Ministri i bluzave të bardha, “bloza” që po nxin “Rilindjen”

    414
    Sigal


    Ministri i bluzave të bardha, “bloza” që po nxin “Rilindjen” me akte korruptive. Mjekët kërkojnë largimin e tij, kundër edhe punonjëset e lavanterive, që u ka shitur frontet e punës tek privatët

     Ministria e Shëndetësisë fsheh 70 % të lekëve të parkingut të QSUT-së, punohet me 3 bilance false

      Mjaftuan 3 biseda “konfidenciale”, për të zbuluar një tjetër skandal korruptiv e hajdutëror, lidhur me të ardhurat e parkingut të shpikur e të futur në veprim me pagesë nga Ministria e Shëndetësisë brenda territorit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Duke vijuar investigimin në lidhje me koncesionin e parkimit të automjeteve, që ka organizuar Shëndetësia me fatin e të ardhurave të parkingut të ngritur në QSUT, mësuam se nga ky biznes me tarifë 100 lekë 1 hyrje në parking, bëhet “lekë i madh”, i cili nuk përfundon në llogarinë e QSUT-së, por në xhepat e shefave që e kanë shpikur këtë biznes që “buron” miliona e që nuk kërkon asnjë investim. Flitet për një biznes që zhvillohet mbi mjediset pronë e QSUT-së, mbasi sheshi ku parkohen makinat është i shtetit, ndërtuar e mirëmbajtur nga shteti, ruajtur me polici private e rendi që paguhen nga shteti me taksat e shqiptarëve. I vetmi investim i biznesit parkim është kabina 1×1, trau që ndalon e lejon hyrje-daljet dhe tre punonjës në 3 turne, që mbledhin milionat që marrin nga automjetet, të cilat futen në mjediset e QSUT-së. Ky aktivitet biznesi, ligjërisht është abuzim, mbasi nuk mbështetet në asnjë ligj, detyrimi për të paguar në një shërbim që është falas dhe financohet nga shteti, përfshirë këtu edhe mjediset e QSUT-së, ku njerëzit futen dhe presin të kryejnë shërbimet mjekësore. Por ja që ministria ka aftësinë, fuqinë, babëzinë dhe mbështetjen shtetërore për të bërë biznese të pista, me të cilat zhvat qytetarët. Në Ministrinë e Shëndetësisë, pyetjes tonë se çfarë ndodh me të ardhurat e parkingut, iu përgjigjën: – “Janë kompetenca të ministrit, drejtojani pyetjen kabinetit të tij”. Për të zbardhur të vërtetën e kësaj vjedhjeve kolosale me lekët që u zhvaten qytetarëve prej biznes-pisnes parkingut, ne zhvilluam tre biseda konfidenciale në 3 “adresa”: Një bisedë me një nga pronarët e biznesit të parkimit; një bisedë me një punonjës të traut të parkingut; dhe një bisedë me një nga punonjësit e financës të QSUT-së. Po riprodhojmë 3 bisedat:

    Biseda e parë, me një nga koncesionarët e parkingut

     “TELEGRAF”: A mund të më ndihmosh edhe mua, të hap një tjetër hyrje e shesh parkingu në QSUT, paguaj “gjobën” sa të duash?

    FIRMA PRIVATE: Jo, jo, jo… Se më ikën puna mua dhe tjetra, këtë e ka në dorë vetëm ministri, ai është zot i kësaj pune, të tjerët janë ushtarë, bëjnë letrat siç u thotë ai.

    “TELEGRAF”: Nga e di ti, që e ka në dorë ministri këtë punë?!

    FIRMA PRIVATE: Po si ore nuk e di, unë e kam provuar vetë, ne me ministrin e lidhëm pazarin, na çoi një deputet dhe vendosëm “aq, për kaq” dhe ja ku jemi. Hamë ne, merr edhe ai, merr edhe një rrogë mujore ai deputeti që na lidhi me ministrin. Na i kanë caktuar kuotën për çdo ditë se sa duhet të derdhim e ku duhet t’i derdhim.

    “TELEGRAF”: Vjen i merr vetë ministri, ato që i “takojnë’?

    FIRMA PRIVATE: Ti qenke trap fare, po pse ministri do vijë këtu, ne kemi lidhje me këta të QSUT-së, ata i bëjnë hesapet e çojnë zarfet.

    “TELEGRAF”: Nuk besoj se ka shumë fitim me këto parkingjet, se ca paguajnë e ca nuk paguajnë?

