Ministri gjerman: Të ulet masa e përfitimit për azilantët

    390
    Rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë dhe jo vetëm ka vënë në gjendje alarmi shtetin gjerman. Ministri i Punëve të Brendshme gjermane, Thomas de Maiziere, në një intervistë për ZDF, ka kërkuar që të shikohet sistemi i pagesave që u jepet azilantëve. “Ne duhet të rishikojmë të hollat e xhepit dhe nuk duhet të lejojmë pagesën njëherësh të tyre. Ndoshta kështu do të ndikojmë disi te fluksi i të ardhurve prej këtyre vendeve”, tha ministri Thomas de Maiziere. Thomas de MaiziereDiçka që nuk mund të realizohet sipas ekspertëve pasi është e vendosur nga Gjykata Federale Kushtetuese dhe mbetet çështje e dinjitetit njerëzor. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte që ata të merrnin ndihmë në ushqime apo edhe në veshmbathje. Në këtë mënyrë do t’u vihet në ndihmë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shmang abuzimet. Sipas ministrit, pagesa “cash” e një azilkërkuesi në Gjermani prej 143 eurosh është sa paga mujore e një polici në Kosovë dhe Shqipëri. 

    “Ne kemi nevojë për një debat në lidhje me standardet europiane të dinjitetit njerëzor dhe ofrimin e ndihmës. Ne mund të japim më shumë ndihma në ushqime, ndërsa për sa u përket parave të xhepit, është një çështje që duhet ta rishikojmë”, tha ai. Sipas tij, 40 për qind e azilantëve vijnë nga vendet e Ballkanit, përkatësisht 40 për qind dhe kjo pohoi ministri është një turp. Veç kësaj shtoi se pavarësisht problemeve që kanë shkaktuar azilantët në Gjermani, ata kanë qenë gjithmonë të mirëpritur në këtë shtet. Intervista e ministrit vjen në një kohë kur në datën 9 shtator takimi i Kancelares Merkel me presidentët e landeve pritet të shpallë si vende të sigurta origjine Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Kjo pritet të ndodhë duke marrë shkas që më shumë se 99 për qind e kërkesave bërë nga këto vende refuzohet, por edhe se Kryeministri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi e kanë kërkuar këtë gjë përmes një letre dërguar përfaqësuesit të Parlamentit Europian për Ballkanin, David McAllister. 

    Por, sipas Konrad Cleëing, ekspert i Ballkanit në Institutin e Studimeve për Europën Lindore dhe Juglindore, kjo nuk duhet të bëhet, pasi gjendja ekonomike, kryesisht në Shqipëri, e bën jetën të vështirë e kjo i nxit këta njerëz të marrin rrugën e azilit. 25 vjet pas rrëzimit të komunizmit, citon ai, Shqipëria ende bën pjesë te vendet e varfra të Europës, ku shkalla e papunësisë llogaritet 30 për qind e shifra të besueshme nuk ekzistojnë. Më keq është gjendja në Kosovën fqinje, shton ai, ku 1.8 milionë persona jetojnë në varfëri dhe 45-50 për qind e popullsisë janë të papunë. Për ProAsyl gjithashtu, organizata e të drejtave të azilantëve, kjo nuk është rruga më e mirë. Në Kosovë dhe Shqipëri, cilëson ajo, nuk mund të flitet për sundimin e ligjit në kuptimin perëndimor. Nepotizmi dhe korrupsioni gjithashtu, vijon organizata, mbizotërojnë ditën duke përmendur më tej edhe faktin që në Kosovë komuniteti rom vuan prej diskriminimit. Ndaj, sipas saj, kërkesat duhet të ndiqen në mënyrë individuale dhe të shqyrtohen me shumë kujdes. Në një intervistë telefonike për “Top Channel”, Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, Manfred Schmidt ka paraqitur një pasqyrë të situatës aktuale të azilkërkuesve në Gjermani, ku vetëm në pak kohë, 30 mijë prej tyre janë nga Shqipëria. E ky numër është shqetësues.

     “Ne kemi një numër shumë të madh azilkërkuesish këtu në Gjermani. Gjatë këtij viti kemi llogaritur që kanë ardhur 450 mijë të tillë. Kryesisht, vendi nga vijnë më së shumti është Siria, por ajo që ne na shqetëson më tepër aktualisht është se vendi i dytë nga vijnë ata është Shqipëria. Për një kohë të shkurtër na kanë ardhur rreth 30 mijë aplikues. Këta azilkërkues nga Shqipëria kanë mundësi shumë të pakta për të fituar të drejtën e azilit në Gjermani. Arsyet që paraqesin ata për të kërkuar azil janë shumë të dobëta”, tha Manfred Schmidt. Për sa u përket shtetasve shqiptarë që janë aktualisht në Gjermani, Schmidt ka siguruar se ata do të kthehen.
    Sigal