoqërie janë tepër të zënë me ndonjë projekt madhor që do duhet t’i paraqesin organizmave ndërkombëtare me tema për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për shpërblim studimi, këta drejtues të shoqërisë (tonë civile) do të marrin …miliona lekë!

    Vajza, ruletë ruse e politikanëve

    Në çfarëdo vendi europian,(para) burgosja e një fëmije 5 vjeçar për shkak se mamaja e saj nuk ka paguar energjinë elektrike, nuk do të ndodhte kurrë.  Është e ndaluar me Kushtetutë. Për analogji, në Greqinë e krizës ekonomike arrestohen vetëm ata (biznesmenë) që i kanë shtetit borxh shuma disa milionë euro dhe kurrë ndonjë qytetar që nuk i ka paguar shtetit ndonjë …qindarkë.. Por kjo ndjeshmëri ligjore, morale,  qytetare nuk i ka ndaluar aspak politikanët tanë që fatkeqësinë e një fëmije 5 vjeçar që njohu egërsinë e shtetit të tij, pa e kuptuar se çfarë  faji i bëri fëmija këtij shteti, të shkëmbejnë kundër njeri-tjetrit replika politike, duke vënë vajzën 5 vjeçe si ruletë ruse. Mirëpo,  askush nga palët politike nuk na informoi të vërtetën. Për sa lekë borxh të papaguara OSHEE-se, u arrestua mamaja e vajzës 5 vjeçare? Sa janë të ardhurat ekonomike të mamasë të vajzës 5 vjeçare që policia e shtetit e burgos? ( Kjo polici do të na mbrojë, paskëtaj,  nga …padrejtësia?) Mirë mamaja e fëmijës nuk ka paguar energjinë elektrike dhe qeveria e dënon me burg, po qeverinë e djeshme dhe të sotme, që e ka lënë pa punë dhe pa ndihma sociale mamanë e fëmijës 5 vjeçare, kush do ta dënojë? Nëse trumbetat e akuzave të ndërsjella, politike do të pushojnë ndonjëherë, a do të ketë ndonjë politikan që ndonëse u ngjir nga zëri për “fatkeqësinë” e burgosjes të vajzës 5 vjeçare, të kërkojë, jo falje për papunësinë e mamasë të vogëlushes, se kjo nuk mjafton, por të gjejnë mundësitë e ndihmesës sociale shtetërore për familjen e vogëlushes. Dhe jo atë ambalazh  të lëmoshës të propagandës politike.

    Krim që u burgos fëmija, kriminelët nuk ndëshkohen

    Edhe kryeministri, që me siguri e kishte mësuar lajmin i pari, do ta kishte futur në sirtarin e harresës, për të mos u mësuar publikisht, u detyrua ta cilësojë krim arrestimin nga policia e shtetit e vogëlushes 5 vjeçare. “Të fusësh në qeli një fëmijë është krim”, – pohon publikisht kryeministri. Derisa  kryeministri e pranon që ka ndodhur krim, përse shteti nuk ndëshkon kriminelët e këtij krimi. Dhe kaq. Nuk guxon të marrë asnjë masë administrative për ata që keq zbatojnë ligjin, por edhe kallëzim penal ndaj  drejtuesve të policisë së shtetit që abuzoi me ligjin. Përse hesht ministri i Brendshëm  dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe nuk zbatojnë  ligjin ndaj gjithë atyre që abuzuan me ligjin dhe burgosën vajzën 5 vjeçare?

    Ministri dhe drejtori i Përgjithshëm duhet të jepnin dorëheqjen

    Në Shqipëri  politikanët dhe zyrtarët e lartë me veprimet dhe mosveprimet në krye të detyrës na japin përditë të kuptojmë se institucioni i dorëheqjes nga detyra është jo vetëm i panjohur, por edhe i kundërshtueshëm nga pushtetarët. Mbase ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk urdhëruan personalisht policinë e rajonit 3 që të futnin në qelitë e policisë vajzën 5 vjeçare, por edhe kur e mësuan nga media (nëse vartësit e tyre ua fshehën faktin) detyrimi i ministrit Tahiri dhe i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Didi, duhet të kishin pushuar gjithë ata që drejtues të policisë që abuzuan me ligjin e burgosën fëmijën. Por derisa edhe Tahiri e Didi heshtën përballë krimit të vartësve të tyre – sa edhe kryeministri e cilësoi “krim” burgosjen e vogëlushes- atëherë tani ka vetëm një rrugë për ministrin Tahiri. Të japë dorëheqjen ai nga posti i ministrit për mosveprim dhe zbatim të ligjit. ndaj një krimi që kryen vartësit e tij. Sepse që të mbulosh një krim e të mos e dënosh- gjithmonë sipas kryeministrit Rama që e cilësoi krim burgosjen e vajzës 5 vjeçare- do të thotë të bëhesh- me dije apo pa dije nuk ka rëndësi- bashkëpunëtorë të të njëjtin krim.

    Reagimet politike

    Edi Rama: Të futësh në qeli një fëmijë është krim

    Të futësh në qeli një fëmijë është krim, po të bësh politikë duke sajuar monstruozitete të tilla çfarë është?”

     Berisha: Të arrestohen menjëherë ata që “burgosën” fëmijën 5 vjeç

     Ish-Kryeministri Berisha i kërkon Kryeprokurorit Llalla të urdhërojë arrestimin e menjëhershëm të zyrtarëve, që mbajtën në qeli për mbi 8 orë, vajzën 5-vjeçare, për shkak të nënës së saj. “I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të urdhërojë arrestimin e menjëhershëm të porositësve dhe ekzekutorëve të këtij akti të rëndë kriminal. Nuk është monstruoze të mbrosh të drejtat e njeriut; monstruoze është mbajtja e një vajze minorene, vetëm 5 vjeçe dhe me probleme shëndetësore, në komisariatin e Policisë për 8 orë, në kushte skandaloze; monstruoze është mosnxjerrja e përgjegjësve dhe e përgjegjësive. Prandaj te dashur qytetare duhet t’i japim fund këtij shteti policor që ka zëvendësuar shtetin ligjor

    Petraq Barjami