    FIRMA PRIVATE: Fitim ka, po ja që afro gjysmat e makinave na i ha Beqaj me kompani. Po ec mo, se mos po harxhojmë gjë, janë lekë që fitohen pa zhurmë. Ne jemi në rregull me letrat e me “gjobat”, i bëjmë siç na kanë thënë këta të QSUT-së, si e sa sa të ardhura të pasqyrojmë.

    “TELEGRAF”: I dorëzoni 100% të ardhurat në QSUT?

    FIRMA PRIVATE: Jo mo jo, as 30%, se nuk aq jemi budallenj as ne dhe as ata që na i kanë dhënë këtë biznes. Ne punojmë me 3 palë letra, or mik. Një palë letra i bëj unë për vete për ta ditur se sa nxjerr në ditë e për të mos më vjedhur këta punëtorët. Një palë letra i bëj për t’ia dorëzuar QSUT-së siç më leverdis mua. Një palë letra i bëjmë bashkë me ata të QSUT-së, për të kalkuluar se sa të ardhura do deklarojmë faktikisht në llogarinë e shtetit. Kështu bëhen punët, populli i paguan lekët, se mos i paguan ministri… Ika se kam punë…

    Biseda e dytë, me punonjësin e traut të parkingut

     “TELEGRAF”: A ka ndonjë vend pune këtu, se jam në hall për bukën e gojës? Po më ndihmove, do ta shpërblej?

    PUNONJËSI TRAUT: Ku ka vend pune këtu! Po të kishte, fusja kunatin tim që ka një tufë kalamaj.

    “TELEGRAF”: Nga halli pyeta se kërkoj një punë, po me sa shoh edhe këtu ka lodhje, shikoj që hyjnë e dalin shumë makina, të helmon tymi e të shurdhon zhurma…

    PUNONJËSI TRAUT: Ka shumë lodhje, hyjnë e dalin shumë makina. Në çdo turn futen afro 400-500 makina që paguajnë nga 1000 lekë bileta, llogarit edhe “Tax”-it që nuk parkojnë se hyjnë e dalin për 5-10 minuta. Afro 100 makina janë të mjekëve që nuk japin gjë, d.m.th 100 mijë lekë në ditë ikin “për lesh”. Në të 3 turnet, bëhen afro 1000 makina, të hënave bëhen afro 600 makina vetëm paradite, se vijnë shumë nga rrethet.

    “TELEGRAF”: Po ti, a nxjerr ndonjë “qindarkë” kështu nën dorë përveç rrogës, apo nuk të lënë?

    PUNONJËSI TRAUT: Edhe nxjerr ndonjë gjë, po pak fare, se na i numërojnë makinat një për një…

    “TELEGRAF”: Ti e bën bilancin e makinave që futen në parking?

    PUNONJËSI TRAUT: Jo mo, ç’ne unë! Mua më kanë thënë vetëm kaq: Po erdhi ndonjë person që duket si i tatimeve dhe të pyet se sa makina futen në turn, thuaji 60-70 copë, më kanë lënë edhe një bllok që e mbaj në xhep e ua tregoj, që fillon nga bileta me numër 60-70. Kur dorëzoj turnin, firmos procesverbalin që janë futur p.sh., aq makina sa më thotë përgjegjësi dhe procesverbali çohet në llogarinë e QSUT-së.

    “TELEGRAF”: D.m.th., nuk i raporton sa makina janë futur vërtetë?!!

    PUNONJËSI TRAUT: Jo mo jo, shënojmë aq sa thonë shefat, vetëm 10-15% e makinave të futura në parkim raportohen që janë futur, se mos harxhon gjë shteti, qyl i ka ministri edhe kaq.

    Biseda e tretë, me një punonjëse finance në QSUT

     “TELEGRAF”: Jemi duke bërë një studim ekonomik për menaxhim biznesi menaxherial për diplomë universiteti në degën Ekonomi, në lidhje me burimet e të ardhurave të institucioneve shtetërore të dhëna me qira, ku kemi përfshirë edhe të ardhurat nga parkingu i QSUT-së. Sa janë të ardhurat ditore e mujore që përfiton QSUT, nga ky aktivitet?

    FINANCA E QSUT: Kemi bilancet e të ardhurave dhe normën e fitimit që firma private na i dorëzon sipas kontratës. Sipas letrave që kam unë, të ardhurat mesatare ditore janë afro 6-7 mijë lekë në ditë, me luhatje sipas fluksit të ditëve në masën 10-15%.

    “TELEGRAF”: Në fakt, sipas detyrës të temës së diplomës, ne kemi bërë edhe një vëzhgim dhe rezulton se në bazë të numrit të makinave që hyjnë, fitimet ditore për 3 turnet bashkë, duhet të jenë afro 7-8 herë më të mëdha se këto që keni ju në bilanc.

    FINANCA E QSUT: Unë, di këto që kam në letra, shefat më kanë thënë të arkëtoj aq të ardhura sa sjell firma dhe më këtë urdhër jam në rregull unë. Di vetëm një gjë: Se sa makina hyjnë e dalin në QSUT, kjo mesatare ditore është vendosur me urdhër të ministrit, ne vetëm arkëtar lekësh jemi…

    Ministri i bluzave të bardha, “bloza” që po nxin “Rilindjen”

     – Është ministër i skeduar për abuzime e falsifikime tenderësh, dënuar nga Gjykata Kushtetuese me heqje të mandatit si deputet pas zgjedhjeve të vitit 2009, për përfitimin e paligjshëm të 242 milionë lekëve nga fondet publike.

    – Nuk është specialist i sektorit të shëndetësisë dhe nuk e njeh këtë sektor as si pacient, mbasi shërbimet mjekësore të vetes dhe familjes, i kryen çdo muaj në klinikat jashtë Shqipërisë me fondet e shtetit shqiptar.

    – Ka abuzuar me 48 milionë dollarë fonde të projekteve nga taksat publike, për strategjinë e pensioneve, në vitet kur ishte Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, dosja gjendet në Prokurori.

    – Duke ardhur nga bota e tenderëve korruptiv, ka instaluar në sektorin e shëndetësisë modelin dhe praktikën e sajimit dhe vjedhjes së tenderëve me 12 shërbime koncesionare të paligjshme, dhënë klanit dhe ortakëve të tij.

    – Ka miratuar importin e një liste prej 40 barnash vrasëse të ndaluara në vendet e BE-së dhe 63 barnash të skaduara, që përdoren në shërbimet spitalore, urgjenca, klinika e ambulanca.

    – Ka miratuar një listë prej 154 barnash, që shiten me çmime 5-8 herë më të larta se çmimet në vendet e BE-së.

    – I ka hequr me urdhër QKKB (Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave) të drejtën ligjore të kontrollit në depot farmaceutike, duke krijuar një ekip kontrolli klanor, që vepron vetëm me urdhër të tij.

    – Prej 1 viti, furnizon tregun e tij privat të ilaçeve, me 40% të medikamenteve të cilat i zhvat nga shërbimet spitalore e urgjencat, nën procedurat gjoja të “asgjësimit prej skadencës”.

    – Ka dhënë koncesion tek një klient privat për 20 vjet, me normë fitimi 30% për menaxhimin e pagesave të sigurimeve për shërbimet që bëhen në urgjenca për rastet e aksidenteve automobilistike, duke abuzuar mbasi shërbimi në urgjenca është falas dhe e drejta ligjore e koncesionit jepet vetëm për 1 vit.

    – Shpiku skemën denigruese për testimin e mjekëve, për ta shfrytëzuar si presion me burim fitimesh me largime e emërime nga puna.

    – Shpiku tenderin mafioz të “Check-Up” (kontrolli periodik) me vlerën 120 milionë dollarë, gjoja se do të depistohen 873 mijë shqiptarë, 470 mijë prej të cilëve ua paguan shteti shpenzimet e shërbimit “Check-Up” me këtë 120 milion dollarësh që jepet biznesit privat klientelist të ministrit dhe kupolës “Rilindja”.

    – Brenda 4 ditëve dha urdhër dhe bleu pa prokurim, me procedurë të përshpejtuar 1 helikopter në vlerën 4 milionë dollarë, gjoja për transport të sëmurësh, por që 2 fluturimet e para i bëri personalisht në Vlorë me sekretaren, gjoja për të parë përmbytjet.

    – Ka krijuar konfliktin ekstrem qeveri-trup mjekësore në të 12 qarqet, duke deklaruar se gjithçka që ai bën në shëndetësi… “janë ide dhe urdhra të kryeministrit Rama”.

       

    Ja një model afere korruptive në shëndetësi

     QSUT trajtohet si “hotel”, koncesion 4 vjeçar me 13.2 milionë dollarë për larje çarçafësh

     Po publikojmë një tender korruptiv, lidhur me shërbimin e higjienës në pavijonet e QSUT. Është një koncesion antiligjor, dhënë një firme private e cila do të lajë çarçafët e QSUT-së. Ky koncesion përveç tarifës së lartë të shërbimit, ka edhe shkeljen ligjore të afatit të shërbimit deri në 4 vite, kur ligji e lejon me afat deri në 1 vit. Konkretisht, në Buletinin Nr. 50, datë 15. 12. 2014, drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”-Tiranë (QSUT), ka hapur procedurën mbi kufirin e lartë monetar elektronik, me objekt prokurimi “Shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë në pavijonet” QSUT. Fondi limit i këtij prokurimi është 1 miliard, 106 milionë, 460 mijë e 176.7 lekë të reja, ose 11 miliardë lekë të vjetra, ose 11 milionë dollarë e pa taksën 20%, vlera e të cilës është 2.2 milionë dollarë, gjithsej 13.2 milionë dollarë. Vetëm një fakt: Nga bisedat që zhvilluam me një grup sanitaresh e infermieresh në QSUT, mësuam se zbatimi i koncesionit për larjen e çarçafëve ka nisur që në muajin nëntor 2014, por tashmë janë bërë formalisht letrat me firmën e paracaktuar si fituese. Gjithashtu, firma koncesionare kryen shërbimin e lavanderisë, mesatarisht 1 herë në 3 muaj vetëm për 30% të sasisë së çarçafëve e pajisjeve të tjera, mbasi qytetarët i sjellin vetë nga shtëpitë. Gjithashtu, sipas kontratës në këtë koncesion me afat 4-vjeçar dhe vlerë 13.2 milionë dollarë të shërbimit hoteleri, parashikohet që shërbimi hoteleri në QSUT të lajë edhe batanijet, të pastrojë dyshekët, të lajë perdet e dritareve, të mirëmbajë pajisjet e mjediseve hidrosanitare, të ofrojë shërbim dushi, të furnizojë dhomat me veshje spitalore për të sëmurët, paçka se ata i përdorin ose jo, si dhe të pajisë çdo krevat me pantofla verore e dimërore. Kjo nuk ndodh faktikisht!

    Sot vendimi i Administratives për testimin e mjekëve

    Sot gjykata administrative do të shprehet për pezullimin apo jo Testimi i bluzave të bardha. Këtë e bën të ditur mjeku kardiolog Petrit Vargu. “Sot pas mesdite, Gjykata Administrative e Apelit do të shprehet për pezullimin ose jo të çështjes sonë. Jemi të qetë, sepse kërkojmë drejtësi. Tani e tutje dielli do lindë edhe për ne. Duhet te vazhdojmë protestën, si i vetmi mjet komunikimi me Ministrin e Shëndetësisë” shprehet Vargu në faqen sociale Facebook.

     Mjekët peticion institucioneve, çdo ditë protesta, bojkot të shtunën

    Mjekët kanë ashpërsuar reagimet e tyre ndaj testimit, duke paralajmëruar bojkot të punës ditën e shtunë. Pritet të jetë një ditë bojkoti edhe për punën edhe për testimin, sepse të shtunën infermierët sipas datave të caktuara do të zhvillojnë provimin. Por edhe para kësaj date, nuk do të jenë ditë të qeta. Gjithashtu mjekët kanë paralajmëruar çdo ditë protestë në QSUT dhe sot (të mërkurën) përpara Kryeministrisë. Mjekët i dorëzuan peticionin, të firmosur nga 5 mijë mjekë e infermierë, Kryeparlamentarit Ilir Meta dhe Kryeministrit Rama. Ndërsa Ministrit të Shëndetësisë iu dorëzua personalisht gjatë momentit, kur Beqaj ishte në shërbimin e kardio-kirugjisë për inagurimin e pajisjeve të reja.

    Testimi i infermierëve

    Kur kanë mbetur vetëm 6 ditë nga testimi, infermierët i kërkuan ministrit të tërhiqet nga kjo nismë, në të kundërt do të përballet me bojkot. “Jemi 6 ditë para këtij testimi të shpallur nga ministri. Kemi akoma çështjen në Gjykatë dhe do presim përgjigje. Por i bëjmë thirrje ministrit të tërhiqet nga kjo nismë përderisa Urdhri i Infermierit dhe Avokati i Popullit e kanë shpallur antiligjore. Teorikisht, në situatën ku jemi, i bie që çdo infermier të mos marrë pjesë në proces.Me pankarta në duar, protestës së sotme iu bashkuan edhe studentë të infermierisë e mjekësisë, të cilët e quajtën procesin denigrues duke i bërë thirrje Ministrisë të merret me probleme më të mëdha ku çalon shëndetësia sot. Ky është turpi më i madh që po i bëhet mjekësisë shqiptare. Pse gjithë kjo nismë? Cilat janë arsyet? Ne i marrim dijet nga këto mjekë që sot janë në punë dhe nuk presim që këto të testohen” thanë ata

    PETICIONI

    Ne, mjekët, kirurgët, stomatologët, farmacistët, infermierët, laborantët dhe profesionistët e tjerë të mjekësisë, profesione të rregulluara në ligj (Ligji 10/271 i vitit 2009), në vazhdim të debateve aktuale për sa i përket testimit të bluzave të bardha në rang vendi, kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë të tërhiqet nga ky mision denigrues në radhë të parë për reputacionin dhe besueshmërinë e personelit mjekësor në popullate dhe së dyti denigrimin e bluzave të bardha…

    Ju adresohemi si përfaqësues të vendit tonë, përfaqësues ligj-bërës, ligj-zbatues për kapërcimin e këtij shqetësimi duke kërkuar sqarimet e nevojshme nga urdhëruesit e këtij testimi që ka krijuar një stres, shqetësim, denigrim deri në tensionim të panevojshëm në radhët e këtyre profesionistëve të mjekësisë në ushtrimin e profesionit të tyre fisnik.

    Kërkojmë:

    1. Anulimi i iniciativës së testimit masiv anti-ligjor i bluzave të bardha në rang vendi nga institucione jo përkatëse sikurse është Ministria e Shëndetësisë, në respekt të Institucioneve ligjore arsimore si Fakultetet, Universitetet, Urdhri i Mjekut.

    2. Përmirësim infrastrukturore si në aparatura diagnostike dhe trajtuese, si dhe ambiente optimale në institucionet shëndetësore parësore, dytësore dhe terciare në sistemin publik.

    3. Autonomi profesionale të bluzave të bardha në ushtrimin e profesionit të tyre

    4. Zgjedhje të drejtuesve të institucioneve të bluzave të bardha nga vetë ne bluzat e bardha, ku vendimet të merren nga bordi profesional që edhe ky bord të zgjidhet me votim nga vetë ne bluzat e bardha.

    5. Zgjedhja e shefave të shërbimit nga vetë bluzat e bardha në rang vendi, duke konkurruar me platforma, projekte, dhe të përcaktohet roli i tyre, detyrat, përgjegjësitë dhe analizimi i punës së tyre çdo vit përpara organeve eprore, dhe bluzave të bardha.6. Respektimi i mbulimit të punonjës profesional mjekësor të spitaleve të rretheve duke mos bërë thyerje kontratash për atë personel te specializohet, kualifikohet për këto spitale/institucione për afatet e përcaktuara në kontratat e tyre.

    6. Rritje page të bluzave të bardha të paktën sa në vendet fqinje.

    7. Dorëheqje të Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj.

    Profesionistët e Mjekësisë në Shqipëri

     

    Protesta të përditshme të bluzave bardha çdo ditë….

    Ditën e Mërkurë, datë 25 Shkurt 2015, ora 11:00

    Ditën e Enjte, datë 26 Shkurt 2015, ora 11:00

    Ditën e Premte, datë 27 Shkurt 2015, ora 11:00

    Ditën e Shtunë, datë 28 Shkurt 2015, BOJKOT MASIV !!!

    Mjekët pa kredite rrezikojnë licencën. Provimi i ricertifikimit brenda 15 tetorit

    1800 mjekë, 606 farmacistë dhe 1096 dentistë që punojnë në privat dhe publik, do të japin provimin brenda 15 tetorit, se nuk kanë mbledhur kreditet e tyre të edukimit në vazhdim. Procesi i edukimit në vazhdimin ka nisur përpara 5 viteve dhe në total mjekët duhet të marrin 150 kredite. Të dhënat janë shqetësuese, sepse 0 kredit do të thotë rrezikim të vendit te punës dhe pezullim të licencës së ushtrimit të profesionit. Të dhënat u bënë publike gjatë mbledhjes së bordit të ricertifikimit dhe akreditimit të profesionistëve të shëndetësisë. Në këtë mbledhje bordi, të kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, u vendosën edhe datat e dhënies së provimit të certifikimit. Brenda muajit mars duhet të miratohet rregullorja për certifikimin. Urdhrat e profesionistëve dhe fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve të shëndetit do të hartojnë programet orientuese për të gjithë kategoritë e profesionistëve që do të duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit. Brenda datës 15 prill 2015, do të publikohen emrat e mjekëve që do të japin këtë provim dhe brenda gjashtë muajve, nga shpallja nominale e emrave, profesionistët që nuk kanë përmbushur detyrimet duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.

     Përparim HALILI